Home / Intervista / Vlahutin i përgjigjet Bashës: Sulmi ndaj meje pas shpine, do më keni edhe dy vjet të tjera!

Vlahutin i përgjigjet Bashës: Sulmi ndaj meje pas shpine, do më keni edhe dy vjet të tjera!

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vllahutin i është përgjigjur flakë për flakë sulmeve që i kanë ardhur nga lidershipi i opozitës.

Në një intervistë për “Tonight Ilva Tare”, diplomatja kroate që drejton zyrën e Brukselit në Shqipëri ka akuzuar Sali Berishën dhe Lulzim Bashën duke deklaruar se sulmet ndaj saj nuk janë bërë ballë-për ballë gjatë takimeve me ta, por në mënyrë indirekte, kur ajo është larguar.

Vlahutin gjithashtu ka deklaruar se nuk ka qenë e rëndësishme miratimi me consensus i reformës, sesa mosprekja  cilësisë së saj…

Sa i rëndësishëm është faktori shqiptar dhe mënyra se si do ta implementojnë ata që do të zgjidhen në strukturën e re të sistemit të drejtësisë për implementimin e reformës? A kanë mundësi ata që ta ngadalësojnë apo ta përshpejtojnë apo ta pengojnë zbatimin e reformës?

Shqiptarët do të jenë thelbësorë. Natyrisht që do të kenë mundësinë që ta përshpejtojnë por ne do të kemi një operacion të fortë monitorimi ndërkombëtar i cili do të mund të ndalojë çfarëdolloj përpjekjesh për të neutralizuar reformën, kështu që në mënyrë pozitive, po, shumë ndërsa për ato negative ne do të vëmë shumë masa për të lehtësuar çfarëdolloj veprimesh që mund të ndërmerren për të bllokuar reformën në rast se do të merren.

Pse gjithë kjo vëmendje ndërkombëtare për Shqipërinë dhe për reformimin e sistemit të drejtësisë?

Ka shumë arsye për këtë. Unë jam përfaqësuese e BE dhe puna ime e parë është që të mbroj dhe të promovoj interesat e BE në Shqipëri dhe për ne, stabiliteti  dhe sundimi i ligjit apo shteti i së drejtës mbi të gjitha është shumë i rëndësishëm. Eshtë i një rëndësie strategjike për BE dhe për shtetet anëtare po ashtu, është thelbësore edhe për Shqipërinë dhe për rrugëtimin e saj drejt BE.

Ka diçka që do të kishit dashur mos ta kishit bërë gjatë këtyre negociatave, ose diçka që do ta kishit bërë ndryshe?

Po, është një gjë të cilën do ta kisha bërë ndryshe. Duhet të isha përpjekur për të shtyrë sa më shumë për një miratim më të hershëm. Po të shikoni, ky është mesazhi që ka dhënë edhe komisioneri Hahn, kanë qenë konsistente deklaratat e tij, ka folur për ambicien, për synimin e përbashkët. Ju e mbani mend që ka qenë një afat, në muajin qershor, i cili u përmend shumë herë pasi ne u përpoqëm shumë që ju të fitonit kohë edhe për pjesën e zbatimit pastaj.

Ishte vërtetë e nevojshme pjesëmarrja juaj dhe e ambasadorit Lu në mbledhjet e grupeve parlamentare të partive politike?

Mendoj që ka qenë në mënyrë absolute e nevojshme, ka qenë e rëndësishme dhe mendoj që ata e kanë vlerësuar. Ju e mbani mend diskutimin nëse ishte cënim i sovranitetit apo jo dhe ky ka qenë një diskutim interesant për mua sepse në demokraci, personat e parë të cilëve u shkon janë parlamentarët, deputetët dhe nuk e kuptoj se çfarë problemi kishte me dialogun atë ditë.

Unë e kam thënë, jemi partnerë, jemi aleatë dhe është absolutisht normale, madje duhet, po ta mendosh me logjikë, që ne të shpjegojmë rrethanat e kësaj reforme, vetë reformën, pse është kaq e rëndësishme për BE, SHBA dhe pse është kaq e rëndësishme për marrëdhënien që kemi ne me Shqipërinë, sepse në fund të fundit janë parlamentarët ata që do të votojnë, deputetët dhe për ata është e rëndësishme që të kuptojnë pozicionin tonë dhe për ne kjo ka qenë kritike.

