Home / Kronika / Kronika e zeze / Adoleshenti humb jetën në det, dyshohet atak kardiak

Adoleshenti humb jetën në det, dyshohet atak kardiak

mbytja-ne-det-320x239Vite më parë, familja Kastrati u përball me një tjetër fatkeqësi, pasi vëllai i 16-vjeçarit vdiq në pishinë

Durrës

Një 16-vjeçar kishte dalë xhiro me varkë, por kur është hedhur në det, nuk ka dalë dot më

Një 16-vjeçar ka humbur jetën, teksa po lahej në det, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Adoleshenti kishte dalë me një mjet lundrues, tip pedalinë, bashkë me të afërm. Rreth 150 metra larg bregut, 16-vjeçari A. Kastrati është hedhur në det dhe nuk ka mundur të dalë. Dëshmitarë okularë bënë të ditur se të miturit i ka ngecur këmba diku në fundin e detit, ndërkohë që dyshohet se ky incident është pasuar edhe nga një atak kardiak në det. Viktima është nga fshati Shkallnur i Durrësit, ndërsa para pak vitesh pati humbur jetën edhe i vëllai, ndërsa lahej në pishinë. Policia ka shoqëruar pronarin e mjeteve lundruese që jepen me qira në plazh, ndërkohë që trupi është dërguar në morg për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore. Nga ana tjetër, policia ka marrë në pyetje familjen e 16-vjeçarit, të cilët kanë rrëfyer se çfarë kishte ndodhur. Megjithatë, mjekët shprehen se adoleshenti mendohet se ka pësuar atak kardiak në momentin e kontaktit me ujin për shkak të temperaturave shumë të larta që kanë qenë dje në plazh, por përgjigjja përfundimtare nga mjekët ligjorë pritet gjatë ditëve në vijim.

Një javë më parë, dy bashkëshortë nga Qerreti humbën jetën duke shpëtuar djalin e tyre nga deti i dallgëzuar, ndërsa policia nisi hetimet për ekipin e autoambulancës që mbërriti me vonesë në vendngjarje pa mundur të japë në kohë ndihmën e nevojshme mjekësore. Kurse tri ditë më parë u mbyt një tjetër fëmijë në plazhin e Velipojës, i cili u kishte humbur nga shikimi prindërve vetëm një çast.

Mungesa e ndihmës së shpejtë dhe rojeve bregdetare vijon të jetë një shqetësim për pushuesit e shumtë që frekuentojnë plazhet e Durrësit dhe Kavajës. Pushuesit janë të shqetësuar nga mungesa e ndihmës së shpejtë në plazh, ku temperaturat e larta dhe mbytja e adoleshentit kanë shkaktuar probleme dhe te pushues të tjerë. Për fat të mirë në ndihmë të një pushueseje që kaloi një gjendje të fikëti ka shkuar një tjetër pushues nga Kosova me profesion mjek. Ndërkohë, shërbimet e policisë në vendngjarje kanë ndihmuar në gjetjen e prindërve të një fëmije nga Kosova të humbur në plazh. Vetëm të enjten shërbimet e policisë kanë ndihmuar në 4 raste të ngjashme në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, ku ashtu si në plazhet e Durrësit, Golemit e më tej në jug mungesa e ndihmës së shpejtë është e ndjeshme.

Pavarësisht se në fillim të sezonit u ngritën kullat e vrojtimit dhe strukturat ndihmëse me të rinj të trajnuar për të ofruar ndihmën e shpejtë ky shërbim nuk ofrohet në mënyrë të vazhdueshme. Kullat e ngritura janë të boshatisura dhe kthyer në objekt loje dhe fotosh për pushuesit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: