Kryeartikull

Fullani është fajtor? E ç’rëndësi ka? Ai është i mbrojtur

Mustafa Nano

mustafanano-320x175Ardian Fullani, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në ambientet (e nga nëpunësit) e së cilës janë vjedhur disa miliona euro, kish dhënë dje një intervistë. E vërteta është se, për të ruajtur profilin e një guvernatori (guvernatorët e bankave nacionale nuk para shquhen për protagonizëm mediatik; i vetmi guvernator që shfaqet shpesh në mediat e sotme është Mario Draghi, por ky është guvernatori i Bankës Qendrore Europiane, që do të thotë se është një guvernator atipik), mund të mos e jepte këtë intervistë. Një guvernator që flet pak, ose aspak, në media njëjtësohet vetvetiu me një guvernator serioz. Kjo i jep prestigj Bankës vetë (Edhe vetë Fullani duket se e ka të qartë këtë gjë, e prandaj shprehet në intervistën e tij dhënëMapos se “guvernatori flet me deklarata e komunikata shtypi, e jo me intervista nëpër gazeta”). Për më tepër, në rrethanat konkrete, ndonëse opinioni publik ka demonstruar interes e kureshtje për të dëgjuar diçka nga goja e guvernatorit, nuk është se ky i fundit mund të thotë ndonjë gjë të madhe. Me vjedhjen po merren prokurorët, ndërsa me deklaratat politike të njërit apo tjetrit guvernatori nuk ka pse të merret.

Të kuptohemi, heshtja mediatike e një guvernatori nuk ka të bëjë me “deontologjinë” e përgjegjësisë që ai ushtron. Përveç kësaj, nuk ka as ndonjë ligj që e imponon këtë heshtje. Është thjesht një praktikë ndërkombëtare. E në këtë kuptim, Fullani nuk ka bërë ndonjë mëkat që ka folur. I është dukur e udhës që ta thoshte të vetën. Dhe e ka thënë.

Po çfarë ka thënë? Ky është problemi. Unë e lexova dy herë, dhe m’u duk një intervistë e ngeshme, e kotë, e tepërt. Të jepte përshtypjen se këtë intervistë e ka dhënë jo prej nevojës për të thënë gjëra, por për shkak të ndonjë porosie a ndonjë lutjeje që i është bërë për t’u shfaqur, gjë që vihej re te mesazhet boshe që përcillte, siç ishin nënvizimi i vazhdueshëm se “nuk ka folur ngaqë nuk ka dashur të dëmtojë me deklaratat e veta procesin e hetimit dhe zbardhjen ligjore të ngjarjes”, se “ai dhe Banka e Shqipërisë janë të angazhuar për të krijuar të gjitha kushtet për një hetim të shpejtë, profesional, të besueshëm, gjithëpërfshirës e transparent … dhe se për të, si guvernator, hetimi e sekreti i tij kanë një rëndësi të veçantë”, se “këmbëngulja për të mos u tërhequr e për të mos i dëgjuar zërat për dorëheqje është tregues i përgjegjshmërisë që ai ka në ushtrimin e detyrës së guvernatorit”, se “ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në banka të tjera qendrore”, etj.

I vetmi fakt interesant që merrej vesh nga ajo intervistë ishte që Fullani i ka shpatullat e ngrohta. Ai është i mbrojtur e i blinduar në postin që mban prej vitit 2004. Personalisht nuk kam një ide shumë të saktë se sa të drejtë kanë ata që kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të tij për shkak të vjedhjes që është kryer në Bankë. Sikur ta jepte dorëheqjen do të isha shumë i kënaqur (ngaqë nuk do të kishim më në postin e guvernatorit një prej sycophant-ëve të shumtë të këtij vendi; është kjo natyrë e tij që e ka dëmtuar rëndë pavarësinë e institucionit, dhe në këto rrethana se si të duket që Fullani mburret me pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, gjë që ai e bënte në këtë intervistë), por nuk mund t’i lejoj vetes, për sa kohë që më mungon dija e informacioni, të shoh qartësisht një lidhje mes kësaj ngjarjeje të rëndë dhe guvernatorit, s’ka gjë se mes këmbënguljes së Fullanit për të qëndruar e kërkesës për dorëheqje që atij i bëhet nga ca të tjerë, që e njohin më mirë se unë ekonominë, financat, bankat në përgjithësi, Bankën e Shqipërisë në veçanti e mënyrën se si Fullani ka drejtuar këtë të fundit, janë më bindës këta të dytët. Merret me mend pse. Në Bankën Qendrore të Shqipërisë ka ndodhur një ngjarje e rëndë, shumë e rëndë, më e rënda në historinë e kësaj banke, dhe kjo ka ndodhur ngaqë hallka e struktura brenda asaj banke nuk kanë funksionuar. Nga ana tjetër, ka një përgjegjësi morale në këtë mes. Kjo puna e “përgjegjësisë morale” është përmendur nga shumë vetë këto ditë, e prandaj rrezikon të merret për një banalitet, por kjo është, sidoqoftë, e vetmja e vërtetë e rëndësishme që mund të thuhet në rrethana të tilla. Kur në një institucion ndodh një ngjarje e rëndë, kreu i institucionit, edhe pse nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë (dhe unë bëj pjesë tek ata që as që e çojnë në mendje se Fullani është i përfshirë drejtpërdrejt në këtë vjedhje), mban një përgjegjësi morale. Dhe largohet.

Por po kthehem te “fakti interesant” që dilte nga intervista. I pyetur lidhur me zërat që kërkojnë dorëheqjen e tij, sidomos për ata zëra që vijnë nga politika, Fullani shprehet: “Politika ka qenë mjaft e qartë në deklaratat e saj zyrtare; ajo ka përçuar maturí; [ndërsa] deklaratat individuale janë e drejtë e cilitdo”. Sapo lexova këtë frazë, që ishte andej nga fundi i intervistës dyfaqëshe, m’u bë të besoja se motivi kryesor, në mos i vetmi, që Fullani është shfaqur në media ka qenë pikërisht dëshira e tij për t’u treguar të gjithëve, se “atij nuk kanë ç’i bëjnë”. Dhe e vërteta është që Fullani e ka grurë me të gjithë. Nuk dihet si, por duket sheshit se ua ka fituar zemrën që të gjithëve. Madje, edhe zemrën e ambasadorit amerikan, që kish planifikuar një takim me të vetëm disa orë përpara mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë; e sikur të mos ish mjaft takimi, u ndal një copë herë edhe me gazetarët, ku priti që këta ta pyesnin për çështjen në fjalë, dhe aty la të nënkuptohej se ambasadori ishte “fan” i guvernatorit. E në fund, edhe zemrën e Këshillit Mbikëqyrës, i cili e shprehu qartë, me një deklaratë, mbështetjen e vet në favor të Fullanit.

Shkurt, është ky mirëkuptim e kjo aleancë e politikës, majtas e djathtas, me guvernatorin që të befason më shumë se vetë ngjarja. Thënë me fjalë më të thjeshta, të befason më shumë fakti që Fullani është më i fortë sot sesa dje. E duhet thënë se vetëm në Shqipëri ndodh që një skandal t’i përforcojë pozitat e dinjitarit që në një mënyrë a në një tjetër është i përfshirë në të.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button