A ka qenë deputetët të hapur me kritikat e tyre që kanë bërë kur ju nuk keni qenë prezent, ju’a kanë thënë kritikat tuaja në sy?

Kam dëgjuar që kanë patur këto kritika, nëpërmjet medias, por kur jemi takuar ballë për ballë, unë do të thoja që kanë qenë diskutime shumë konstruktive, sidomos me PD, ka qenë një takim i cili ka zgjatur rreth 3 orë dhe të gjitha pyetjet që u bënë, ishin pyetje të mirëinformuara.

Media ka raportuar se nga burimet brenda mbledhjes së PD, është thënë se deklarata e bërë nga zonja Mogherini në 5 qershor në lidhje me nevojën për ta votuar reformën me maxhorancën prej 2/3 e votave, si keqinformim i zonjës Mogherini nga ju. Keni një koment për këtë?

Së pari ka një gabim faktik. Herën e parë kur Brukseli foli zyrtarisht për mbështetjen, për votimin kushtetues, 2/3, nuk ka qenë në deklaratën e zonjës Mogherini por të komisionerit Hahn disa ditë më parë në datën 2 qershor. Pra, që prej fillimit, ambicia apo synimi i të gjithëve ka qenë që të kishim një votim konsensual ose nga të gjithë deputetët në parlament sepse kjo do të pasqyronte, në rast se do të shprehem kështu, mbështetjen e madhe të publikut dhe natyrisht që publiku është në të dyja kahet e politikanëve. Por, ne kemi patur diskutime të gjata me shtetet anëtare, në selinë tonë qendrore në Bruksel për cilësinë e reformës dhe cilësia e reformës ishte më e rëndësishme se sa miratimi me konsensus, kështu që, në rast se mund të kishim të njëjtën cilësi reforme me të gjitha votat, e përsosur do të ishte por ama nuk kemi qenë të gatshëm që të mbështesnim një situatë në të cilën kjo do të kompromentohej në çfarëdolloj mënyre, pra nuk ka qenë zonja Mogherini, ka qenë komisioneri Hahn në datën 2 qershor dhe pastaj zonja Mogherini, ka ardhur deklarata e saj direkt nga Brukseli pak ditë më pas, pasi donim të tregonim që të gjithë në Bruksel janë në të njëjtën linjë mendimi. Por kjo sjell edhe një pyetje interesante për atë se sa njerëzit e kuptojnë se sa shumë funksionojnë institucione, sidomos ato të BE, sepse kjo ideja që dikush mund të jetë një aktor individual, thjesht nuk është e mundur. Ka një bashkërendim shumë të madh ndërmjet të gjitha shërbimeve këtu në Tiranë, por po ashtu dhe institucioneve si komisioni, kabineti i zonjës Mogherini, parlamenti europian, shtetet anëtare se duhet të kuptoni që janë shtetet anëtare që kanë qenë në mënyrë absolute të përfshira, mbaj mend ditë që unë shkëmbeja disa qindra mesazhe për të njëjtën gjë, kështu që kjo është një gjë të cilët ndoshta nuk e kuptojnë ose me qëllim e keqinterpretojnë.

E rëndësishme është që qytetarët e Shqipërisë të dinë dhe të kuptojnë që të gjitha gjërat që ka bërë komuniteti ndërkombëtar, ka qenë plotësisht e bashkërenduar, jo vetëm ndërmjet institucioneve të BE por edhe me partnerët tanë në Uashington por edhe këtu në Tiranë.

Po thoni që ajo fushatë mediatike që u krijua për të dhënë idenë se qëndrimet tuaja në Tiranë ishin të ndryshme nga qëndrimet dhe deklarimet e Brukselit ishte krejt e pavërtetë?

Është tërësisht e pavërtetë

I dini autorët e kësaj fushate?

