Ekonomia

10 vjetori i krijimit të Komunitetit të Energjisë, Rama: Reforma e sektorit energjetik në Shqipëri po hyn në një fazë kyçe

10 vjetori i krijimit të Komunitetit të Energjisë ka mbledhur së bashku gjatë Samitit të Vjenës përfaqësues të lartë të shteteve anëtare. Në këtë kuadër u mbajt Konferenca e 10 vjetorit të krijimit të Komunitetit të Energjisë, nën patronazhin e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Duke folur për sistemin energjitik në Shqipëri, Kryeministri Rama theksoi se, reforma e sektorit energjetik po hyn në një fazë kyçe.

Rama theksoi se, niveli i energjisë së papaguar ose të vjedhur u ngrit në qiell, dhe që si pasojë bëri që kompanitë shtetërore dhe private të deklaronin një falimentim dramatik. Rreziku për kolapsin e sistemit, blackout-it dhe katrahurës financiare për të gjithë vendin u duk shumë qartë në horizont. Pasojat ekonomike dhe shoqërore do të kishin qenë katastrofike. Kjo është arsyeja pse, kur unë mora detyrën në 2013-ën, vendosëm që ta rivendosim sektorin energjetik si një prioritet strategjik. Ne e dinim që kjo gjë do na detyronte të merrnim vendime të vështira, por nuk kishim zgjidhje tjetër. Kështu që filluam duke zgjidhur mosmarrëveshjen e trashëguar me pronarin e kompanisë sonë të shpërndarjes, investitorin çek, i cili kishte dështuar plotësisht që të ndalonte atë ç’ka duhej ndaluar kur u bë privatizimi, dhe që praktikisht e transformoi shoqërinë në pengesën kryesore për të ndërmarrë reforma”.

Sipas kreut të qeverisë, “negociatat e suksesshme me ndihmën e Komunitetit Energjetik, na hapën rrugën për të vazhduar më tej me reformat. Dhe pasi të përfundojmë këtë, mund të vazhdojmë me ristrukturimin dhe rindërtimin e sektorit energjetik, dhe të arrijmë të menaxhojmë një kompani me 1.1 miliard dollarë borxhe. 1.1 miliard dollarë borxhe të mbledhura që nga viti 2007. Ose, për t’ju dhënë një ide të qartë, 7% e PBB-së tonë. Kjo për shkak se çdo vit kemi pasur 50% vjedhje dhe humbje teknike në një sistem ku investimet kanë qenë praktikisht inekzistente kur bëhej fjalë për shpërndarje”.

“Shqipëria është vendi i dytë më i pasur për burimet hidroenergjetike, pas Norvegjisë. Shqipëria është vendi i cili deri tani është mësuar të jetojë me këtë potencial, duke e parë si një barrë dhe si një problem, jo si një burim dhe një aset.
Por, nuk është e nevojshme të thuhet se ne ende kemi nevojë për mbështetjen e Komunitetit të Energjisë”, tha Rama.

Komuniteti i Energjisë është themeluar mbi bazën e një traktati ndërkombëtar në vitin 2005. Qëllimi kryesor i tij ishte afrimi i vendeve të rajonit të Europës Juglindore dhe Detit të Zi me Bashkimin Europian dhe për të zgjeruar tregjet e energjisë të brendshme të BE-së dhe tërheqë investimet në prodhimin e energjisë dhe të rrjeteve të furnizimit.

Ndër panelistët kryesorë ishin edhe Kryeministri i Serbisë Vuçiç Kryeministri i Ukrainës Yatsenyuk, Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Sefçoviç, Komisioneri për Zgjerimin në KE, Hahn, Kryetari i Komisionit të Industrisë dhe Energjisë në Parlamentin Europian Busek.

Në fjalën e tij në event, Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Maros Sefçoviç theksoi se, 10 vjet më parë, Komuniteti i Energjisë u krijua për të rritur bashkëpunimin e vendeve të rajonit me BE-në dhe për integrimin e tregjeve të energjisë të vendeve të Ballkanit me njëri-tjetrin dhe me BE-në, por me kalimin e kohës, Komuniteti i Energjisë është shndërruar nga një instrument rajonal i para-anëtarësimit në një instrument për sigurinë tonë të përbashkët të furnizimit dhe të bashkëpunimit në fushën e energjisë.

