Home / Bota / Amerika / Komentet për armë, Trump “alarmon” shërbimin sekret

Komentet për armë, Trump “alarmon” shërbimin sekret

Zyrtarë të shërbimeve sekrete amerikane konfirmuan për televizionin CNN se kanë folur me Donald Trump për komentet që ai bëri për amendamentin e dytë.

CNN shkruan se agjencia që mbron presidentin dhe kandidatët për president ka zhvilluar disa biseda me përfaqësues të fushatës së Trump, por nuk është e qartë se në çfarë niveli hierarkik janë bërë këto. Interesi i shërbimeve sekrete u zgjua pas komenteve të Trump për amendamentin e dytë të Kushtetutës që i garanton amerikanëve të drejtën për të mbatjur armë.

Gjatë një mitingu elektoral, Trump tha se Hillary Clinton kërkon të anulojë amendamentin e dytë dhe për këtë arsye, njerëzit që duan armët duhet të bëjnë diçka. Fjalët e tij lanë hapësirë për shumë intepretim dhe mjaft njerëz reaguan me zemërim duke menduar se ai nxiti mbështetësit e tij që të vrasin Hillary Clinton. Ndërkohë, për CNN, shërbimi sekret konfirmoi se nga fushata e Trump mori garanci se fjalët e tij kishin si qëllim të nxisnin njerëzit të votonin dhe jo për dhunë.

Nuk është aspak e këtij mendimi ish-Zonja e Parë, e cila tha se ishte nxitje e pastër për dhunë kur Trump i kërkoi aktivistëve për armët që të mos e lejonin të fitonte. Gjatë një mitingu, Clinton tha se fjalët mund të kenë pasoja shumë të mëdha. Duke përmendur edhe komente të tjera kontradiktore të Trump si debati me familjen e ushtarit të vrarë, apo sugjerimi se më shumë vende duhet të këne armë bërthamore, Clinton tha se kjo tregon që miliarderi njujorkez nuk ka temperamentin për të qenë president dhe kryekomandant i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.