Jo, nuk e di dhe t’ju them të vërtetën, as nuk kam kaluar kohë të merrem me këtë gjë. Unë jam analiste mbi të gjitha dhe para shumë kohe kur filluam këtë gjë, unë e dija që në një moment të caktuar, ata persona të cilët e kanë frikë reformën, nuk e duan reformën, do të përdorin shumë lloj mënyrash dhe së pari dhe mbi të gjitha një pjesë të medias për të punuar kundër reformës dhe unë e kisha informuar Brukselin që do të ketë një përshkallëzim në një moment të caktuar pasi kjo është e logjikshme sepse është një reformë tejet e madhe dhe do të preken shumë interesa dhe është normale që ata do të përpiqen që të luftojnë kundër kësaj. Kështu që unë e shoh këtë si një analiste politike dhe më duhet të them që momenti kur ne e kuptuam që kishte një opozitë e cila ishte në rritje kundër reformës, atëherë unë e kuptova që ne po bënim diçka të mirë.

A mund të themi se korrupsioni do të luftohet, ulet, nuk po them do të zhduket, si rezultat i kësaj reforme në sistemin e drejtësisë?

Në mënyrë absolute që po. Unë mendoj që thjeshtë fakti dhe të kuptuarit e faktit që do të ketë vetting, ose vlerësim, kjo do të jetë edhe një masë parandalimi për shumë njerëz dhe njerëzit do të jenë shumë të kujdesshëm që të mos bëjnë gjëra të cilat më parë ndoshta i kanë bërë. Kështu që duhet të fillojmë që t’i japim fund, të ndalohet kjo kultura e mosndëshkueshmërisë sepse për 25 vjet, njerëzit natyrisht që kanë kërkuar drejtësi dhe natyrisht që veprimet përsa i përket sundimit të ligjit do të shikohen por unë jam e sigurtë që kombinimi i të gjithë elementëve, që do të thotë procedura e vettingut, të pasurit e një zyre prokurorie apo prokurori të pavarur, i cili do të merret vetëm me korrupsionin e nivelit të lartë apo me krimin e organizuar por po ashtu edhe një ndarje e plotë e pushteteve, të gjitha këto sëbashku do ta sjellin Shqipërinë në një pikë të caktuar ku pastaj mund të thuhet se kjo është gjë e mirë dhe ky është një sistem i drejtë, por siç e thashë, kjo do të kërkojë kohë sepse po flasim për një gjë e cila nuk ka funksionuar mirë për shumë kohë dhe do kohë për ta zhbërë dhe për ta bërë siç duhet.

Një marrëveshje e veçantë mes palëve për një kandidat që është përjashtuar nga lista e ONM, mund të ndodhë. Nuk përjashtohet që kur vjen puna tek një person i cili di ta gjejë gjuhën mes të gjitha palëve mund të kalojë me votën e vështirë por jo të pamundur për t’u arritur. Ka se çfarë të bëjnë ekspertët ndërkombëtarë në këtë rast, nëse vënë re që dikush që ata kanë përjashtuar futet me votën e parlamentit?

Jo, por qytetarët shqiptarë, pasi dhe ky është edhe një nga objektivat e kësaj reforme dhe të të gjithë reformave që ne do të bëjmë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE për anëtarësim. Është pjesëmarrja e qytetarëve dhe këtu unë do t’u bëja thirrje, sidomos shoqërisë civile në mënyrë që të krijojë struktura të cilat të luajnë rolin e ëatchdog për këto reforma. Po flasim për një demokraci pjesëmarrëse që ajo të jetë vërtetë pjesëmarrëse.

Zoti Meta, Kryetari i Parlamentit, zyra e tij e shtypit ka njoftuar ndërprerjen e vizitës së tij në SHBA për të adresuar konfuzionin e krijuar në lidhje me urgjencën për ta miratuar vettingun sa më parë të jetë e mundur. Çfarë problemi ka? A po negocion dikush, EURALIUS ndoshta, ekspertët tuaj për të rënë dakord të gjitha palët që ta miratojnë sa më parë, brenda korrikut, apo nuk ka një urgjencë të tillë? A ka konfuzion?

Nuk ka konfuzion. Ajo që ka ndodhur është që Presidenti e ka nënshkruar dekretin dhe në fletoren zyrtare janë publikuar dhe këto amendamente, por duhen 15 ditë për të hyrë në fuqi dhe fatkeqësisht deri sa të përfundojë kjo periudhë 15 ditore, nuk ka procedurë apo mundësi në mënyrë që ligjet të kalojnë.

Edhe nëse palët bien dakord? Pra PS, PD, LSI bien dakord që ta mbledhin seancën e jashtëzakonshme me pëlqimin e Presidentit dhe ta miratojnë. Edhe në këto kushte nuk është e mundur?

Po, edhe në këto kushte nuk është e mundur. Unë personalisht kam biseduar me zotin Meta, kam qenë në kontakt me të dhe e kam pyetur që kur mund të jetë data më e hershme në të cilën mund të thirret parlamenti, pasi është e rëndësishme që ne të ecim përpara dhe mendoj që është data 11 gusht e cila është data e parë kur këto amendamente kushtetuese do të hyjnë në fuqi. Prandaj çdo gjë do të mund të ndodhë pas datës 11 gusht. Është një datë e mirë që Parlamenti të fillojë punën që do të thotë që do të ketë pak më pak pushime për deputetët e kuvendit të Shqiëprisë, por mendoj që Shqiëpria e meriton këtë gjë, qytetarët e Shqipërisë meritojnë që një pjesë të pushimeve deputetët ta kalojnë në kuvend.

A mund të themi se në vjeshtë Shqipëria do ta marrë rekomandimin për hapjen e negociatave?

Është shumë herët për të folur për këtë dhe për ta thënë. Sigurisht që do të varet shumë nga sa serioz dhe sa të përgjegjshëm janë deputetët e parlamentit shqiptar dhe sa shpejtë do të fillojnë ata punën për këto çështje. Është e gjitha në duart e shqiptarëve. E keni parasysh shprehjen që topin e keni ju në anën tuaj.

Do të kërkoni ju konsensus siç ishte rasti i miratimit të ndryshimeve kushtetuese apo 3/5, 84 votat që duhen për miratimin e projektligjeve?

Ne do të shpresonim që vota unanime në parlament që u dha për ndryshimet kushtetuese të çojë në një votim unanim për ligjet që duhen pasi këto ligje janë thjeshtë pasqyrim tashmë i asaj që është votuar në parlament. Por ajo që ne shpresojmë më shumë është puna e përbashkët, puna e përbashëkt në mënyrë konstruktive me synimet më të mira të mundshme, me vullnetet më të mira të mundshme që kjo punë të mbarohet sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Megjithatë, mbrëmjen e 20 korrikut, çfarë menduat, data 21, ora 10, ishte thirrur seanca për ta votuar, menduat që gjithçka përfundoi, do të ishte e pamundur të gjendej sërish konsensusi apo ishit optimiste?

Çfarëdo që të ishte, unë isha e sigurtë që paketa e reformës do të miratohej

Nga ju vinte kjo siguri?

Isha shumë e sigurtë, isha e sigurtë që në Kuvendin e Shqipërisë ka njerëz të përgjegjshëm që do të votonin për reformën. Kjo ishte e qartë por ne thjeshtë po punonim për të gjitha gjërat.

Pati zëra edhe nga aktorë të rëndësishëm politikë se miratimi pa konsensus i reformës mund të sillte destabilitet të situatës në Shqipëri. E kishit ju një shqetësim të tillë si BE?

Jo, ne dhe SHBA nuk e kemi ndarë këtë shqetësim për destabilitet sepse si mundet që një votim për reformën në drejtësi të cilën e kërkon një shumicë kaq dërrmuese e qytetarëve, të sjellë destabilitet? Nuk është e logjikshme. Nuk mendoj se njerëzit do të ishin të inatosur për një gjë e cila do t’u sjellë atyre një jetë më të mirë, kështu që për mua kjo nuk ishte e logjikshme. Nuk mendoj që do të kishte rezultuar në destabilitet, përkundrazi situata, ashtu siç është ajo tani me sundimin e ligjit me këtë sistem drejtësie, nuk është stabël mjaftueshëm sepse përshëmbull skandali i një gjyqtareje që mori 50 mijë euro për një çështje e cila ka të bëjë me pronat.

Në rast se prona mund të sjellë një rryshfet prej 50 mijë euro, mendoni se çfarë mund të sjellin aktivitetet e tjera kriminale, pra ky është destabilitet.

