Ekonomia

Bashkia e Tiranës nis shtrimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në zonën e Doganës

Zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për rreth 5 mijë banorë të zonës së Doganës, e cila kufizohet nga rrugët “29 Nëntori”, “Zografët” dhe “Teodor Keko”.

Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë po përfundojnë investimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në këtë zonë, i cili po kryhet paralelisht me atë te Rruga e Elbasanit dhe Rr. Shefqet Kuka. Punimet e UKT-së u inspektuan dje në mbrëmje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nënvizoi se ky investim po kryhet paralelisht me procesin e urbanizimit të zonës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se falë këtij investimi synohet që, edhe në këtë zonë, të dyfishohet orari i furnizimit me ujë të pijshëm i familjeve dhe bizneseve.

“Më vjen mirë që kjo verë, pavarësisht vapës së padurueshme, i gjen këto familje, të cilat sot kanë zero orë ujë, të paktën me 13 orë ujë në ditë. Ju kujtoj se një vit më parë, kur filluam misionin tonë në Bashkinë e Tiranës, Tirana kishte mesatarisht 7-8 orë ujë në ditë, kurse sot ka 12-13 orë. Do të thotë se, nga tani e tutje, qytetarët nuk presin autobotin për të mbushur ujë, por tani janë klientë të UKT-së që shërbehen me dinjitet, në varësi të faturës që paguajnë”, tha Veliaj.

Po ashtu, ai  ftoi qytetarët debitorë në pagesën e ujit të pijshëm që të përfitojnë nga lehtësirat që ka ofruar UKT-ja në këmbim të shuarjes së detyrimeve të mbartura prej vitesh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button