Ekonomia

Siguracionet e makinave, AMF: Tarifat përcaktohen nga kompanitë

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, institucioni që monitoron tregun e sigurimeve në Shqipëri, ka reaguar ndaj rritjes së çmimit të siguracioneve për automjetet.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp në faqen e zyrtare, AMF shpjegon se sipas legjislacionit në fuqi, tarifat e sigurimit të makinave janë të liberalizuara, duke i dhënë të drejtën shoqërive të sigurimit t’i përcaktojnë vetë ato,sipas kushteve të tregut.

Ky institucion shpjegon se në përcaktimin e çmimeve, shoqëritë e sigurimit marrin parasysh një sërë faktorësh risku dhe përvojën me dëmet e ndodhura.

Ndër faktorët përcaktues të çmimit janë ndryshimi i primit të rrezikut, shpenzimet e ndërmarra për pagesën e dëmeve, shpenzimet e tjera operative të shoqërisë, fitimi i shoqërisë dhe aspektet fiskale.

Nga elementët e sipërpërmendur AMF përcakton nivelin e primit të rrezikut, i cili luan rolin e një primi orientues për kompanitë.

“Sqarojmë se primet e rrezikut të përcaktuara nga AMF janë orientuese për tregun e sigurimit dhe tarifat e primit të sigurimit të aplikuara për shitje mund të ndryshojnë ndjeshëm nga këto. Për AMF si autoritet mbikëqyrës e rregullator, situatë e rrezikshme do të konsiderohej nëse çmimi do të binte nën nivelin e primeve të rrezikut si rezultat i konkurencës duke rritur ndjeshëm ekspozimin e tyre ndaj risqeve, shoqëruar kjo me humbje teknike”.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare sqaron se nuk ka kompetencë të ndërhyjë në politikat e tarifimit të shoqërive të sigurimit.

Në lidhje me sistemin Bonus-Malus, i kërkuar nga Drejtoresha e Autoritetit të Konkurrencës, edhe një ditë më parë në një prononcim për Ora News, AMF shpjegon se ka përfunduar zbatimin teknik i këtij sistemi dhe ai është plotësisht funksional, ndërsa pritet miratimi akteve ligjore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button