KryeartikullPolitika

Ekskluzive: Dritëro Agolli, thirrje deputetëve. Kadare dhe 25 personalitete bashkëfirmosin

Dritëro Agolli nuk ka mëdyshje: “O sot o kurrë, kjo reformë në drejtësi duhet votuar”.

“Kam dëgjuar se mbi 90 përqind e popullit e do këtë reformë dhe e mbështet atë. Unë e besoj këtë shifër që jepet. E kur ke popullin me vete beteja është e fituar. Wshtë revolucion. Wshtë i drejtë krahasimi i kësaj reforme me revolucionin” – tha dje shkrimtari i shquar për gazetën DITA

Dritëroi tha se kanë folur deri më tani vetëm partitë politike, por pak është dëgjuar zëri i intelektualëve. Ai kërkoi që apelin e tij drejtuar deputetëve ta mbështesnin edhe intelektualë të tjerë, shkrimtarë e artistë, personalitete të shquara të fushave të ndryshme. Dhe kështu u bë, teksa lista e firmëtarëve mbetet e hapur.

Nga Xh.Shehu – DITA

 

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë!

Orët e nesërme të miratimit të reformës në drejtësi janë pa asnjë dyshim vendimtare dhe nga më të rëndësishmet që ju kini provuar ndonjëherë. Këto janë orë të një prove të madhe të përkushtimit dhe të ndershmërisë suaj para qytetarëve që iu kanë dhënë votën. Vota juaj nesër do të tregojë se jeni vërtetë të shqetësuar dhe të përkushtuar për përparimin e këtij vendi, për t’i dhënë fund tranzicionit të gjatë më shumë se 25 vjeçar dhe se sa e doni integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane.

I kemi ndjekur me vëmendje debatet dhe diskutimet për reformën që vazhdojnë pambarimisht prej afro dy vjetësh. Ka një shqetësim dhe një pritje të madhe me padurim nga shumica dërmuese e qytetarëve të këtij vendi që reforma të bëhet.

Kjo është reforma më e rëndësishme që po bëhet në Shqipëri që nga përmbysja e regjimit komunist. Kjo reformë kushtetuese i ndalon njerëzit e inkriminuar e të korruptuar të hyjnë në politikë dhe në organet e drejtësisë. Pastron parlamentin, administratën dhe partitë nga njerëz që kanë bërë krime apo që kanë vënë pasuri të paligjshme. Po të ishte bërë më parë kjo reformë, nuk do të flitej për dekriminalizimin. Drejtësia nuk do të ishte kaq e korruptuar. Prandaj dhe populli e ka humbur besimin te drejtësia. Shqipëria jonë do të ishte shumë më e përparuar dhe më e begatë nga ç’është sot.

Prandaj, nisur nga momenti historik dhe rëndësia e jashtëzakonshme e kësaj reforme, është më mirë që secili prej jush, deputetëve të këtij Kuvendi, nesër kur të hyni në seancën për miratimin e reformës të dëgjoni në radhë të parë e mbi të gjitha zërin e qytetarëve të këtij vendi që ju kanë votuar dhe të pyesni e vendosni me përgjegjësinë e ndërgjegjes suaj.

Ne jemi të bindur se reforma do të bëhet. Po është mirë të bëhet tani. Sepse këtu ndahet e shkuara me të ardhmen. Ky moment i hap Shqipërisë perspektivën evropiane, ndaj dhe në favor të kësaj perspektive duhet të vendoset pa hezitim nga ju që populli shqiptar u ka votëbesuar.

Ne na vjen mirë dhe përshëndesim faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë një qëndrim të palëkundur pro kësaj reforme. Ky qëndrim i prerë i partnerëve tanë perëndimorë jep garanci jo vetëm që do të bëhet reforma, por që do të bëhet ashtu si duhet. Deputetët e ndershëm nuk duhet t’i tremben këtij fakti. Kjo reformë vë në binarë demokracinë dhe shtetin e së drejtës, për të cilat ne aspirojmë prej më shumë se një çerek shekulli.  

Dritëro Agolli, shkrimtar

Moikom Zeqo, shkrimtar

Pëllumb Xhufi, Profesor

Alfred Moisiu, ish-President

Bamir Topi, ish-President

Servet Pëllumbi, ish-kryetar Kuvendi

Ismail Kadare, shkrimtar

Pajtim Lutaj, Profesor

Arben Puto, Profesor

Alfred Uçi, Profesor

Daut Gumeni, shkrimtar

Xhevat Lloshi, gjuhëtar

Diana Çuli, shkrimtare

Luan Omari, konstitucionalist

Niazi Jaho, konstitucionalist

Sabit Brokaj, mjek

Nasho Jorgaqi, shkrimtar

Limos Dizdari, kompozitor

Irini Qirjako, artiste

Xhevahir Spahiu, poet

Fatos Tarifa, Profesor

Ksenofon Krisafi, Profesor

Ymer Minxhozi, publicist

Luftar Paja, aktor

Bardhosh Gaçe, Profesor

Fatos Klosi, Profesor

Idajet Beqiri, avokat

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button