Home / Bota / Alarm në Afganistan, talebanët përparojnë bindshëm

Alarm në Afganistan, talebanët përparojnë bindshëm

Talebanët po i afrohen rrezikshëm qytetit Lashkar Gah, kryeqyteti i provincës Helmand pas sukseseve të njëpasnjëshme që kanë shënuar javët e fundit. Pavarësisht shtimit drastik të sulmeve ajrore amerikane, militantët kanë marrë territore vetëm disa kilometra larg qytetit.

Për shkak të situatës së rënduar, ushtria afgane dërgoi me shpejtësi shumë përforcime në Helmand në përpjekje për të ndaluar avancimin taleban, megjithëse pak javë më parë as që pranonte që kishte një krizë atje. Paaftësia e forcave afgane për të siguruar provincën ku u disklokuan dhe u vranë më shumë forca ndërkombëtare, ngre shqetësim për zotësinë e tyre dhe efektshmërinë e trajnimit nga ndërkombëtarët.

Policia lokale në Helmand thotë se situata është më e rëndë se kurrë, ndërsa raportohet me mijëra familje kanë braktisur shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar luftimeve. Policia afgane tha se talebanët po përdorin një taktikë të re që rezulton mjaft e suksesshme. Ata dërgojnë në ofensivë një forcë elitë komando të përbërë nga disa qindra luftarë të armatosur shumë mirë dhe është e qartë se policia, por as ushtria afgane, nuk kanë mundur t’i ndalin.

Provinca e Helmandit ka një rëndësi të madhe strategjike dhe simbolike dhe nëse talebanët arrijnë që ta vendosin nën kontroll, kjo do të ishte propaganda më e mirë për fuqinë e tyre. Forcat amerikane në Helmand dhe ushtria afgane thonë se kryeqyteti i provincës Lashkar Gah është ende në duart e tyre, por është e qartë se nëse nuk marrin masa, nuk do të vazhdojë gjatë kështu.

Leave a Reply

Your email address will not be published.