Home / Politika / Mashtrimi 10 vjeçar me rrugën e Arbrit

Mashtrimi 10 vjeçar me rrugën e Arbrit

Në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 Shtatorit, kandidati i opozitës për Bashkinë e Dibrës Sherefedin Shehu premtoi se nëse qytetarët do ta mbështesin, ai sëbashku me Lulzim Bashën do të ndërtojnë Rrugën e Arbrit.

Një deklaratë e tillë ka dy probleme të mëdha. I pari, fakti se Lulzim Basha është aktualisht lider i opozitës dhe praktikisht Sherefedin Shehu po u thotë dibranëve se do duhet që të shohin me sytë nga qielli deri në zgjedhjet parlamentare dhe pastaj të rivotojnë edhe njëherë Partinë Demokratike po me premtimin e Rrugës së Arbrit, me shpresën se Basha do ti fitojë zgjedhjet.

E pas fitores hipotetike, të cilën nuk e kanë në dorë vetëm votat e Dibrës, të shpresojnë sërish se do mund të mbahet premtimi për Rrugën e Arbrit.

A mund të besojnë më dibranët Partinë Demokratike kur flet për Rrugën e Arbrit?! A mund të besojnë posaçërisht Sherefedin Shehun, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën?!

Mjafton të kujtojnë se në vitin 2005, në çdo takim elektoral në Dibër, Sali Berisha deklaroi se në mandatin e parë qeverisës do të përfundonte Rrugën e Arbrit. Ndryshe nga sa pritej, demokratët e lanë në harrëse këtë premtim dhe ndonëse kaluan 4 vite Rruga e Arbrit mbeti ëndërr.

Nuk duhet harruar se Ministër i Transporteve ishte pikërisht Lulzim Basha, njeriu që sot Sherefedin Shehu pretendon se do tua bëjë realitet ëndrrën e vjetër dibranëve nëse do e mbështesin edhe në së paku dy palë zgjedhje të ardhshme.

Sali Berisha dhe Sherefedin Shehu u rishfaqën para dibranëve në vitin 2009, në fushatën për zgjedhjet parlamentare. Nuk bënë as më pak e as më shumë se sa tu kërkonin votën me premtimin se tashmë do ta ndërtojnë Rrugën e Arbrit brenda dy viteve të para të mandatit të dytë, pra brenda vitit 2011.

“Ju garantoj se në 2 vjet kjo rrugë do të kapë Tiranën dhe ju do të zbrisni në Tiranë në një kohë prej 40 deri në 60 minuta”, u shpreh Berisha nga Dibra fushatën e vitit 2009.

“Askush më nuk guxon të dyshojë në atë që thotë Sali Berisha. Ndërsa rruga e Arbërit quhet e kryer sepse i ka financimet dhe është projekt në mes. Këto ditë tenderohet pjesa e vështirë që është tuneli në Qafë Buall dhe rruga e Arbërit që do ta bëjë realisht Dibrën pjesë të Tiranës inaugurohet maksimumi brenda dy vitesh plotësisht”, do të deklaronte 17 Qershorin e vitit 2009 Sherefedin Shehu, në cilësinë e kandidatit për deputet në Dibër.

Dibranët u gënjyen. Votuan për Partinë Demokratike të bindur se do duhet ti jepnin edhe një mundësi të dytë demokratëve për të mbajtur premtimin e vitit 2005. Katër vitet e mandatit të dytë kaluan shumë shpejt dhe sërish Rruga e Arbrit mbeti ëndërr. Fushata për fitoren e mandatit të tretë nuk kishte se si të mos e prekte sërish premtimin e lënë në harrëse për 8 vite qeverisje.

Demokratët të drejtuar nga Sali Berisha dhe Sherefedin Shehu u rishfaqën para dibranëve në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Pa patur komplekse, demokratëve premtuan sërish se brenda dy viteve të para të mandatit të tretë, pra brenda vitit 2015 do të përfundonte Rruga e Arbrit.

Kryeministri Sali Berisha nga Qarku i Dibrës në fushatën e vitit 2013 do të deklaronte “fjala ime para jush. Vepra më e parë e dy viteve të para do të jetë tuneli i Murrizit, Rruga e Arbrit dhe boshti i jugut”.

Sërish ai. Sherefedin Shehu mashtroi po njësoj dibranët duke u premtuar atë që u kishte premtuar në vitin 2005 dhe në vitin 2009.

“Çështjet teknike kanë vonuar tunelin e Murrizit, tani që janë sqaruar këto probleme, brenda këtij viti do të fillojnë punimet për ndërtimin e tunelit dhe të urës së Vashës. 30 km janë ndërtuar tashmë (pauze) dhe ndërtimi po vijon si nga Bulqiza edhe nga Tirana”, do të deklaronte sërish Sherefedin Shehu.

20 Gushtin e vitit 2016 Sherefedin Shehu deklaron “me mua, si kryetar bashkie dhe me Lulzim Bashën kryeministër do të ndërtojmë, rrugën e Arbrit si dhe do ti japim jetë shumë projekteve që do transformojnë Dibren në një potencial zhvillimi ekonomik,me bujqësi e turizëm me standarte konkurruese në rrajon”.

I gënjeu në vitin 2005. I rigënjeu në vitin 2009 e në vitin 2013. A ka dibran që e beson sot më Sherefedin Shehun?!

 Lexo.al

Leave a Reply

%d bloggers like this: