Home / Kosova / Mërgimtarët e pakënaqur me trajtimin që u bëhet

Mërgimtarët e pakënaqur me trajtimin që u bëhet

Kuvendi i Kosovës ka hapur dyert për mërgimtarët, të cilët këto ditë po qëndrojnë në Kosovë.

E kjo është bërë në kuadër të  aktivitetit  tradicional, “Bashkatdhetarët në Kuvend”. E për t’i pritur ata  nuk ishte kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, por në emër të tij,  atyre iu dëshiroi mirëseardhje  Zenun Pajaziti.

Pajaziti tha se mërgimtarët janë pjesa më e rëndësishme e shtetit të Kosovës.

“Ishte vullnet i ynë dhe kërkesë e juaja që të vizitoni ambientet ku ne punojmë, ku ne bëjmë ligje dhe marrim vendime të rëndësishme. Është ky një aktivitet për të mos e harruar kurrë punën e palodhshme, dhe kontributin e palodhshëm dhe pazëvendësueshëm të mërgatës sonë, të bashkatdhetarëve tanë. Ju jeni pjesa më e rëndësishme e lirisë, që ne sot e gëzojmë. Jeni pjesa më e rëndësishme e institucioneve dhe shtetit të Kosovës. Fatmirësisht ju keni vazhduar ta rindërtoni Kosovën dhe ju po bëheni pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e zhvillimit të vendit tonë. Andaj i keni gjithmonë të hapura dyert, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës, por gjithkund në vendin tuaj, shtetin tuaj”, tha Pajaziti.

Edhe, Shqipe Pantina deputete nga Lëvizja Vetëvendosje tha se bashkatdhetarët mbeten arteria kryesore, që e mban gjallë jetën në Kosovë. Ndërsa tha se është koha që të mendohet më shumë për ta dhe tu krijohen lehtësira.

“Bashkatdhetarët vazhdojnë të mbesin arteria kryesore që po e mban gjallë jetën në Kosovë dhe atë jo vetëm financiarisht. Ju jeni shembulli më i mirë, që keni treguar se dashuria për atdheun nuk mbaron asnjëherë…Është koha që ne tani të mendojmë pak më shumë për ju dhe të krijojmë lehtësira dhe kur të vini të kaloni këtu. Thjeshtë të vini, të çmalleni dhe të pushoni me shumë se sa të mbani gajlet dhe dertet e familjes dhe vendit por dhe të krijojmë mundësi, që ju të vini pse jo dhe të investon këtu”, tha Pantina.

Me gjithë fjalët e mëdha që u thanë për ta nga përfaqësues shtetëror, mërgimtarët nuk janë të kënaqur me trajtimin që po u bëhet atyre nga ana e institucioneve të  vendit, e as me punën e Kuvendit.

Azem Mehmeti, i cili kishte ardhur nga Vjena e Austrisë thotë se ai ka dëshirë të madhe që mërgimtarët të kenë një lidhje shumë më të fuqishme me vendin e tyre, por nuk janë të kënaqur me trajtimin që po u bëjnë institucionet e vendit, raporton KP.

Ndërsa, për Kuvendin të cilin ai e vizitoi, tha se po krijon një imazh të keq për Kosovën, nga ngjarjet të cilat herë pas here krijohen aty.

“Nuk jemi të kënaqur. Janë bërë disa përmirësime, por jo aq sa duhet. Diaspora ende është e anashkaluar. Diaspora ende është me shumë telashe. Duke filluar prej dokumenteve. Duke filluar prej investimeve. Duke filluar me të gjitha ende nuk ka një infrastrukturë ligjore dhe ambient që mërgata ta ndinë pjesë të veten Kosovën. Këto janë me argumente dhe fakte, që njerëzit që vijnë me investu kanë telashe shumë të mëdha.. Unë e shoh Kuvendin në dy aspekte. Në aspektin si ndërtesë është e mrekullueshme. Në aspektin e punës dhe funksionimit si kuvend ligjor, aty ku nxirren ligjet me ec shteti përpara mendoj se ka të meta shumë të mëdha. Partitë politike janë shumë të shtrënguara, shumë kontraverse. Përdorimi i tymit në një parlament ku krejt bota e sheh është një gabim, diçka që krijon imazh shumë të keq”, tha Mehmeti.

Edhe Sali Bislimi i cili kishte ardhur nga Zvicra, theksoi se megjithëse vazhdojnë të anashkalohen nga institucionet e Kosovës, dashuria për atdheun i sjellë çdo vit këtu.

“Mirë po ndihemi në Kosovë. Gjithçka është ok. Vendi jonë dashuria për atdheun na sjellë çdo vit…Institucionet e Kosovës, i kanë anashkaluar defakto mërgimtarët. Po besoj që edhe kjo do të kalojë, derisa të vijnë dhe vlerat e mirëfillta parlamentare këtu në Kuvendin e Kosovës, për të bërë politika të drejta”, tha ai.

E kishte nga ata që kërkonin që të kenë dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvend, që të ngrit zërin për problemet me të cilat ballafaqohet diaspora. Arben Krasniqi i cili kishte ardhur nga Zvicra thotë se shumë flitet e pak bëhet për diasporën.

“Neve si mërgimtarë ajo që na brengos më së shumti është se pak bëhet për diasporën. Folët shumë, por pak bëhet…Ajo që na brengos më shumë, nuk e kemi përfaqësuesin tonë në parlament, që me ngrit zërin për problemet e diasporës”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.