Ekonomia

Biznesi kërkon heqjen e TVSH-së së rimbursueshme

Fason-622x350Heqja e TVSH-së në rastet kur ajo rimbursohet për bizneset, do të jetë një nga kërkesat e një pakete fiskale të hartuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë që do të paraqitet brenda muajit tetor në Ministrinë e Financave për rishikimin e paketës fiskale 2015.
Kreu i Dhomës, Nikolin Jaka së fundi ka deklaruar se biznesi do të propozojë ndryshime për të gjitha ligjet e miratuara.
“Një ndër ligjet që pretendojmë të ndryshojmë me partneritet me qeverinë është ligji i TVSH-së dhe heqja e skemës së TVSH së për aktivitetet që kërkojnë rimbursim. Nuk duhet të kemi TVSH kur ajo rimbursohet përmes procedurave ligjore”, tha Jaka.
Një tjetër propozim ka të bëjë me aplikimin e tatim-fitimit, që duhet të jetë jo më shumë se 10% për bizneset deri në 8 milionë lekë, ndërsa kërkohen edhe lehtësi të tjera fiskale për sektorin e agro-biznesit dhe turizmit.
Jaka kërkoi që Drejtoria e Apelimeve dhe Avokati i Tatim-Ppaguesve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të kalojë në varësi të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Financave.
Edhe Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve (DHKPV) sipas një pyetësori për subjektet-anëtare, ka njoftuar se rreth 16 % e kompanive janë të kënaqura me rimbursimin ligjor të TVSH-së të prapambetur, apo të krijuar rishtas, ndërsa 14 % e tyre pranojnë se nuk kanë aplikuar për të rimbursuar shumat ligjore të vitit 2014.
Sipas bizneseve, ecuria e eksporteve për periudhën janar-qershor është e konsiderueshme dhe rezultatet, premtuese.
Sipas anketimit, rreth 90% e subjekteve pohojnë se kanë rritur eksportet, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2013. Rritje të ndjeshme ka pësuar edhe punësimi, që llogaritet me 10-50% më shumë nga sa ishte numri i të punësuarve vjet.
Problemet e krijuara mes biznesit dhe bankave ka ndikuar që ky grup prodhuesish të ulë kërkesën, pasi 56 % janë të shqetësuar nga normat e larta të interesit të kredive. Rreth 25 % e të anketuarve përgjigjen se nuk kanë nevojë për kredi, 30 % janë të shqetësuar nga një sërë procedurash dhe dokumentash që kërkojnë bankat dhe vetëm 10 % e sigurojnë kredinë nëpërmjet kolateraleve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button