ParlamentarePolitika

Sesioni i ri nis me “Vettingun”; tjetër nen kundër medias

Sesioni i ri parlamentar pritet të nisë me votimin e ligjit të ‘vettingut’. Javën e ardhshme, ky ligj do të marrë rrugën drejt miratimit, ku fillimisht të hënën pritet të mblidhet Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe të martën kreu i Kuvendit, Ilir Meta pas konsultave me krerët e grupeve parlamentare të PS dhe PD, do të thërrasë Konferencën e Kryetarëve, e cila do të vendosë edhe për datën e mbledhjes së seancës për votimin e ligjit.

Por opozita ka gjetur një tjetër ligj problematik, ku flitet sërish për vetting të medias, që pritet të shkaktojë po aq debat sa edhe neni 13 në ligjin për aktivitetin e Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit, e cila sipas saj i hap derën një censure të paprecedentë, që parashikon dënimin e gazetarëve.

Nëse në nenin 13 qëllimi ishte krijimi i një korace për prokurorët e posaçëm, që ata të mos bien pre e shantazhit, edhe në nenin 6 pika 3 qëllimi duket se është i njëjtë, por këtë herë koraca krijohet për prokurorët e zakonshëm.

“Çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve dhe veprimtarinë e tyre në çështje konkrete, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër apo personave të tjerë, që cënon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre, është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit”, thuhet në nenin 6.

Sipas nënkryetarit të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Oerd Bylykbashi, Partia Demokratike do ta kundërshtojë edhe këtë ligj, i cili është bërë pjesë e projektligjit për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë 3 ditë më parë, ndërsa është hartuar e diskutuar në ditët kur opozita nuk ka qënë e pranishme në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm.

Bylykbashi thekson se ky ligj i ri, që vret lirinë e medias nuk ka asnjë mundësi që të kalojë. Dy nenet, që ndryshe janë cilësuar edhe si “Vettingu i medias”, janë përfshirë vetëm pak ditë më parë në draftin e hartuar nga ekspertët amerikanë të OPDAT.

Betejën e parë demokratët e fituan teksa edhe Fatmir Xhafaj, kreu i Komisionit për reformën në drejtësi pranoi për Top Channel se formulimi është problematik dhe lë vend për dyshime, por qëllimi nuk është kufizimi i lirisë së medias.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button