Home / Parlamentare / Meta: Konsensusi dhe monitorimi ndërkombëtar, shtyllat e reformës në drejtësi

Meta: Konsensusi dhe monitorimi ndërkombëtar, shtyllat e reformës në drejtësi

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta foli për mbledhjen e Komisionit të Reformës në Drejtësi që po zhvillohet aktualisht, duke nënvizuar se “konsensusi mes palëve dhe monitorimi ndërkombëtar janë shtyllat e reformës në drejtësi”.

“Sot po jepen opinionet e EURALIUS-it lidhur me pretendimet e opozitës për ligjin e “vetting”-ut. Shpresojmë të vazhdojmë në mënyrë konstruktive. Vazhdon puna për dy ligjet e tjera për të cilat kemi rënë dakord që të diskutohet brenda muajit 30 gusht (qeverisja gjyqësore dhe prokuroria speciale). Ftoj përfaqësuesit e opozitës që të përqendrohen edhe në këto dy ligje”, u shpreh Meta para gazetarëve.

Kreu i LSI-së shtoi se “kritikat e PD-së janë pozitive, pasi kjo gjë tregon se kanë studiuar dhe janë thelluar”.

“Shpresoj që opozita të ndihmojë në përmirësimin dhe pasurimin e ligjit të “vetting”-ut. Nuk ka arsye pse të mos gjejmë konsensus. LSI-ja është për vazhdimin e linjës së konsensusit dhe për ne është e rëndësishme të shohim vlerësimet e ndërkombëtarëve”, tha Meta.

Në lidhje me shortin e pahedhur nga Presidenti Nishani për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Meta deklaroi: “Mendoj se Presidenti ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme. Tani duhet të plotësojmë ne si Kuvend kuadrin ligjor në mënyrë që ta ushtrojë edhe Presidenti detyrën e tij. Shpresojmë që vakuumi ligjor të përmbushet shumë shpejt”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: