Home / Politika / Nuk zgjidhet Këshilli i Emërimeve; përfundon afati i Presidentit

Nuk zgjidhet Këshilli i Emërimeve; përfundon afati i Presidentit

Ashtu siç pritej dhe siç ishte paralajmëruar, Presidenti i Republikës në ditën e fundit të afatit kushtetues për përzgjedhjen me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka bërë të ditur se e ka të pamundur ta zhvillojë këtë proces për shkak të kontradiktave që ka vetë Kushtetuta e ndryshuar më 21 korrik.

“Duke marrë në konsideratë që Këshilli e Emërimeve në Drejtësi është një nga organet më të rëndësishme në hierarkinë e organeve të pavarura në drejtësi, Kushtetuta ka pasur si qëllim që të përzgjidhen kandidatët me cilësitë më të larta dhe për të respektuar parimin e kushtetutshmërisë funksionale, çmoj se në mungesë të kritereve të tjera që do të përcaktohen me Ligj, Presidenti i Republikës e ka të pamundur të organizojë shortin dhe aq më tepër të përzgjedhë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në mungesë të ligjeve që përcakton kriteret e tjera të kualifikimit të kandidatëve për t’u zgjedhur në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi apo edhe të ligjit të organizimit dhe funksionimit të organeve që do të bëjnë rivlerësimin e anëtarëve të përzgjedhur me short, ky short do të ishte joefektiv dhe nuk do t’i shërbente aspak qëllimit për të cilin u bënë edhe ndryshimet kushtetuese”, thotë Presidenti.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, Presidenti vlerëson se nuk mund të ushtrojë të drejtën e përzgjedhjes me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, përsa kohë mungon ligji i posaçëm që përcakton kriteret e tjera për kualifikimin e kandidatëve që do t’i nënshtrohen shortit.

Afatet e vendosura nuk mund të respektohen, thotë Presidenti dhe çmon se dispozitat përkatëse të Kushtetutës duhet të rishihen, referuar edhe ligjeve të tjera referuese që do të miratohen.

Leave a Reply

%d bloggers like this: