Te ndryshme

Príncipe, sot një parajsë, dikur një ferr

Reportazh

Në ishullin Príncipe përmbushet klisheja europiane për kontinentin afrikan si një pikënisje e racës njerëzore. Gjatë epokës koloniale ai njihej si vend i syrgjynosjes, apo edhe si “varreza e europianëve”

Sao-tome-e-principe2Strehëza e milingonave mund të zhvendoset lehtësisht me një lëvizje dore. Kostum banjoje dhe syze zhytjeje shihen në një distancë që ta zë edhe dora. Sapo hapet dera, ajri vërshon brenda. Drita depërton nëpër gjethet e palmave; është dielli, e kush tjetër?!

Katër shkallët që të çojnë teposhtë mund t’i perceptosh si një trampolinë, e pastaj të ndajnë vetëm dhjetë metra për t’u hedhur në oqean. Pesha e rëndë e gjumit të rri akoma mbi shpatulla, zhytesh në ujin e njelmët e futesh thellë në një botë tjetër. Mos e gjitha kjo është vetëm një ëndërr?

Vetëm më vonë, pasi ke ecur përgjatë kasolleve të resortit “Boom-Boom”, e ke kaluar mbi urën njëqindmetërshe të drunjtë mbi ujë, ku haset sërish një copë tokë, e aty merr racionin tënd të mëngjesit, atëherë e sheh me të vërtetë se: ky vend është një ëndërr, s’ka diskutim.

Ashtu e vetmuar, Príncipe shtrihet në Gjirin e Guinesë, si një kokërr rëre në hartë, rreth 200 kilometra para brigjeve të Afrikës Perëndimore. Bashkë me më të madhin, São Tomé, kjo ujdhesë formon shtetin e dytë më të vogël në botë, që ndodhet pikërisht në mes të Ekuatorit dhe Meridianit Zero.

Këtu përmbushet klisheja europiane për kontinentin afrikan si një strehë e paraardhësve tanë humanë, ku njerëzit lëvizin me zhdërvjelltësi gjatë ditës, e që kanë gjithnjë një sy e vesh për njëri-tjetrin; të bindur nga siguria se janë pjesë e një të tëre. Kush vjen të gjejë qetësinë këtu, i jep udhë të gjitha shpresave.

Sharmi ledhatues i së shkuarës

Sao-tome-e-principe6Një shëtitje nëpër kryeqytetin Santo António është si një shëtitje nëpër epokën koloniale. Pak ngjan se ka lëvizur këtu, qëkurse portugezët e braktisën vendin 40 vjet më parë. Në trotuare janë shtuar gropat, ngjyrat po zbërdhulen e ndërtesat sa s’po bien.

Rruga përgjatë lumit të gjerë është zgjeruar prej reshjeve dhe në shumë vende është dëmtuar seriozisht. Vrima të mirëfillta kanë mbirë. Për shumë nga rrugët nuk është më e mirë gjendja dhe ato të dhurojnë vetëm pak mbetje prej një shtrese asfalti.

Kudo që sheh, ajo të rrëfen në fakt shkëlqimin e së shkuarës. Dhe akoma dhe sot e kësaj dite, Príncipe është një bukuri e rrallë e mahnitëse. Qyteti përcjell sharmin ledhatues të së shkuarës. Gjithçka këtu duket se po pret dikë, vetëm se askush nuk e di se kë.

Shpesh duket e vështirë të dallosh nëse një mur sapo është rrëzuar, apo është ngritur. Por më vonë, papritur aty gjendet një gardh, që është prerë me aq kujdes, saqë do t’i shkaktonte zili çdo europiani pasionant pas kopshteve.

Parajsa e sotme, dikur ishte ferri

Sao-tome-e-principe41200 vetë jetojnë sot në kryeqytetin e Príncipes, ku jeta zhvillohet nëpër rrugë. Shtëpitë ndodhen ngjitur me rrugën e plazhit, e njerëzit rrinë aty në rehati ndanë rrugës të bërë me shije, duke nderë jashtë teshat gati për tharje. Shitet vaj palme e ofrohen fruta. Dhe: fëmijë, ngado fëmijë. Thuajse gjysma e popullsisë është më e re se 15 vjeç.

I njohur ndërkombëtarisht, ishulli u bë nga dy ngjarje, të cilat nuk mund të kishin qenë dot më të ndryshme: nga njëra anë, Sër Arthur Eddington mundi që ta dëshmonte tërësisht teorinë e relativitetit të Albert Ajnshtajnit në vitin 1919, si pasojë e një errësire totale diellore. Nga ana tjetër, në vitet ‘90, në “Banana Beach”, plazhin më të bukur të Príncipes, u realizua një spot i famshëm për një firmë që prodhonte rum të bardhë.

Ajo çka për europianët sot tingëllon kaq parajsore, dikur ishte “porta drejt ferrit”. Kur portugezët e morën nën kontroll vendin në vitin 1470, ndoshta këta ishuj ishin të pabanuar, e ata ndërtuan atje plantacione të mëdha për kafenë, e më vonë edhe për kakaon.

Edhe për vetë të zotët e kolonive, ishujt shiheshin si vende të syrgjynosjes dhe – për shkak të malaries – kishin namin e një “varreze për europianët”. Punëtorët që silleshin atje për të punuar tokat, vinin si skllevër me anije, nga Angola.

Në shekullin e 15 dhe atë të 16, São Tomé ishte një vendkalim i rëndësishëm në tregtinë e skllevërve transatlantikë. Edhe pas pezullimit zyrtar në vitin 1875, skllavëria u zhvillua madje deri në vitet e para të shekullit të 20. Në këtë kohë, São Tomé e Príncipe shiheshin si një ndër prodhuesit më të mëdhenj të kakaos në botë, në plantacionet e të cilave, skllevërit vijonin punën e tyre nën kushte të tmerrshme.

Kakao, sot është ende një nga burimet kryesore për ekonominë e ishujve, pasi i sjell shtetit disa miliona dollarë fitime në vit. Para së gjithash, në Príncipe gjenden plantacione të mëdha kakaoje. Mbase mund të të shijojë ndryshe një copë çokollatë, kur ia di historinë?!

Zhvillimi e rindërtimi sjell probleme

Sao-tome-e-principe1Pas pavarësisë në vitin 1975, erdhi dhe ndryshimi. Nëse deri në atë kohë, jeta ishte ndërtuar e gjitha thuajse nën plantacionet e kafesë apo të kakaos (të ashtuquajturat “Roças” në brendësi të vendit), njerëzit tashmë po synonin brigjet dhe erdhën me varkat e tyre, duke zgjedhur të punonin me detin e duke u marrë me peshkim.

Por si mund të shfrytëzohet oqeani, kur interes për dekada të tëra i është kushtuar vetëm brendësisë së vendit, vetëm tokës, dhe kur nuk është krijuar kurrfarë tradite në peshkim? Ky nuk është problemi i vetëm, pasi ka edhe të tjerë në ishull me të cilët duhet të luftojnë banorët e tij. Ta rindërtosh vendin, do zgjasë me vite, por kohë në Príncipe duket se ka me shumicë.

“Leve-leve” e quajnë vendasit stilin e tyre të jetesës, çka do të thotë pak a shumë “merre shtruar”. Duket simpatike, e për banorët vendas shpesh do të thotë thjesht “qetësi”. Mirëpo kush dëshiron të ndërmarrë ndonjë ndryshim këtu, duhet t’ia nisë punës me vrull, para se natyra t’ia zhvatë territorin që pretendon. Një filiz që sot ndodhet mbi tokë, nesër nis e zë rrënjë. E pas dy vjetëve, është bërë pemë.

Priten 100 milionë dollarë investime

Mark Shuttleworth dëshiron ta sjellë këtë ndryshim. 41-vjeçari miliarder nga Afrika e Jugut është një sipërmarrës i epokës së internetit, që paratë e veta i ka fituar me certifikata dixhitale. Në vitin 2000, ai themeloi koncernin “HBD Venture Capital”, akronimi në fjalë do të thotë “Here Be Dragons” dhe lidhet me një cilësim nga hartat e vjetra, që tregon një terren të panjohur. Është toka e re pra, që i intereson Shuttleworth-it. Në vitin 2002, ai përmbushi një ëndërr të moçme dhe fluturoi si pasagjer në hapësirë.

Dhe tashmë ky ishull, Príncipe. Sidoqoftë, një ëndërr dhe deri më tani ajo më ambiciozja e tij. 100 milionë dollarë kërkon koncerni i tij në dorë, për të investuar në një ishull me 5000 banorë. Relaksuese kur sheh se burri ka ideale.

Projekti i Shuttleworth-it synon të zbatohet në terma afatgjatë dhe të mbjellë një turizëm fitimprurës. Jo më shumë se 100 facilitete banimi, sipas projektit, duhet të ketë gjithsej në ishull, e fitimi llogaritet të nisë vetëm nga viti 2045. Platforma më e bukur dhe më ekskluzive deri më tani është resorti “Bom Bom”.

“Çimento është një material i vdekur”

Sao-tome-e-principe3-hartaBie shi me gjyma, siç bie në tropik. Porta drejt “Roça Paciência”-s është e hapur, e resorti duket i braktisur dhe në një gjendje të mjerueshme. Mirëpo pikërisht këtu, në këtë vend, mund të nisë edhe rindërtimi i ishullit.

Manuel Gomez punon qysh prej 2012 në një projekt që HBD do ta përfundojë pas dhjetë vjetëve. Qëllimi është të trajnohen një sërë punonjësish që do të kryejnë punimet rikonstruktuese dhe do përçojnë gjithashtu edhe njohuritë e tyre. Këtu, atyre do t’u përcillet një gjuhë arkitekturore, që do të jetë në harmoni me teknikat dhe materialet tradicionale të ndërtimit.

“Në vend të çimentos, – thotë Manueli, – ne do përdorim një përzierje mes baltës e rërës. Çimento është një material i vdekur. Nuk merr frymë”. Edhe për të pastruar muret, do të përdorim një recetë të vjetër, me sasi të mëdha lëkurësh të shtypura kokosi.

Duhet ngulitur koncepti i përgjegjësisë

Të nxisësh të vjetrën, në vend të së resë, këtë Manueli e cilëson si strategjinë e tij. Dhjetë bashkëpunëtorë ka ai ndërkohë, të gjithë peshkatarë apo bujq, të gjithë të pajisur me një kontratë dhe kohë pune fikse. “Kjo është e rëndësishme, – thotë Manueli, – pasi qeveria, në 35 vite me radhë, çdo muaj ka dhënë para për rimëkëmbjen ekonomike të Roças-ve, megjithëse nuk ka ndodhur asgjë – dhe njerëzit janë mësuar tashmë të fitojnë para, pa punuar”. Në përputhje me të, pra toleranca ka qenë deri më tani edhe morali i punës.

Mirëpo bëhet fjalë për të përcjellë konceptin e përgjegjshmërisë, së pari në përballje me vetveten. Që gjithçka këtu ecën shumë ngadalë, arsyetohet me faktin se çdo gjë ndodhet në fazën e parë të fillimit të dialogut, e se do të zgjasë ca kohë, derisa të arrihet një atmosferë e besimit të ndërsjellë.

“Sigurisht se nuk thuhet: ndërto një mur. Shpjegohet se përse ky mur duhet të ndërtohet këtu, apo atje”. Kur resorti të bëhet gati, atëherë Roças-et aty rreth e rrotull do të pasurohen me fruta e perime. Edhe këtu bëhet fjalë për të përmirësuar diçka, pa e ndryshuar në rrënjë kulturën vendase.

Premtohet ujë, gjenerator e celular

Roça Sundy është kompleksi më i madh në ishull. Ajo i përkiste më parë familjes mbretërore portugeze dhe ishte një qytet normal me spitalin e vet me një rrjet të vetin të shinave, që shtrihej deri në brigje dhe që sot prej kohësh janë lënë ashtu, të ndryshken nga koha.

Lokomotiva gjysmë të ndryshkura dhe pjesërisht të mbuluara me bimësi rrëfejnë ende për një kohë kur me to transportoheshin mallra që vinin nga larg, apo e kundërta. Të gjitha zyrat e magazinat e firmave në ishull, ishin të lidhura në rrjet, e mallrat administroheshin në mënyrë qendrore në “Roça Sundy”, këtu ishte pika qendrore e grumbullimit.

Historia e Roça-s tashmë studiohet nga kërkuesja shkencore, Rita Alves, antropologia është marrë në punë ekskluzivisht nga HBD për këtë qëllim. Ajo është në këmbim të vazhdueshëm me rreth 400 vetë, që sot jetojnë në këto territore dhe përpiqet t’u përcjellë atyre njohuritë e nevojshme për të vënë në jetë projektin.

Por se çfarë do të bëhet këtu me njerëzit kur Roça të hyjë në ritmin e saj turistik, është e paqartë. Bashkësia e vogël fshatare prej rreth 14 familjesh në “Praia Sundy”, plazhit që i përket lokalitetit, përkundrazi, e di se ku të çon ky udhëtim. Njerëzit do të zhvendosen.

“Nëse ne zhvendosemi, do të jetë më mirë për ne”, thotë një peshkatar. “Ne me vete do të marrim ujë, gjenerator për rrymë elektrike dhe një motor për barkën tonë, në mënyrë që të udhëtojmë për këtu”. Edhe një telefon celular na është premtuar, gjithçka e parashikuar dhe e rregulluar me kontratë. E ardhmja ndoshta më e mirë që shteti ishullor ka parë ndonjëherë.

Marrë nga “Die Welt”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button