Home / Ekonomia / Shoqata e Sipërmarrësve Italianë: Taksat e larta, bizneset po zhvendosen në Mal të Zi e Maqedoni

Shoqata e Sipërmarrësve Italianë: Taksat e larta, bizneset po zhvendosen në Mal të Zi e Maqedoni

Shoqata e Sipërmarrësve Italianë në Shqipëri ka dhënë alarmin se taksat e larta po bëjnë që shumë kompani italiane të ndalojnë investimet, apo dhe të tërhiqen plotësisht nga Shqipëria, duke iu drejtuar destinacioneve të reja si si Maqedonia apo Mali I Zi.

“Investitorët erdhën në Shqipëri për shkak se tatim fitimi ishte 10%, energjia elektrike ishte e ulët. Tani çdo gjë është rritur, madje edhe taksat e Bashkisë janë dyfishuar”, thonë burime zyrtare të Shoqatës së Sipërmarrësve.

Maqedonia dhe Mali I Zi janë për momentin më të preferuarat e investitorëve italianë si për taksat e ulëta, ashtu dhe për mbështetjen që marrin nga shteti. Në Maqedoni, tatim fitimi është ende 10%, ndërsa në Mal të Zi 9%, ndërsa dhe kostot sigurimeve shoqërore e taksat e tjera janë më të ulëta.

Ndonëse në total janë 486 ndërmarrje të reja italiane të hapura në Shqipëri në 2015-n (70% të sipërmarrjeve të huaja gjithsej), burimet zyrtare nga Shoqata Sipërmarrësve pohojnë se po vijnë në Shqipëri kompanitë që në Itali janë në fazë falimenti. Sipas INSTAT rezulton se pjesa më e madhe e kompanive Italiane janë me 1-4 punonjës dhe kryesisht në sektorin e call center. Shoqata thotë se bizneset call center kanë ende interes të vijnë në Shqipëri për shkak të pagave të ulëta dhe njohurive të mira të gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë, por sipërmarrjet e tjera, që kanë kapitale të lira për të investuar po i drejtohen rajonit.

“Historitë janë të njëjta. Kanë ardhur në Shqipëri për një sistem fiskal të përshtatshëm dhe tani gjenden përballë një sistemi taksash të larta dhe kosto të tjera të mëdha dhe për rrjedhojë nuk kanë më interes të investojnë. Për më tepër i shohin institucionet si armike, që në vend që t’I ndihmojnë u bëjnë presion”, thonë burimet zyrtare të Shoqatës.

Tjetër problematike e hasur së fundmi, sipas sipërmarrësve italianë, janë kontrollet e vazhdueshme, intensive dhe shpesh agresive të inspektoriateve të ndryshme nëpër biznese të cilët pengojnë ecurinë e biznesit sepse administrata u kushton vëmendje gjithmonë e më shumë kontrolleve dhe si rrjedhojë gjithmonë e më pak qëllimit të vetë biznesit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deri në fund të vitit 2014, stoku i investimeve të huaja direkte nga Italia në Shqipëri ishte 526 milionë euro. Pjesa më e madhe e investimeve -122 milionë euro- janë në industrinë përpunuese (fason), më pas renditen aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv e social me 60 milionë euro, të ndjekura nga ndërtimi, tregtia, pasuritë e patundshme etj.

Ndonëse në vlerë investimet italiane janë të vogla, ato janë të rëndësishme në drejtim të punësimit, pasi sipërmarrjet italianët mbizotërojnë në dy sektorë të rëndësishëm për hapjen e vendeve të punës, tekstilet e këpucët (direct ose indirekt përmes nënkontraktorëve shqiptarë),  dhe vitet e fundit është zhvilluar ndjeshëm aktiviteti i call center.  Industria e tekstile e këpucëve punëson sipas INSTAT mbi 50 mijë veta, kryesisht të shtresave në nevojë, ndërsa numri I të punësuarve në call center vitet e fundit ka arritur në 25 mijë, sipas tatimeve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: