Politika

Ligji i SPAK rrezikon të cënojë pavarësinë e medias

Një pikë e re në ligjin për Strukturën e Posacme Anti Korrupsion, e shtuar nga ekspertët e Euralius dhe Opdat, rrezikon që me formulimin e përgjithshëm të shtyjë mediat drejt autocensurës. Kjo pjesë e draftit, që pritet të diskutohet në Komisionin e Reformës, synon të mbrojë prokurorët nga “influencat e papërshtatshme”, por nuk specifikon cfarë mund të konsiderohet si e tillë.
Ligji për Strukturën e Posacme Anti Korrupsion që do të hetojë zyrtarët e lartë të shtetit ka pësuar disa ndryshime të fundit nga ana e ekspertëve të Euralius dhe Opdat që po merren me reformën në Drejtësi. Në një pjesë të draftit që doli në media para se t’u dorëzohej deputetëve të Komisionit të Posacëm Parlamentar të kësaj reforme, bie në sy një pikë e re e shtuar në Nenin 16 të ligjit për SPAK, strukturë kjo pjesë e së cilës është edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Në këtë pikë thuhet se “cdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posacëm apo aktivitetin e tyre mbi cështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo cdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, ndalohet dhe dënohet me ligj”.
Ky formulim nuk përmend konkretisht dënimet por mësohet se drafti i referohet Kodit Penal, përkatësisht Nenit 245/1, i titulluar “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Kjo vepër penale dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në 3 vjet dhe me gjobë nga 300 mijë deri në 1 milion lekë.
Nuk dihet nëse pika 3 nenit 16 të ligjit për SPAK do t’i mbijetojë diskutimit në komisionit parlamentar të Reformës në Drejtësi. Ajo që duket qartë është se me formulimin aktual që rezulton shumë i përgjithshëm, kjo pjesë e ligjit rrezikon të krijojë jo pak probleme. Me këtë përmbajtje duket e pamundur të kuptohet saktë cfarë mund të cilësohet si influencë e papërshtatshme ndaj prokurorëve, duke lënë kështu vend për interpretime abuzive. Drafti përmend specifikisht edhe mediat, gjë që në kushtet e këtij formulimi mjaft të përgjithshëm, rrezikon të çojë drejt autocensurës në vend që të incentivohet informimi i publikut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button