Home / Ekonomia / Ndryshimi i buxhetit, Qeveria: Akti normativ, që të hyjë në fuqi sa më shpejt

Ndryshimi i buxhetit, Qeveria: Akti normativ, që të hyjë në fuqi sa më shpejt

Ministria e Financave sqaron arsyen se, përse qeveria zgjodhi të ndryshojë buxhetin e shtetit me akt normativ, e jo duke ndjekur procedurat normale parlamentare.

“Sepse koha e ndryshimit të buxhetit përkon me axhendën e ngjeshur të Parlamentit. Ne donim që buxheti të ndryshohej sa më parë, për t’i dhënë stimul ekonomisë, për të pasur sa më shumë kohë për kryerjen e shpenzimeve në gjysmën e dytë të vitit”, tha Erjon Luçi, zv.ministër i Financave.

Në buxhetin e rishikuar, të ardhurat totale janë ulur me 4.4 miliardë lekë. Por kjo ulje vjen nga pushteti vendor dhe të ardhurat jotatimore, ndërsa plani i tatimeve dhe doganeve nuk ndryshon.

“Realizimi i të ardhurave këtë vit është në përputhje me planin. Pra, rishikimi nuk është rezultat i performancës fiskale”, tha më tej Luçi.

Ndërsa shpenzimet ulen me 3.1 miliardë lekë krahasuar me planin fillestar.

“Tek shpenzimet, të gjitha janë kursime. Edhe ulja e fondeve të papunësisë është rezultat i uljes së papunësisë, që ka sjellë më pak kërkesa për fonde”, deklaroi Erion Luçi.

Qëllimi kryesor i buxhetit, sipas Ministrisë së Financave ishte rialokimi i investimeve nga projektet me financim të huaj tek ato vendase.

“Katër i kemi çuar nga projektet me realizim të ulët, tek ato që kanë një realizim më të lartë”, u shpreh Luçi.

Qeveria arkëtoi 2.2 miliardë lekë nga shitja e “INSIG”-ut, të cilat shkojnë për investime publike dhe uljen e borxhit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: