Ekonomia

Nënkontraktori i ARMO, Deveron Oil, 2.6 milionë euro borxh Doganës së Fierit

Deveron Oil, një prej kompanive që shfrytëzon me qira financiare një pjesë të rafierive të përpunuesit të naftës, ARMO, ka një borxh prej miliona eurosh tek Dogana e Fierit. Ky borxh i ka detyruar doganat që në maj të kërkojnë vendosjen e sekuestros konservative e llogarive bankare e të pasurive të paluajtshme të Deveron Oil. Nga shkresat e përmbaruesit mësohet se borxhi që kompania i ka doganave është rreth 369 milionë lekë, apo rreth 2.6 milionë euro.

Deverol Oil, është një kompani e re, e krijuar në fund të vitit 2013, sipas ekstraktit në QKR, por që u rrit me shpejtësi në 2014-n e 2015-n. Qarkullimi i saj vjetor ishte 10.7 miliardë lekë në 2014-n dhe 11 miliardë lekë në 2015-n, sipas tatimeve, duke u katapultuar me shpejtësi në 20 kompanitë më të mëdha në vend.

Deverol Oil është 100% në pronësi të Deveron Advisor Corp. Sipas një korrespondencë të mëparshme të Ministrisë së Ekonomisë, prej shkurtit të 2014, Deveron operon në rafinerinë e Ballshit dhe konsiderohet se është person i lidhur me zotëruesit e aksioneve të shoqërisë ARMO. Po sipas të njëjtit raport, Shoqëritë ARMO dhe Deveron gjenden me probleme financire të mëdha.

Nga ana tjetër, edhe detyrimet e rafinerisë ARMO, që dikur ishte një nga kompanitë më të mëdha në vend, janë shtuar në mënyrë galopante dy vitet fundit, duke shkuar në gati 600 milionë dollarë. ARMO është ndërkohë kreditori më i madh i keq në vend, në listën e 35 kompanive që kanë 60% të huave me probleme në vend. Kredia ndaj bankave në Shqipëri vlerësohet në rreth 50 milionë euro.

Kompania shtetërore e naftës Albpetrol, tatimet e doganat, bankat, madje edhe punonjësit janë vënë në radhë për të mbledhur borxhet që u ka ARMO, ndërkohë që fati i kompanisë, 15% të të cilës janë ende në pronësi të shtetit, mbetet i paqartë.

Nënkontraktori tjetër i ARMO, TPD Trading Petrol &Drilling, që operon në rafinerinë e Fierit ka deklaruar një bilanc me humbje prej rreth 685 milionë lekësh në 2015-n, ndërsa detyrimet ndaj shtetit janë minimale. TPD Trading Petrol &Drilling raportoi një xhiro prej 11.2 miliardë lekësh në 2015, nga 16.5 miliardë lekë një vit më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button