Home / Kryeartikull / Votoni reformën e Shqipërisë europiane !
Andrea Stefani

Votoni reformën e Shqipërisë europiane !

Nga Andrea Stefani

Sot ka vetëm një thirrje që mbi 90 përqind e shqiptarëve ua drejtojnë deputetëve: Votoni reformën në drejtësi! Mbi 90 përqind e shqiptarëve pa dallime partiake ua drejtojnë të gjithë deputetëve pa dallime partiake. Me atë që na thonë sondazhet, sovrani i drejton një thirrje të gjithë përfaqësuesve të tij: Votojeni reformën! Ata që nuk do ta bëjnë, nuk përfaqësojnë më interesat e tij, nuk janë të lirë dhe të ndershëm të përfaqësojnë interesat e tij.

Të gjitha të tjerat sot duhet të kalojnë në plan të dytë. Disiplina partiake, besnikëria apo mirënjohja ndaj liderit që të ka futur në listë si deputet. Sepse ka një besnikëri që qëndron më lart se të gjitha, ajo ndaj Sovranit që të ka bërë deputet me votën e tij. Dhe nëse lideri, për lloj-lloj shkaqesh, të thotë mos voto por Sovrani popull të thotë voto reformën, kujt duhet t’i bindesh? E si mund t’i bindesh liderit duke tradhtuar vullnetin e sovranit?!

Çdo deputet që voton sot reformën në drejtësi, nuk voton se ashtu i thotë udhëheqësia partiake, s’ka rëndësi nëse ajo thotë po apo jo, por voton sipas vullnetit të tij të diktuar nga vullneti i Sovranit. Qysh në krye të herës, në nisje të tranzicionit, Sovrani është shprehur: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Ky është një nga ato momente historike ku mund të investohesh për ta bërë Shqipërinë të tillë duke votuar reformën në drejtësi. Lidershipi që nuk e voton e tradhton atë dëshirë, deputeti që i qëndron besnik atij lidershipi tradhton Sovranin, tradhton shqiptarët.

Çdo deputet që nuk voton sot reformën i kundërvihet Perëndimit, SHBA dhe BE, aleatëve të çmuar të shqiptarëve që janë investuar fort në hartimin e kësaj reforme, duke mbetur garanci se ajo do të prodhojë një pushtet drejtësie të lirë dhe të aftë për të dhënë drejtësi.

Të votosh për reformën në drejtësi do të thotë t’i japësh sovranitet real Sovranit. Se aty ku nuk ka drejtësi nuk ka sovranitet për qytetarët por vetëm për të korruptuarit. Vetëm këta të fundit po përpiqen ta pengojnë reformën me pretekstin se preket “sovraniteti” i vendit. Në fakt, preket vetëm “sovraniteti” i tyre, sovraniteti i korrupsionit, pandëshkueshmëria! Eshtë qesharake t’i dëgjosh kur thonë se perëndimorët, që na mbështetën kundër diktaturës për një sovranitet real, duan të na grabisin sovranitetin. Por kur ka ndodhur që autokratët dhe të korruptuarit të mos spekulojnë me sovranitetin, me “mosndërhyrjen e të huajve në punët e brendshme”, për të  ruajtur sundimin apo parajsën e tyre të paprekur, “sovrane”? A nuk kanë bërtitur “larg duart nga Shqipëria!” ndërsa mbanin thonjtë e ngulur në trupin e saj?

Shqipëria ka ngecur në batakun e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë se nuk ka pasur drejtësi të pavarur në këtë 26 vjet. Reforma e çliron drejtësinë nga vargonjtë e politikës së korruptuar, i jep forcë që korrupsionin me anë të ligjit ta shndërrojë në sundim të ligjit, pikërisht atë që shqiptarëve ju mungon prandaj e presin dhe e kërkojnë.

Të gjitha të këqijat që na mundojnë sot janë të lidhura, në një mënyrë ose në një tjetër, me mungesën e një pushteti drejtësie që i vendos të gjithë barabar para ligjit, kryeministrin dhe punëtorin, deputetin dhe fshatarin, që shkallmon barrikadat e pandëshkueshmërisë. Padrejtësia është varfëri dhe prapambetje. Disa i pasuron disa i flak në mjerim. Shqipëria ka mbetur kronikisht e varfër sepse nuk ka patur kurrë drejtësi.

Drejtësia është integritet. Ajo e mbron qytetarin nga arroganca e qeverive, mbron vendin e punës së qytetarit dhe administratën publike nga “fshesat” klienteliste të pushteteve, pronën private nga abuzimi me “interesin publik”, jetën nga krimi që, i pandëshkuar nga ligji, nuk mund të mos rivrasë. Dhe duke bërë të gjitha këto, drejtësia do ta bëjë shqiptarin qytetar të lirë, që të mund të jetë vetvetja.

Çdo deputet duhet të votojë në emër të kësaj lirie të atyre që e kanë zgjedhur, për ti nxjerrë të gjithë ata nga statusi i turpshëm i njeriut që konformohet me partinë dhe liderin për të ruajtur a kapur një vend pune në administratë. Dhe sa më madhe padrejtësia, aq më e madhe nevoja e njeriut për nderet e partisë dhe liderit të realizuara po mbi padrejtësinë, dhunën dhe arrogancën prandaj aq edhe më i verbër konformizmi ndaj lidershipit, ky degradim i bindjes në paaftësi të njeriut për të menduar me kokën e vet. Çlirojini shqiptarët nga kjo skllavëri e padenjë për ta duke i hapur rrugë drejtësisë së pavarur, votoni reformën!

Leave a Reply

Your email address will not be published.