Shqipëria aktualisht mban Presidencën e radhës së Komunitetit të Energjisë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në 10-vjtorin e krijimit të Komunitetit të Energjisë, mbajtur në Vjenë

Shkëlqesi
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e madhe për mua të mbaj sot këtë fjalë dhe të përshëndes Komunitetin e Energjisë në përvjetorin e 10-të të krijimit.

Më lejoni të filloj duke folur shumë shkurtimisht për atdheun tim, Shqipërinë, vend që i cili jo vetëm mban Presidencën e radhës së Energjisë, por që është gjithashtu një vend ku reforma e sektorit energjetik po hyn në një fazë kyçe. Për vite kemi jetuar me idenë e së kaluarës se energjia dhe elektriciteti në veçanti ishin lëndë të para që Perëndia u ofronte qytetarëve falas. Kjo qasje, e shoqëruar me keq menaxhimin në sektorin energjetik, ka rezultuar dramatike. Niveli i energjisë së papaguar ose të vjedhur u ngrit në qiell, dhe që si pasojë bëri që kompanitë shtetërore dhe private të deklaronin një falimentim dramatik. Rreziku për kolapsin e sistemit, blackout-it dhe katrahurës financiare për të gjithë vendin u duk shumë qartë në horizont. Pasojat ekonomike dhe shoqërore do të kishin qenë katastrofike. Kjo është arsyeja pse, kur unë mora detyrën në 2013-ën, vendosëm që ta rivendosim sektorin energjetik si një prioritet strategjik. Ne e dinim që kjo gjë do na detyronte të merrnim vendime të vështira, por nuk kishim zgjidhje tjetër. Kështu që filluam duke zgjidhur mosmarrëveshjen e trashëguar me pronarin e kompanisë sonë të shpërndarjes, investitorin çek, i cili kishte dështuar plotësisht që të ndalonte atë ç’ka duhej ndaluar kur u bë privatizimi, dhe që praktikisht e transformoi shoqërinë në pengesën kryesore për të ndërmarrë reforma.

Ndaj negociatat e suksesshme me ndihmën e Komunitetit Energjetik, të ndërmjetësuara drejtpërdrejt nga Zv. Drejtori, na hapën rrugën për të vazhduar më tej me reformat. Dhe pasi të përfundojmë këtë, mund të vazhdojmë me ristrukturimin dhe rindërtimin e sektorit energjetik, dhe të arrijmë të menaxhojmë një kompani me 1.1 miliard dollarë borxhe. 1.1 miliard dollarë borxhe të mbledhura që nga viti 2007. Ose, për t’ju dhënë një ide të qartë, 7% e PBB-së tonë. Kjo për shkak se çdo vit kemi pasur 50% vjedhje dhe humbje teknike në një sistem ku investimet kanë qenë praktikisht inekzistente kur bëhej fjalë për shpërndarje. Me ndihmën e Komunitetit Energjetik dhe të instituteve financiare ndërkombëtare kemi rienergjizuam kompaninë tonë energjetike, dhe sot ndihem shumë krenar t’ju them se jemi një nga vendet e para të Komunitetit Energjetik që ka miratuar një ligj për energjinë duke realizuar Paketën e 3-të energjetike të BE-së këtë vit. Kemi ndërmend të bëjmë të njëjtën gjë në fushën e gazit, energjisë së rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë.

I jemi shumë mirënjohës Sekretariatit që na ofroi ndihmë shumë konkrete dhe praktike në hartimin e këtyre ligjeve, ashtu siç ka bërë edhe me vende të tjera. Kuadri ligjor i Komunitetit Energjetik na ofron instrumentet dhe dijet e duhura për një nga reformat më të gjera dhe kontroverse që është ndërmarrë në Shqipëri në vitet e fundit. Reformë për të cilën jam i bindur se do kthejë sektorin energjetik në Shqipëri dhe burimet e natyrore të vendit tonë të jenë pasuri dhe jo pengesë.

Shqipëria është vendi i dytë më i pasur për burimet hidroenergjetike, pas Norvegjisë. Shqipëria është vendi i cili deri tani është mësuar të jetojë me këtë potencial, duke e parë si një barrë dhe si një problem, jo si një burim dhe një aset.
Por, nuk është e nevojshme të thuhet se ne ende kemi nevojë për mbështetjen e Komunitetit të Energjisë. Përveç reformave në sektorin energjetik, në përputhje me rregullat dhe parimet e BE-së, një tjetër objektiv kryesor i Komunitetit të Energjisë është integrimi i tregut rajonal. Është e logjikshme që burimet energjetike shqiptare që janë të pastra, por ndonjëherë shumë kapriçoze, të jenë komplementare nga burimet e qymyrit të Serbisë, kur është e nevojshme.