Kur patë 140 votat e gjelbra në ekranin e parlamentit me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, një përqafim i juaji me zotin Lu hapi gazetat, portalet, gati si një britmë, “Ia dolëm”. Ndjeheni pjesë e këtij suksesi për Shqipërinë? Ia dolët ju, ia dolën partitë politike që u përfshinë, ka filluar edhe një betejë se kush do marrë flamurin e fituesit të kësaj beteje, ju ku ndjeheni?

Unë jam e lumtur, jam e kënaqur pasi ne kemi arritur një gjë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Kam qenë mirënjoheëse për partneritetin, për besnikërinë dhe për miqësinë që është dhënë gjatë gjithë kësaj pune. Unë jam punonjëse si ambasadori Lu dhe kjo është puna jonë, kështu që mbi të gjitha jam e lumtur për Shqipërinë, sepse kjo mbi të gjitha hap shanse apo mundësi të reja për Shqipërinë, jo vetëm për integrimin europian, pasi ajo do të dojë kohën, rrugëtimin e vet, por në një farë mënyrë, hapet një shpresë e re për shqiptarët.

Dëshiroj të siguroj të gjithë që sidomos për BE por e di që mund ta them edhe për SHBA, ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, gjithçka që kemi mundësi për zbatimin e kësaj reforme.

Nëse do të shfrytëzoja aftësitë tuaja si analiste, si ish gazetare për të më dhënë një titull të madh, si do ta përshkruanit, momentin e votimit me konsensus të reformës në drejtësi dhe orët e fundit të datës 20 dhe 21. Cilat do të ishin fjalët me të cialt do ta përshkruanit?

Fjala e parë që më shkoi në mendje ishte që “Ia dolëm”. Nuk mund ta imagjinoni se sa shumë punë është bërë për këtë gjë dhe më duhet që të falenderoj të gjithë ekspertët ndërkombëtarë dhe shqiptarë, pasi këta njerëz kanë punuar aq shumë, pra kanë punuar fundjava të tëra për këtë gjë dhe kur krahasohet kjo reformë, dhe kur e krahason këtë me reforma të tjera që do të bëhen, nuk do të kektë ndonjëherë një ndërmarrje kaq të madhe sa kjo. Prandaj fjala e parë që më erdhi në mendje ishte një lehtësim që gjithë ai investim në fund dha rezultate dhe që ne tani mund të fillojmë të luftojmë për zbatimin e reformës. Për mua nuk ka qenë fundi i diçkaje, por fillimi i një pune të vërtetë dhe një beteje të vërtetë për t’u zbatuar kjo reformë dhe prandaj i bëj thirrje edhe njëherë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që si dhuratë t’i lënë pushimet e tyre dhe të kthehen në kuvend dhe të punojnë për këtë paketë në mënyrë që ne të ecim përpara sa më shpejt me zbatimin.

Ndihma financiare është e përllogaritur se sa do të shkojë për reformimin e sistemit të drejtësisë?

Po, në një farë mënyre ne jemi shumë fleksibël ose po përpiqemi të jemi shumë fleksibël në pjesën e planifikimit pasi do të duhet që të përmbushim ato nevoja të cilat mund edhe të dalin papritur, por kemi siguruar tashmë fonde të mjaftushme për fazën e parë të vettingut dhe gjithashtu do të ketë edhe mbështetje buxhetore për sistemin e drejtësisë.

Është diskutuar një faturë financiare e përgjithshme se sa mund të kushtojë fillimi i zbatimit të reformës?

Ne po punojmë ende për buxhetin dhe me ç’mbaj mend, shifra të paktën për fazën fillestare është rreth 10 milionë euro por për momentin ne po përllogarisim edhe pjesën e planifikimit.

Zyra e ngritur tashmë në Bruksel që drejtohet nga gjermani Priebe, me çfarë do të merret, çfarë zyre është, është e posaçme për Shqipërinë, ka ndonjë detyrë specifike?

Nuk ka zyrë në Bruksel që të jetë krijuar dhe të udhëhiqet nga zoti Priebe, është gjë tërësisht tjetër. Është një mekanizëm bashkërendimi i cili përfshin kolegët tanë në selinë qendrore që vjen nga drejtoria e përgjithshme e zgjerimit dhe nga drejtoria e përgjithshme e drejtësisë. Ata kanë ftuar zotin Priebe i cili ka qenë zyrtar, ka dalë në pension i cili ka njohuri shumë të mira për gjithë rajonin dhe procesin e zgjerimit dhe i është kërkuar atij që të ndihmojë për të bërë vettingun në mënyrën e duhur. Ai është edhe jurist, konstitucionalist, është ish- gjyqtar, kështu që sjell me vete njohuritë e veta ligjore por ka përvojë të drejtpërdrejtë me zgjerimin, kështu që në një farë mënyre, ai është ekspert dhe po ndihmon për t’i bërë gjërat.

A keni dijeni për një numër se sa do të jenë ekspertët që do të përfshihen në procesin e vetting? Dhe do të jenë vetëm nga BE?

Për momentin ideja është që do të jenë vetëm me shtetet anëtare të BE, përsa i përket anëtarëve të komisionit të vettingut, por natyrisht do të ketë shumë asistencë nga kolegët tanë amerikanë kur të vijë puna tek disa elementë të tjerë, përshembull që do të provohet e kaluara e personave etj etj. Sipas përllogarive tona, ne themi që do të jenë rreth 7-8 gjyqtarë të nivelit të lartë dhe pastaj një numër i lartë i stafit apo personelit asistues.

Po lexoja projektiligjin për vetting dhe pashë disa pika tek standardet e kontrollit të figurës që m’u dukën relativisht të ashpra dhe nuk e di nëse do të arrijnë të gjejnë konsensus në parlament duke patur parasysh edhe rezervat që ka shprehur opozita. Psh në subjektin e rivlerësimit që mund të jetë një gjyqtar apo prokuror, do të përjashtohet nëse ai është fotografuar apo një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar, ose nëse ka patur një telefonatë. A janë pak të ashpra këto pika të parashikuara në ligj?

Unë mendoj që këto janë standardet në gjyqësorë të tjerë. Është tërësisht e panatyrshme që një gjyqtar apo një prokuror të ketë çfarëdolloj kontakti me njerëz që janë anëtarë të krimit të organizuar sepse këto janë standardet që aplikohen në të gjitha vendet e BE. Kjo është një standard normal tek ne.

Pra, nuk do të pranoni të ketë ndryshime apo lëshime në këto pika? Do të qëndroni fort për t’i ruajtur kështu siç janë?

Në mënyrë absolute që po.

A ekzistojnë lista me emra individësh të cilët ju jeni gati që t’i përfshini? Media ka raportuar që ekzistojnë disa lista që po trajnohen tashmë nga SHBA për t’u bërë prokurorë të ardhshëm të SPAK…

Kam parë disa lista në gazeta dhe do të isha shumë dhe do të isha shumë e kujdesshme për diskutimet e listave sepse nuk ka lista. Ky do të jetë një proces i drejtë, duhet të jetë një proces i drejtë. Në fund të këtoij procesi ne do të duhet që të themi me një nivel të lartë besimi dhe sigurie që kemi këta persona të cilët nuk kanë marrë rryshfete dhe kanë bërë gjëra të cilat janë jo të kundërta me të cilat i pranon ky sistem në të cilin ata punojnë dhe që ne mund të jemi krenarë për ta.

Për t’i dhënë përgjigje një tjetër spekulimi apo informacioni, do doja të ma konfirmonit ju për mandatin tuaj dhe kur përfundon ai, dhe sa do të vazhdoni të qëndroni në krye të kësaj detyre?

Edhe të paktën 2 vjet të tjera.

Ok, sepse pati disa raportime për një ikje në shtator dhe ndaj doja të konfirmohesha që ju do të qëndroni…

Unë do të qëndroj, dhe ambasadori Lu do të qëndrojë, me kënaqësi.

I parashikoni më të vështira muajt që do të vijnë se këto që kaluan?

Nuk do të jetë e lehtë.

Dhe jeni sërish e përgatitur?

Jam totalisht e përgatitur, kjo është puna ime, është përshkrimi i punës që kam.

One comment

  1. Romana.Shqipetaret nuk do ta harrojne kurre ndihmen tuaj te pa kursyere.Sillni NATO ne Tirane.Clirimi i pare 21 korriku.clirimi i dyte eleminimi i kopese te hajduterise te fashizmit te saali berishes dhe te kopese te hajduterise te Ilir metes.

Leave a Reply to shq Cancel reply

%d bloggers like this: