Kronika

Fatos Klosi: Ja tre krimet që trembin Berishën nga drejtësia

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, gjatë një interviste, thotë se Sali Berisha ka shumë gjëra për t’u trembur nga Reforma në Drejtësi. Klosi pohon se ndonëse Berisha është treguar i kujdesshëm, duke shmangur përgjegjësinë individuale dhe duke u fshehur pas vendimeve kolegjiale, ai duhet të jetë subjekt i drejtësisë së re.  Klosi përmend tre ngjarje të rënda, të cilat sipas tij, e veshin me përgjegjësi Sali Berishën, duke iu referua 21 Janarit, Gërdecit dhe Rrugës së Kombit. I pyetur për koalicionin qeverisës, Klosi thotë se nuk sheh asnjë arsye që koalicioni të prishet. Madje, ai fton Ramën dhe Metën për një rikonfirmim të aleancën në 2017, për të garantuar një mandat të dytë qeverisës.  Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror konfirmon depërtimin e terroristëve në Shqipëri, identifikimin dhe largimin e tyre, por shton se nuk ka pasur asnjë informacion për një atentat të mundshëm ndaj ambasadës amerikane në Tiranë. Sipas tij, terroristët kishin ardhur në Shqipëri jo për të vepruar, por për t’u strehuar përkohësisht.

-Z. Klosi, ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia pretendon se në vjeshtën e vitit 1998, është gjendur në një kamion me eksploziv, i cili do të hidhte në erë ambasadën amerikane në Tiranë. Sipas tij, atentati, i cili mund të jetë përgatitur edhe nga terroristë të lidhur me Osama Bin Laden, u pengua nga vrasja e Azem Hajdarit. A keni ju dijeni për një skenar të tillë? A ka pasur informacione SHISH asokohe? 

Jo, absolutisht, nuk kemi pasur informacion. Ai tani do që të bëhet protagonist. Unë nuk po them se nuk është e vërtetë. Por, ne nuk kemi pasur informacion të tillë. Nuk ishte kollaj për t’i bërë atentat ambasadës amerikane në Shqipëri. Ata zgjodhën për të bërë atentat në Kenia dhe në vende të tjera, por në Shqipëri ishte praktikisht e pamundur. Në atë kohë, ata ishin në qendër të vëmendjes tonë, ishin nën vëzhgim të vazhdueshëm.

-Për skenarin flet edhe agjenti i shërbimit sekret francez, DSG, Gerard De Villers, në librin me titullin, Shqipëria Misioni i Pamundur. A e njihni këtë person z. Klosi? A e keni takuar dhe shoqëruar ndonjëherë? 

Vizita në Shërbimin Informativ kanë bërë plot. Kanë ardhur gjermanë, anglezë dhe francezë, të cilët ishin më të interesuar. Por, këtë personazhin nuk e mbaj mend. Ai është një libër xhepi. Atë e mbajnë për shkrimtar. Ai është shkrimtar. Është një njeri, i cili bredh nëpër të gjithë vendet e nxehta. Pyet dhe pastaj shkruan libra të lehtë, libra xhepi, të cilët merren dhe lexohen nëpër trena dhe tragete. Nuk është një libër për t’iu referuar. Ka romane me një bazë të vërtetë dhe më pas fantazon, që të bëhet tërheqës për lexuesin. 

Z. Klosi, a kanë depërtuar në Shqipëri elementë dhe celula terroriste të lidhura me Osama Bin Laden? Cili ishte misioni i tyre? 

Nuk ishin celula. Ishin njerëz që fshiheshin në Shqipëri. Ishin njerëz të rrezikshëm që kërkoheshin ndërkombëtarisht dhe kishin ardhur në Shqipëri, duke e konsideruar vendin tonë një vend të kollajshëm për t’u fshehur dhe në fakt ashtu ishte. Ata punonin në këta organizatat bamirëse dhe nuk të shkonte mendja që njerëzit e organizatave bamirëse ishin terroristë. Pra, e kishin zgjedhur me kujdes pozicionin e tyre në Shqipëri.

-Si ratë në gjurmët e tyre?

Për identifikimin e tyre ne na ndihmuan shërbimet partnere, amerikanët dhe sidomos francezët, pasi ata ishin më të interesuarit, pasi ishin në luftë frontale kundra tyre. Puna jonë ishte se ku mund të ishin fshehur. Meqë pati hyrje të madhe për të ndërtuar xhami, shkolla dhe mes tyre kishin ardhur edhe elementë që kërkoheshin në gjithë botën. Ata nuk kishin asnjë plan për në Shqipëri. Ata donin të rrinin sa më urtë, pasi kishin ardhur për t’u fshehur dhe jo për të vepruar. E quanin Shqipërinë një vend komod për t’u fshehur për ca kohë. Ishin pjesëtarë të organizatave shumë të sofistikuara.

-Të ndalemi tek aktualiteti politik. Pas 18 muajsh, falë investimit dhe presionit të pazakontë të SHBA-BE, Parlamenti Shqiptar miratoi projektin kushtetues. Cilat janë pritshmëritë tuaja për zbatimin e Reformës në Drejtësi?

Si të gjithë shqiptarët edhe unë pres shumë. Por, miratimi i ndryshimeve kushtetuese ishte vetëm hapi i parë, i cili u bë me shumë sforco dhe me presionin e faktorit ndërkombëtar. Tani Kushtetuta nuk na ndalon për të bërë reformën. Reforma akoma nuk ka filluar, thjeshtë janë hequr pengesat kushtetuese. Tani duhen miratuar ligjet që të hyjmë në gjëra konkrete. Natyrisht me ligjet do të ketë probleme. Ky është një proces i gjatë dhe i vështirë. Duhet të gjenden njerëzit e përshtatshëm për të bërë që reforma të funksionojë.

-A shihni ndonjë përpjekje për të penguar zbatimin e reformës, duke iu referuar 10 rezervave të opozitës për ligjin e Vetingut? 

Opozita nxjerr kushte gjithmonë. Loja politike e saj kjo është. Reforma është mjet i luftës politike për opozitën. Nëse është ashtu siç thuhet, që drejtësia do të merret edhe me të shkuarën, Sali Berisha ka shumë gjëra për t’u trembur. Berisha ka qenë i mençur, pasi ka tentuar të evitojë përgjegjësinë personale, por edhe vendimet kolektive, kur janë qartazi akte korruptive, drejtësia duhet t’i rishikojë. Por, nëse u referohemi gjëmave të Berishës, 21 Janari është një ngjarje shumë e fortë që e vesh Berishën me përgjegjësi. Rruga e Kombit dhe Gërdeci, po ashtu. Rruga e Kombit është një aferë, e cila akoma ka mbetur pezull, akoma nuk ka mbaruar, akoma diskutohen shumë para për të. Edhe koncesioni do të harxhojë paratë e shqiptarëve. Pse? Sepse askush nuk e merr përsipër atë rrugë, sepse nuk pati një studim për aspektin ekonomik të saj. Menduan për të bërë tenderat dhe për të fituar, të tjerat ishin broçkulla. Edhe Gërdeci është shumë i rëndë. Ka kaluar shumë thjeshtë. Gërdeci lidhet edhe me çështjen Trebicka. Pra, nëse do të vendoset vërtetë drejtësi, nuk e di nëse do të jetë, por unë them se Berisha duhet të jetë subjekt i drejtësisë së re.

-Si e shikonin të ardhmen e koalicionin Rama-Meta? 

Unë i mëshoj idesë që koalicioni duhet të jetë solid. Aq më shumë që tani po vjen fundi i mandatit. Nuk besoj se koalicioni prishet. Unë dëgjova Metën dhe më duket sikur ai u vuri kapat të gjitha thashethemeve që qarkullonin për koalicionin. Meta tregoi se kush ishte ideja e tij për një qeveri teknike, e cila kishte qenë për t’i dhënë garanci opozitës, se mazhoranca nuk do ta shfrytëzojë Reformën në Drejtësi. Ideja ishte shumë e thjeshtë: Nëse mendon i se ne do të shfrytëzojmë reformën për të kapur drejtësinë, hajde të bëjmë reformën dhe bëjmë zgjedhje, dhe ta kapë drejtësinë ai që fiton. Ndërkohë Basha ka tjetër ide. Meta m’u duke shumë i prerë dhe i qartë. Dhe e besoj se, duke e vënë veten në rolin e tij, duke parë interesat e tij, nuk shoh asnjë arsye që të prishet ky koalicion. Unë uroj që të jenë në një koalicion edhe në 2017, megjithatë, ata e dinë më mirë.

Related Articles

Comente

  1. Fatos Klosi.Shqipetaret nuk mendojne se do vihen para drejtesise kopeja e hajduterise e krimineleve te Sali Berisha.SHBA BE duhet te dergoje NATO urgjentisht ne Tirane dhe te eleminohen plehrat e hajduterise ne shtet parlament drejtesi.Kjo do jete clirimi I vertete I shqipetareve.

  2. Fatos Klosi.E keqia shqipetareve u ka ardhur nga plehrat shqipetare ne Tirane,ne Prishtine,ne shkup dhe ne Ulqin.Nuk eshte rastesi qe kudo te njejtat fatekeqesi.Shpresa eshte vetem SHBA dhe BE.NATO mund tai pastroje kriminelet dhe hajdutet e Sali Berishes.Parlamenti nuk ka fuqi intelektuale per ta shpetuar popullin shqipetar.Intelektualet e vertete ne kombin shqipetar duhet te mblidhen ne Tirane dhe te shpetoje popullin nga plehrat shqipetare.Tu besohet te rinjeve kjo agende per te shpetuar popullin shqipetar.Per fatin e mire shqipetaret kane ndihmen e pa pare ne histori nga SHBA dhe BE.Ka shume te rinj qe jane edukuar dhe jetojne ne perendim te cilet do te dine te ndertojne nje shtet gjithe shqipetar pasi te jene pastruar plehrat shqipetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button