Home / Politika / Koço Kokëdhima: Dënoj ngjarjen. Cane, jo sekretari im, atë ma rekomanduan

Koço Kokëdhima: Dënoj ngjarjen. Cane, jo sekretari im, atë ma rekomanduan

kokedhimaDeputeti i PS-së, Koço Kokëdhima, distancohet nga ngjarja e të ashtuquajturit sekretar të zyrës së tij elektorale në Sarandë. Nëpërmjet një reagimi zyrtar, Kokëdhima shprehet se Agron Cane ka qenë aktivist i angazhuar për disa muaj, por jo sekretar për zyrën e punësimit. “Veprimi i shëmtuar dhe implikimi i Agron Canes në këtë ndodhi të ulët dhe të rëndë është thellësisht i dënueshëm. Ne distancohemi kategorikisht nga veprime dhe sjellje të tilla perverse e të sëmura. Njëkohësisht dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e publikut për të mos rënë pre e spekulimeve politike e mediatike rreth kësaj ngjarjeje. Sqarojmë se Agron Cane nuk ka qenë asnjëherë sekretar për punësimet dhe as mëkëmbës i deputetit në Sarandë. Ai ka qenë një nga disa aktivistët e zyrës sonë, i caktuar me detyrën të dëgjojë ankesat dhe kërkesat e qytetarëve të zonës. Ai nuk ka pasur asnjë kompetencë dhe nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë në ndonjë proces punësimi me vullnetin dhe vendimmarrjen e tij. Detyra e tij ishte të regjistronte kërkesat dhe ankesat e qytetarëve, të plotësonte dokumentacionin e nevojshëm e mbështetës dhe t’ia përcillte këto zyrës qendrore të deputetit në Tiranë”, thuhet në reagimin e Kokëdhimës. Më pas, deputeti i zonës së Sarandës, sqaron dhe rastin e shtetas E.G., e cila ka denoncuar një akt të tillë në polici. “Denoncuesja e ngjarjes E.G., në fillim të këtij viti, ka kërkuar ndihmë pranë zyrës sonë për punësim dhe zyra jonë ka ndërmjetësuar punësimin e saj pranë kompanisë private të biznesmenit Kostaq Lapa në Sarandë. Ajo ka punuar atje gati gjashtë muaj, deri para një muaji, kur është pushuar nga kompania në fjalë”, sqaron Kokëdhima. Ndërsa sa i përket Canes, deputeti socialist shprehet se për ta pranuar në zyrën e deputetit për zonën e elektorale të Sarandës, ia kanë rekomanduar dhe nuk e ka zgjedhur vetë. “Vetë Agron Cane është familjar, 61 vjeç, me arsim të lartë dhe me karrierë të spikatur në ushtri, ka qenë komandant brigade. Në qytetin tonë është i njohur si një person serioz. Deri në momentin që Agron Cane u rekrutua ndër aktivistët e zyrës sonë, ai nuk ka qenë i njohur personalisht nga deputeti Kokëdhima, por është rekomanduar nga drejtuesit më të lartë lokalë në Sarandë. Agron Cane kurrë nuk është dyshuar dhe nuk është konstatuar përpara kësaj ngjarjeje të ketë manifestuar sjellje të tilla të turpshme të një personaliteti të dyfishtë. Gjatë muajve që Agron Cane ka qenë i angazhuar pranë zyrës sonë, nuk na rezulton të ketë pasur as edhe një ankesë nga qytetarët për ndonjë sjellje negative të tij. Për më tepër, informojmë se Agron Cane është dorëhequr nga angazhimet pranë zyrës sonë, për arsye personale, në mes të korrikut 2014. Nga data 15 korrik e këtej, ai ka qenë në zyrë në mënyrë sporadike për efekt të dorëzimit të detyrës dhe dokumentacionit. Ai ka qenë aktiv dhe i përfshirë në disa aktivitete e takime të zyrës sonë në zonë gjatë muajit të fundit”, thuhet në reagimin zyrtar. Më tej theksohet se zyra e deputetit socialist shprehet se do të bëjë gjithçka për ta zbardhur këtë ngjarje. “Ne shprehim keqardhjen tonë të thellë për çdo të lënduar padrejtësisht, drejtpërdrejt ose indirekt nga kjo ngjarje e këto veprime. Duam gjithashtu të sigurojmë publikun se kjo ngjarje e rëndë nuk ka të bëjë aspak me të vërtetën e punës së jashtëzakonshme që bëhet nga deputeti Kokëdhima dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij të shumtë në Sarandë, për t’u shërbyer qytetarëve me vendosmëri e ndershmëri”, përfundon reagimi zyrtar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: