Maqedonia

Ekspertët: Me mbylljen e detyrimeve në Listën zgjedhore shumë probleme do të jenë edhe më tej të pranishme

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka nisur me zbatimin e marrëveshjes së katër partive politike për përgatitjen e terrenit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, njofton REL.

Në faqen zyrtare të këtij institucioni janë publikuar emrat e rreth 40 mijë votuesve, shtetas të Maqedonisë, identiteti i të cilëve ishte kontestuar. Ata gjatë 25 ditëve të ardhshme duhet të paraqesin dëshmi mbi identitetin e tyre, në të kundërtën pas këtij afati humbin të drejtën e votës.

“Është fakt se personat të cilët nuk do të paraqiten në afatin kohor prej 25 ditëve, nuk do të regjistrohen në listën zgjedhore, mirëpo këta persona kanë edhe një mundësi tjetër, pra pasi të shpallen zgjedhjet dhe të paraqitet lista në shqyrtim publik, ata kanë mundësi të regjistrohen”, thotë nënkryetari i Komisionit Shetëror Zgjedhor, Rexhep Prekopuca, duke bërë të ditur se në bazë të marrëveshjes së arritur, forma e këtillë e verifikimit të votuesve do të jetë e vlefshme vetëm gjatë këtij cikli zgjedhor, pavarësisht se kur do të mbahen ato.

Gjithashtu në faqen zyrtare të KSHZ-së gjenden edhe emrat e rreth 170 mijë votuesve të tjerë që jetojnë jashtë vendit. Ata nuk e humbin kanë të drejtën e votës, por emrat e tyre gjendet në një pjesë të veçantë të listës, që të mos keqpërdoren në ditën e votimit.

Me mbylljen e këtyre detyrimeve, por edhe të disa të tjerave më pak problematike, si dhe me zgjedhjen e anëtarëve, KSHZ-ja pretendon se ka kryer detyrimeve e saj të marrëveshjes, në rast se nuk paraqiten probleme gjatë kontrollit të 40 mijë votuesve të kontestueshëm.

Por, ekspertët njohësit e kësaj sfere, thonë se lista zgjedhore nuk e mbyllur dhe se shumë probleme do të jenë edhe më tej të pranishme.

Pavle Trajanov, ish Ministër i Punëve dhe të Brendshme dhe kryetar i Lidhjes Demokratike ngrenë shumë dilema, në veçanti atë se ku mbetën qindra mijëra votuesit fiktiv për të cilët partitë akuzonin njëra-tjetrën vite me radhë!.

“Ne vend se të ulet numri i votuesve, ne me marrëveshjen e re kemi një listë edhe më të madhe në numër të listës së votuesve. Ne tani kemi më shumë se 1 milion e 800 mijë votues, kurse numri i popullatës është në pak më shumë se 2 milion. Kjo nënkupton se procesi i verifikimit të listës as që ka filluar, meqë për shumë afera që ishin paraqitur nuk ka asnjë procedurë, si për pretendimet e mijëra votuesve fiktive, për votuesit nga jashtë vendit që në mënyrë të paligjshme ishin furnizuar me letërnjoftimet, e kështu me radhë”, thotë Pavle Trajanov.

Problemet me listën zgjedhore, sipas ekspertëve janë edhe pasojë e mungesës së regjistrimit të popullsisë. Abdylmenaf Bexheti, ish nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Regjistrimit thotë se pa një operacion statistikor nuk mund të paramendohet zgjidhja e problemit. Sipas tij, zgjidhja që ofrohet mund të ndihmoj procesin, por jo edhe ta mbyll.

“Kushtëzimi i të drejtës së votës me paraqitje është një hap drejt përjashtimit përfundimtar. Zgjidhje e vetme përfundimtare e këtij problemi qëndron në regjistrimin e popullsisë. Çdo pastrim tjetër me sistemin e kryqëzimit të të dhënave të institucioneve relevante, është vetëm se një proces që mund të ndihmojë problemet me listës zgjedhore, një katrahurë që edhe vet ata që punojnë nuk e kanë të qartë”, thotë Bexheti.

Regjistrimi i popullsisë për herë të fundit është mbajtur në vitin 2001, ndërsa pas dhjetë viteve apo në vitin 2011 kishte dështuar pikërisht për shkak të dallimeve të shumta mes anëtarëve shqiptar dhe maqedonas lidhur me regjistrimin e shtetasve të Maqedonisë që jetonin përkohësisht jashtë vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button