Amerika

Përse janë aq të rëndësishme emailet private të Clintonit?

Tetorin e kaluar , Hillary Clinton ka dalë në një debat televiziv kundër Bernie Sandersit, i cili ka qenë rival i saj për nominimin e Partisë Demokratike për president të SHBA-së.

Dhe, Sanders ka shfrytëzuar mundësinë të kapet për një çështje që ka përcjellë Clintonin për muaj të tërë: përdorimi i emailit privat gjatë kohës sa ka qenë Sekretare e Shtetit.

Republikanët e kanë dërrmuar Clintonin për këtë vendim dhe madje e kanë sjellë përpara një komiteti hetues të Dhomës së Përfaqësuesve.

Sanders, gjatë debatit, ka thënë se populli amerikan “është lodhur duke dëgjuar për emailet e mallkuara”.

Ai më vonë është tërhequr nga gara, por Clinton vazhdon të përballet me sulme gjithnjë e më të ashpra nga kundërshtari i saj republikan, Donald Trump.

Çështja e emaileve është ende kryesorja. Clinton ka dërguar dhe marrë dhjetëra-mijëra emaile gjatë katër vjetëve sa ka qenë në krye të diplomacisë amerikane, nga viti 2009 deri më 2013.

Problemi është se korrespondenca e saj, zyrtare dhe jozyrtare, e klasifikuar dhe jo e klasifikuar, ka përdorur adresën hdr22@clintonemail.com dhe është kanalizuar përmes një serveri kompjuterik, i cili nuk ka qenë server i Departamentit të Shtetit, por privat.

Për më tepër, serveri ka qenë në shtëpinë e Clintonit në Nju Jork, ku ajo dhe bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Clinton, janë zhvendosur në kohën kur Hillary ka qenë senatore.

Zbulimi i serverit privat ka ndodhur rastësisht. Republikanët në Kongres kanë qenë duke hetuar vendimet e Clintonit pas sulmit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, i cili ka ndodhur më 11 shtator, 2012. Katër amerikanë, përfshirë ambasadorin, janë vrarë në atë sulm.

Gjatë hetimit të sulmit, hestuesit kanë kërkuar korrespondencat nga Departamenti i Shtetit dhe gjetkë. Departamenti i Shtetit më pas ka zbuluar se korrespondenca e Clintonit me punonjës të Departamentit të Shtetit është kanalizuar përmes serverit të saj privat.

Çështja është problematike për disa arsye.

Fillimisht, bëhet fjalë për sigurinë kompjuterike. Mendohet se hakerët kompjuterikë mund të ndërhyjnë më lehtë në një server privat dhe të kenë qasje në informacionet e klasifikuara, sesa në një server të qeverisë.

Arsyeja e dytë është trajtimi i informacioneve të klasifikuara. Ligji federal është shumë strikt në këtë çështje. Në vitet e fundit, prokurorët federalë kanë ngritur disa raste penale kundër individëve, të cilët kanë pasur qasje ose kanë shpërndarë informacione të klasifikuara. Dhjetëra zyrtarë qeveritarë thuhet se janë qortuar ose edhe pushuar nga puna çdo vit për shkelje të rregullave të tilla.

Arsyeja e tretë është pronësia. Ligji federal kërkon ruajtjen e dokumenteve qeveritare, korrespondencave dhe materialeve të tjera për qëllime arkivore. Për më tepër, në kohën kur Clinton është bërë Sekretare e Shtetit, politikë e Departamentit të Shtetit ka qenë që ky operacion të zhvillohet nga dita në ditë, duke përdorur një sistem të autorizuar.

Çështja e pronësisë është bërë kritike kur Departamenti i Shtetit, duke iu përgjigjur kërkesës së republikanëve për emaile, në kuadër të hetimeve të sulmit në Bengazi, ka nisur të negociojë me Clintonin për emailet e saj.

Në gusht të vitit 2014, Departamenti i Shtetit u ka dorëzuar republikanëve 15,000 faqe dokumente, përfshirë disa emaile të Clintonit – të gjitha nga serveri i saj privat.

Katër muaj më vonë, Clinton ka dorëzuar mbi 55,000 faqe të shtypura nga më shumë se 30,000 emaile. Pas rishikimit të materialeve për informacione të klasifikuara, Departamenti i Shtetit ka nisur gradualisht t’i bëjë ato publike.

Hetuesit nga Departamenti i Shtetit dhe agjencitë e inteligjencës kanë rishikuar disa emaile të Clintonit dhe, korrikun e kaluar, kanë thënë se disa prej tyre kanë pasur informacione të klasifikuara.

Një gjë e tillë më pas ka nxitur përfshirjen e FBI-së, e cila ka marrë në pyetje Clintonin dhe ka hetuar nëse ajo ose ndihmësit e saj kanë keqmenaxhuar informacionet e ndjeshme dhe nëse duhet ngritur kallëzime penale.

Zyrtarët më vonë kanë thënë se mbi 2,000 emaile kanë pasur informacione të klasifikuara. Ekipi i Clintonit e ka kontestuar këtë shifër, duke thënë se disa materiale janë kategorizuar gabimisht si të klasifikuara.

Në fund, FBI nuk ka ngritur kallëzime penale. Megjithatë, duke shpallur vendimin muajin e kaluar, drejtori i FBI-së, James Comey, ka thënë se Clinton ka qenë “jashtëzakonisht e pakujdesshme” në trajtimin e informacioneve të klasifikuara.

Nga ana e saj, Clinton ka kërkuar falje dhe ka thënë se i vjen keq. Ajo po ashtu është mbrojtur, duke thënë se paraardhësit e saj në Departamentin e Shtetit kanë përdorur po ashtu emaile private.

Republikanët në Kongres nuk kanë treguar shenja se do të lehtësojnë presionin mbi Clintonin. Ata kanë kërkuar nga tri kompani të teknologjisë, që kanë punuar në serverin privat të Clintonit, të dëshmojnë nëse kanë përmbushur kërkesat e qeverisë për sigurinë dhe arkivimin e informacioneve.

Ata po ashtu kanë kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë, i cili mbikëqyr FBI-në, të hetojë nëse Clinton ka bërë dëshmi të rreme para Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve, që ka hetuar sulmin në Bengazi.

Më 22 gusht, një gjykatës federal i SHBA-së ka urdhëruar Departamentin e Shtetit të rishikojë dhe ndoshta të publikojë një grumbull të ri emailesh të Clintonit.

Publikimi i tyre mund të ndodhë në javët përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit.

Shtrohet pyetja, a ka qenë i saktë Bernie Sanders? A janë lodhur amerikanët nga çështja e emaileve?

Sondazhet kanë treguar se shumica e amerikanëve “nuk ndjehen veçanërisht të fuqishëm në lidhje me çështjen”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button