Home / Bota / Amerika / Zgjedhjet në SHBA, Clinton publikon tatimin mbi të ardhurat. Presion Trumpit ta “kopjojë”

Zgjedhjet në SHBA, Clinton publikon tatimin mbi të ardhurat. Presion Trumpit ta “kopjojë”

Hillary Clinton bëri publik këtë të premte raportin e tatim-taksave mbi të ardhurat e saj, duke ushtruar kështu më shumë presion ndaj rivalit të saj republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, në mënyrë që edhe ky të bëjë të njëjtën gjë.

Kandidatja demokrate për Presidente të Shteteve të Bashkuara, në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit, pagoi rreth 34.2 për qind tatim federal mbi të ardhurat e saj gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë që, kandidati për zëvendëspresident Tim Kaine, së bashku me bashkëshorten e tij Anne Holton, paguan rreth 20.3 për qind tatim mbi të ardhurat, siç tregojnë deklaratat e të ardhurave dhe tatimeve.

Siç është bërë e zakonshme, kandidatët presidencialë në SHBA publikojnë të ardhurat dhe tatimet e paguara, për të parë normat e kthimit, donacionet për bamirësi, si dhe detaje të tjera financiare.

Trump, një manjat pasurish të paluajtshme me një pasuri të përllogaritur në disa miliardë dollarë, ka refuzuar ta bëjë publike deklaratën e të ardhurave. Kandidati republikan, në vend të kësaj, publikoi një format vetëraportimi financiar, duke argumentuar se nuk do ta bëjë publik raportin zyrtar derisa Shërbimi i Të ardhurave të Brendshme të përfundojë auditin e pasurisë së tij. Por ky shërbim, nga ana e tij ka deklaruar se Trump nuk ka asnjë pengesë për ta bërë këtë gjë.

Trump do të futej në histori si i pari kandidat presidencial në dekada të tëra, që nuk publikon tatimin mbi të ardhurat e tij. Shumë kohë më parë, ishte Presidenti Richard Nixon, ai që publikoi raportin zyrtar të tatimit mbi fitimin në vitin 1973, duke nisur kështu një precedent jozyrtar por që është respektuar nga të gjithë pasardhësit e tij.

“Hillary Clinton dhe Tim Kaine vazhdojnë të respektojnë standardin për transparencë financiare”, tha një zëdhënëse e fushatës së Clintonit, e cila bëri thirrje ndaj rivalit të saj Trump për ta bërë diçka të tillë. Familja Clinton i ka publikuar deklaratat në mënyrë të përvitshme që prej vitit 1977.

Leave a Reply

Your email address will not be published.