Amerika

Akuzat ndaj Obamës, Pence: Trump flet seriozisht

Guvernatori i Indianës, Mike Pence tha se Donald Trump foli seriozisht kur akuzoi presidentin amerikan Barack Obama se është themeluesi i Shtetit Islamik.

Në një intervistë për “FOX News”, kandidati i Trump për zëvendëspresident sqaroi dyshimet nëse Trumpi po fliste me sarkazëm apo seriozisht, ndërsa shtoi se kjo është mënyra e miliarderit për të tërhequr vëmendjen e publikut.

“Unë mendoj se Trumpi foli shumë seriozisht. Ai tha se nuk ka dyshim që politikat e dështuara të presidentit Barak Obama dhe të Sekretares së atëhershme të Shtetit, Hillary Clinton në Lindjen e Mesme, krijuan një vakuum në Irak ku u ngrit Shteti Islamik”, deklaroi Pence.

Sipas Guvernatorit të Indianës, biznesmeni po tërhiqte vëmendjen në një çështje shumë të rëndësishme që nuk mund të anashkalohet. Gjatë javës, Trump sulmoi disa herë Obamën dhe Clintonin duke i fajësuar për themelimin e Shtetit Islamik, megjithëse kandidati republikan herë i cilësonte fjalët e tij si ironi dhe herë jo.

Sipas Pence, Donald Trump fitoi një garë shumë të vështirë brenda partisë sepse nuk flet si politikan, por si një amerikan i thjeshtë: “Amerikanët do të kenë një president që thotë atë që ka në mendje dhe do ta dëgjojnë atë fare qartë e pa keqkuptime. Është pikërisht kjo që i duhet kombit”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button