Home / Ekonomia / Ku do i gjejë qeveria investimet e huaja; vetëm nga Bankers 67 mln USD më pak në 6 muaj

Ku do i gjejë qeveria investimet e huaja; vetëm nga Bankers 67 mln USD më pak në 6 muaj

Teksa Investimet e huaja direkte shënuan një rënie të fortë prej 42% në tremujorin e parë të këtij viti, edhe tremujori i dytë dhe i gjithë 6 mujori nuk premton të jetë i mbarë. Bankers Petroleum, investitori më i madh i huaj në vend ka deklaruar se shpenzimet kapitale në 6 muajt e parë të vitit ishin 20 milionë dollarë, nga 87.5 milionë dollarë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sidomos në tremujorin e dytë, Bankers ka investuar vetëm 7.3 milionë dollarë, nga 37.5 milionë dollarë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kompania njoftoi se nuk shpoi asnjë pus të ri gjatë këtij tremujori.

Dy vitet e fundit (2014-2015), investimet në hidrokarbure (kryesisht Bankers) përbënin rreth 40% të totalit të investimeve të huaja.  Për krahasim, në janar-qershor 2014, investimet kapitale të Bankers ishin 132 milionë dollarë, apo mëse 6 herë më të larta se në të njëjtën periudhë 2016.

Frenimi i Bankers pritet të lërë  zbuluar një pjesë të rëndësishme të investimeve të huaja dhe të zbehë shpresat e qeverisë për një hyrje të kapitalit në vend, teksa sipërmarrjet e reja të mëdha me kapital të huaj po mungojnë. Vërtet vitin e kaluar u hapën 694 sipërmarrje të reja me pronarë të huaj, por sipas INSTAT, 507 kishin më pak se 4 punonjës, apo 73% e tyre, duke qenë kryesisht biznese të vogla që nuk sjellin investime të mëdha. Vetëm 43 sipërmarrje të reja të huaja që kanë mbi 50 punonjës janë hapur vitin e kaluar. Pjesa më e madhe e ndërmarrje të huaja janë italiane, kryesisht call center, që duan një kapital minimal për t’u hapur.

Taksat më të larta në rajon, mungesa e incentivave (Serbia psh ndonëse ka taksa të krahasueshme me ne ofron subvencione për investitorët), klima e rënduar e investitorëve aktuale, që po thuhet hapur nga gjithë dhomat e huaja, janë disa nga arsyet që po mbajnë larg investitorët e huaj.

Investimet e huaja ishin 152 milionë euro në tremujorin e parë, nga 261 milionë euro në janar-mars 2015 dhe 222 milionë euro në tremujorin e parë 2014, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Shtesa e kapitalit të bankave, një tjetër element që nxiti investimet në 2015-n, ishte gati 50% më e ulët në gjashtëmujorin e parë 2016, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të pasiveve të sistemit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë (8 miliardë lekë, nga 15.3 mld lekë që ishte shtesa në janar-qershor 2015). Licenca celulare, që i dhanë hov investimeve të huaja në gjysmën e parë të 2015-s, nuk janë dhënë në muajt e parë të këtij viti.

Shpresa e vetme për qeverinë mbeten dy investimet e mëdha strategjike për momentin, gazsjellësi TAP dhe HEC-i i Devollit.

Të dhënat e investimeve të huaja për tremujorin e dytë pritet të publikohen në shtator nga Banka e Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.