Një treg i hapur i energjisë mes vendeve të Ballkanit jo vetëm do të përmirësojë sigurinë e furnizimit, por gjithashtu do të sigurojë çmimet më të lira dhe të favorshme të energjisë dhe marrëveshjet më të mira për të gjithë konsumatorët tanë.

Fatkeqësisht, interesat e personale dhe ëndrrat e rreme të autarkisë energjetike në të gjitha vendet tona kanë penguar, në një të shkuar të afërt, që tregu rajonal të bëhet realitet. Unë jam i fort i bindur se do na duhet të trajtojmë integrimin rajonal në Komunitetin e Energjisë, me po aq seriozitet sa ndërmarrim reformat e brendshme. Integrimi rajonal, përmes mbështetjes së sektorit të energjisë, duhet të jetë objektivi ynë i përbashkët sepse nëse ne, kur vjen puna tek ndërlidhja, tek infrastruktura rrugore, apo tek sektorë të tjerë që ne duhet të zhvillojmë, jemi mjaft të varur nga fondet e BE-së, nuk do të mund t’ia dalim pa to, por kur vjen puna për të integruar tregun e energjisë, e para dhe mbi të gjitha ne mund të varemi nga vullneti ynë dhe bindja jonë se së bashku ne mund të bëjmë më shumë dhe se së bashku, ne jo vetëm mund të bëjmë foto historike, të cilat nuk janë më të tilla, por së bashku ne mund të përmirësojmë realisht ekonomitë tona.

Jam shumë i lumtur t’ju informoj se në Samitin e sotëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne jo vetëm ramë dakord për një listë prej 5 projektesh infrastrukturore që janë themelore për rajonin, por gjithashtu aprovuam një listë masash që kanë si qëllim që krijimin e tregut rajonal të energjisë, struktura qeveritare, të cilat janë të nevojshme për të maksimizuar fuqinë energjetike të rajonit.

Këto masa përfshijnë shkëmbimet energjetike, aftësi të përbashkëta alokimi dhe një treg të balancuar rajonal. Ne do të bëjmë maksimumin tonë për t’i zbatuar këto masa gjatë viti të ardhshëm. Ne do ta bëjmë këtë në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin, dhe padyshim në bashkëpunim të ngushtë me Komunitetin e Energjisë. Nga kjo do të përfitojmë të gjithë qytetarët dhe konsumatorët e vendeve tona. Komuniteti i Energjisë i themeluar në Athinë në vitin 2005, dhe që iu bashkua BE-së dhe vendeve të Europës Jugore, ishte një bashkim energjetik “avant la lettre”. Bashkimi energjetik është një vizion për të ardhmen e integrimit energjetik të Europës.

Përballë me një treg kaq të paqëndrueshëm burimesh, ndryshimesh klimatike dhe instabilitet politik, vendet europiane duhet të bashkëpunojnë më ngushtë me njëri-tjetrin për të lënë mbrapa krahëve kotësitë relative në një botë energjetike gjithnjë e më shumë të globalizuar. Këto sfida nuk do të ndalojë në kufijtë e vendeve anëtare të BE-së. Ato janë vërtetë paneuropiane.

Duke ndërtuar mbi komunitetin tonë ekzistues energjetik, setin e tij unik me institucione, procedura, dhe eksperiencën e fituar gjatë 10 viteve të fundit, Bashkimi energjetik duhet të përbëhet nga shtete anëtare dhe palë kontraktuese dhe duhet të shkojë përtej kufijve aktualë të Komunitetit të Energjisë.

Dhjetë vjet pas krijimit të Komunitetit të Energjisë dhe mbi 60 vjet nga fillimi i procesit të integrimit europian në vitet 1950, është koha të rinovojmë idetë e Robert Schumann dhe Jean Monnet dhe t’i aplikojmë ato në një nga sektorët më të rëndësishëm, energjinë, dhe të bashkojmë një Europë më të gjerë nën të njëjtat vlera, parime dhe rregulla.
Krijimi i ndërlidhjes energjetike midis vendeve në Ballkanin Perëndimor është jo vetëm jetike për rritjen ekonomike në vazhdimësi të vendeve tona, por do të ndihmojë Bashkimin Europian në luftën e tij të e vazhdueshme për sigurinë energjetike. Prandaj, mbështetja e BE-së për planin tonë konkret të veprimit për zgjerimin e sektorit energjetik në rajonin tonë dhe ndërlidhjen energjetike rajonale duhet të jetë prioriteti më i lartë. Është pikërisht në sajë të një organizmi si Komuniteti i Energjisë që, kur Ballkani Perëndimor të prosperojë, ose Greqia, Shqipëria, Serbia apo dhe BE-ja të prosperojnë, prosperiteti i arritur nga secili vend do të ndahet me të gjithë.

Ndërsa ndryshimet klimatike janë një provë e përhershme e kohës tonë, – kjo hapësirë e thuajse e nxehtë është një provë, – krijimi i Komunitetit të Energjisë nuk ofron vetëm një zgjidhje kundrejt sfidave të sigurisë energjetike, por ofron gjithashtu edhe një mundësi të jashtëzakonshme për të zbutur ndryshimet klimatike, si rajon. Në kuadrin e bisedimeve COP 21 në Paris, BE-ja duhet të sigurojë që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Planit të Veprimit të BE-së për ndryshimet klimatike. Mbështetja e Bashkimit Europian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për të arritur objektivat e ndryshimeve klimatike ka dhënë një kontribut të madh duke i dhënë sinjalin pjesës tjetër të botës se BE do të vazhdojë të udhëheqë politikat e ndryshimeve klimatike. Në të kundërt, nëse do jemi të vetëm këtë luftë të cilën, edhe një herë e theksoj, është e pamundur ta përballojmë të vetëm, me mjetet tona, atëherë superioriteti moral që Europa ka deri më tani për sa i përket ndryshimeve klimatike do të vihet në pikëpyetje.

Integrimi energjetik shkon përtej përpjekjeve individuale në sektorin energjetik. Përvoja e Komunitetit Energjetik tregon, gjithashtu, se bashkëpunimi shumëpalësh, bazuar në parime si ndershmëria, transparenca dhe shteti ligjor rrisin edhe stabilitetin e marrëdhënieve tona në përgjithësi. Përmes punës së përditshme të Komunitetit të Energjisë, një vlerë e shtuar u zhvillua, çka është e rrallë në politikë dhe një arritje unike e Europës, që është solidariteti, besimi dhe përfitimi i reciprok.

E ardhmja e Komunitetit të Energjisë do të shtrihet së fundmi përtej rajonit aktual. Pranimi i Ukrainë, Moldavisë dhe së shpejti Gjeorgjisë është tashmë një dëshmi e kësaj. Në Ballkan nuk do ta shohim me zili zgjerimin e Komunitetin, përkundrazi, me krenarinë që kemi kontribuar për një integrim më të mirë të tregut dhe sistemeve paneuropiane të energjisë. Ashtu sikurse Samiti i sotëm dhe përvoja e Shqipërisë tregojnë, ky kontribut është i vazhdueshëm dhe bëhet edhe më i rëndësishëm çdo ditë e më shumë.

Komuniteti i Energjisë nuk do ta humbë rëndësinë e tij edhe përtej dhjetë viteve të ardhshme. E kundërta është e vërtetë dhe kjo është bindja ime e palëkundur. Por është në dorën tonë, vendeve të Europës, që t’i trajtojmë seriozisht angazhimet e marra në traktate, për të kanalizuar potencialet e saj dhe për t’i zhvilluar ato më tej, në përputhje me nevojat dhe sfidat për të cilat jemi të vetëdijshëm që na presin në të ardhmen. Tani për tani, duke parë suksesin e këtyre dhjetëve viteve të Komunitetit të Energjisë, ne duhet t’i lejojmë vetes një moment kënaqësie dhe të një festimi të merituar.

Unë dua të falenderoj shumë Sekretariatin e Komunitetin të Energjisë dhe drejtuesin e tij për mikpritjen sot, në këtë bibliotekë të bukur dhe për presionin e vazhdueshëm ndaj të gjithëve ne, për të përballur së bashku ndryshimet klimatike.

Faleminderit të gjithëve që jeni sot këtu, në këtë përvjetor dhe për punën e vështirë që keni bërë në të kaluarën për krijimin e këtij Komuniteti. Unë i dëshiroj Komunitetit të Energjisë suksese të mëtejshme, bashkëpunim të gjatë e të qëndrueshëm dhe një zgjerim efektiv në të ardhmen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button