Opinion

Reformim ose divorc në Europë

AUTORI:

JOSEPH STIGLITZ

Divorci i BE-së me Mbretërinë e Bashkuar është një çështje e nxehtë dhe e dhimbshme për Europën aktualisht, por ai përbën një shembull real sesi publiku mund të marrë në dorë politikën dhe ta çojë atë në një drejtim drastik.

Të thuash që eurozona nuk ka pasur performancë të mirë që nga kriza e vitit 2008 është nënvlerësim. Vendet anëtare të saj kanë performuar më keq sesa vendet e Bashkimit Europian jashtë eurozonës dhe shumë më keq sesa Shtetet e Bashkuara, që ishte epiqendra e krizës.

Vendet e eurozonës që kanë pasur performancë më të keqe janë zhytur në depresion ose recesion të thellë; gjendja e tyre – mendoni Greqinë – është më e keqe në shumë mënyra sesa ekonomitë që vuajtën gjatë Depresionit të Madh të viteve 1930. Anëtarët e eurozonës që performojnë më mirë, si Gjermania, duken mirë, por vetëm kur krahasohen; dhe modeli i tyre i zhvillimit bazohet pjesërisht në politikat vështirësimit të ekonomisë së fqinjve, dhe për këtë arsye suksesi vjen në kurriz të “partnerëve” më të dobët.

Katër lloje shpjegimesh janë dhënë për këto çështje. Gjermania preferon t’ia hedhë fajin viktimës, duke theksuar se problemi i Greqisë qëndron te luksi, borxhi dhe deficitet gjetkë. Por kjo e trajton problemin gabim: Spanja dhe Irlanda kishin bilance pozitive dhe norma të ulëta borxhi ndaj PBB-së përpara krizës së euros. Ndaj kriza ka shkaktuar deficite dhe borxhe, jo e anasjellta.

Fetishizmi i deficitit është padyshim pjesë e problemeve të Europës. Finlanda gjithashtu ka pasur probleme në rregullimin e tronditjeve të shumta që ka pasur, ku PBB-ja në vitin 2015 ishte rreth 5.5 për qind nën pikun e vet të vitit 2008.

Të tjerë kritikë të “fajëso viktimën” thonë se shtetet sociale dhe mbrojtjet e tepruara të tregut të punës kanë shkaktuar gjithashtu ‘sëmundjen’ e eurozonës. Megjithatë, disa nga vendet e Europës që performojnë më mirë, si Suedia dhe Norvegjia, kanë shtetet sociale më të fuqishme dhe mbrojtje të tregut të punës.

Shumë vende që performojnë keq tani ishin shumë mirë– mbi mesataren Europiane – përpara se të prezantohej euro. Rënia e tyre nuk erdhi prej ndryshimit të papritur të ligjeve të tyre të punës apo prej përtacia epidemike e vendeve në krizë. Ajo që ndryshoi ishte marrëveshja mbi valutën.

Lloji i dytë i shpjegimit lidhet me një dëshirë që Europa të kishte liderë më të mirë, burra dhe gra që e kuptojnë ekonominë më mirë dhe zbatojnë politika më të mira. Politikat me të meta – jo vetëm kursimi, por gjithashtu reformat e gabuara strukturore, si zgjerimi i pabarazisë që kanë sjellë rënie të kërkesës dhe potencialit të zhvillimit– padyshim e kanë bërë situatën më keq.

Por eurozona ishte një marrëveshje politike, ku ishte e pamundur që zëri i Gjermanisë të mos ishte i lartë. Kushdo që ka pasur të bëjë me politëbërësit gjermanë gjatë 30 viteve të shekullit të shkuar duhet ta kishte ditur më parë rezultatin e mundshëm. Më e rëndësishmja është se duke pasur parasysh mjetet e disponueshme, as ekonomisti më brilant nuk mund ta bënte eurozonën të kishte begati.

Grupi i tretë i arsyeve për performancën e keqe të eurozonës është një kritikë më e gjerë e krahut të djathtë të BE-së, përqendruar te dëshira e eurokratëve për të mbytur rregullimet e reja. Kjo kritikë, gjithashtu, nuk godet në shenjë. Eurokratët, ashtu si ligjet e punës dhe shteti social, nuk ndryshuan papritur në vitin 1999, me krijimin e sistemit të normës fikse të këmbimit, apo në 2008 me fillimin e krizës. Ajo që ka më tepër rëndësi është standardi i jetës, cilësia e të jetuarit. Kushdo që mohon se sa mirë jemi ne në perëndim me cilësinë e ajrit dhe ujit duhet të vizitojë Pekinin.

Kjo na çon te shpjegimi i katërt: euro është më tepër fajtor sesa politikat dhe strukturat e vendeve individuale. Euro ka qenë i gabuar që në lidhje. Edhe politikëbërësit më të mirë në botë nuk do të mund ta bënin të funksiononte. Struktura e eurozonës imponoi atë lloj rigoroziteti të lidhur me standardin e artë. Monedha e përbashkët i hoqi nga duart vendeve anëtare mekanizmin më të rëndësishëm të rregullimit – normën e këmbimit – dhe eurozona kufizoi politikën monetare dhe fiskale.

Në përgjigje të tronditjeve asimetrike dhe divergjencave në prodhim, duhej të ketë rregullime në normën reale të këmbimit (përshtatur me inflacionin), që do të thotë se çmimet në periferi të eurozonës duhet të bien relativisht në Gjermani dhe në Europën veriore. Por, me Gjermaninë të fortë ndaj inflacionit – çmimet e saj kanë qëndruar në vend – rregullimi do të mund të arrihet vetëm përmes kufizimit të deflacionit gjetkë. Kjo çoi në papunësi të dhimbshme dhe dobësim të sindikatave; vendet më të varfra të eurozonës, dhe veçanërisht punëtorët brenda tyre, vuajtën barrën e përshtatjes. Ndaj plani për të nxitur konvergjencat brenda vendeve të eurozonës dështoi keqazi, për shkak të rritjes së pabarazisë mes vendeve dhe brenda tyre në vetvete.

Ky sistem nuk mund të punojë në kuptimin afatgjatë: politikat demokratike e bëjnë dështimin e tij të sigurt. Vetëm duke ndryshuar rregullat dhe institucionet e eurozonës mundet që euro të funksionojë. Kjo do të kërkonte shtatë ndryshime:

– braktisje të kriterit të konvergjencës, që kërkon që deficiti të jetë më pak se 3% i PBB;
zëvendësim të masave të kursimit me një strategji zhvillimi, mbështetur nga një fond solidariteti për stabilizim;
– shpërbërje të një sistemi të prirur nga kriza ku vendet duhet të marrin borxh në një valutë të cilën nuk e kontrollojnë, dhe të mbështeten te eurobondet dhe mekanizmat e tjerë zyrtarë;
– ndarje më të mirë të barrës gjatë përshtatjes, ku vendet që kanë teprica të ngrenë pagat dhe të rrisin shpenzimet fiskale, duke siguruar kështu që çmimet e tyre të rriten më shpejt sesa ato të vendeve të tjera me deficite;
– ndryshim të mandatit të Bankës Qendrore Europiane, që përqendrohet vetëm në inflacion, ndryshe nga Rezerva Federale e SHBA-së, që llogarit punësimin, zhvillimin dhe stabilitetin po ashtu;
– krijimin e depozitave të përbashkëta të sigurimit, që do të pengonte njerëzit nga largimi prej vendeve që performojnë keq dhe i elementëve të tjerë të “bashkimit bankar”;
– dhe inkurajim, në vend të ndalimit të politikave industriale të projektuara për të siguruar që vendet e prapambetur të eurozonës të barazohen me vendet liderë.

Nga një perspektivë ekonomike, këto ndryshme janë të vogla; por liderët e sotëm të eurozonës mund të mos e kenë vullnetin për t’i çuar përpara. Kjo nuk e ndryshon faktin që gjendja aktuale nuk është e mirë. Një sistem i pavarur për të promovuar perspektivën dhe integrimin e mëtejshëm vetëm sa ka pasur efektin e kundërt. Një divorc miqësor do të ishte më i mirë sesa gjendja aktuale.

Sigurisht, çdo divorc ka koston e tij; por grindja e bën atë edhe më të kushtueshëm. Siç e kemi parë këtë verë në Mbretërinë e Bashkuar, nëse liderët europianë nuk munden apo nuk duan të marrin vendimet e vështira, votuesit europianë do t’i marrin këto vendime për ta – dhe liderët nuk do të jetë më pas të kënaqur me këtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button