Kronika

Papa Françesku-gazetarëve: Ja pse do të shkoj në Shqipëri

papa-2Për herë të parë Papa Françesku tregon arsyet se pse zgjodhi të vizitojë Shqipërinë.

I pyetur nga gazetarët gjatë fluturimit të kthimit nga Koreja e Jugut, Papa ka vlerësuar harmoninë fetare në Shqipëri.

“Shkoj në Shqipëri për dy arsye të rëndësishme. E para sepse kanë arritur të krijojnë një shtet dhe të mendojnë për Ballkanin, unitetin kombëtar mes islamit, ortodoksëve, katolikëve me një këshill ndërfetar që ndihmon shumë në ekuilibrim. Kjo është gjë shumë e mire, sepse ka harmoni. Dhe prezenca e Papës është për t’i thënë të gjithë popujve se mund të punohet bashkë dhe unë e kam ndjerë si të ishte një ndihmë për atë popull fisnik”, ka thënë Papa Françesku.

Udhëtimi apostolik i Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku, që do të zhvillohet në Tiranë në datën 21 Shtator, parashikon një axhendë të ngjeshur, që do të zgjasë plot 11 orë në vendin tonë. Në orën 07:30, Papa Françesku fluturon nga Aeroporti i Fiumicino-s drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Tiranë, ku do të zhvillohet një pritje zyrtare nga Kryeministri i vendit, Edi Rama. Më pas, Papa udhëton drejt Presidencës, ku do të zhvillojë një takim me Presidentin dhe autoritete të tjera të vendit.

Në orën 11:00, në sheshin “Nënë Tereza”, Papa Françesku do të mbajë meshën e shenjtë para mijëra besimtarëve, që priten të mblidhen atë ditë. Ndryshe nga vizita të tjera, ku Papa është parë të udhëtojë me makinën e tij të bardhë, këtë radhë bëhet me dije se, në vizitën e tij në kryeqytetin shqiptar, Papa do të lëvizë me një makinë të thjeshtë dhe të hapur, e vënë në dispozicion nga autoritetet vendase. Në orën 13 e 30 është planifikuar takim dhe drekë me Ipeshkvijtë shqiptarë në Nunciaturën Apostolike, e më pas takim me krerët e besimeve të tjera.

Ora 17:00 shënon kremtimin e lutjes së mbrëmësores me meshtarët, seminaristët dhe lëvizjet laike në Katedralen e Tiranës. Në orën 19:45, në Aeroportin “Nënë Tereza” do të zhvillohet një ceremoni për largimin e Papës, çka përmbyll vizitën e tij në shtetin shqiptar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button