Kronika

Protestë në Tiranë kundër demarkacionit mes Kosovës-Malit të Zi

Intelektualë dhe aktivistë të shoqërisë civile do të protestojnë të hënën përpara selisë së Ambasadës së Kosovës kundër vijës kufitare të demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kosova dhe kombi shqiptar, thuhet në deklaratën e organizatorëve, nuk ka territore për të falur.

“Ftojmë të gjithë shqiptarët të bashkohen në tubimin-protestë para Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë, të hënën, më 29 gusht 2016, në ora 12:00, në kundërshtim të Marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të zi. Kombi shqiptar nuk ka territore për të falur”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në vijim të njoftimit theksohet se, intelektualë dhe qytetarë nga Republika e Shqipërisë e kanë ndjekur me shqetësim të madh qëndrimin e qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

“Ekspertë të shquar të gjeografisë, hartografisë, gjeodezisë dhe të së drejtës ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, në Republikën e Shqipërisë dhe më gjerë, me argumente dhe fakte të pakontestueshme tregojnë se shqiptarët me këtë akt të fundit ndërkombëtar vijojnë të humbin territore, sovranitet, subjektivitet politik, në Ballkan dhe Evropë”, thuhet në njoftim.

Sipas përllogaritjeve të ekspertëve dhe shoqërisë civile, dëmi në territore vlerësohet të jetë të paktën 8.200 hektarë (82 km2) territor nga rajoni i Dukagjinit. “Territor, që Komisioni Shtetëror i Kosovës ia dorëzon arbitrarisht Malit të zi”, saktësohet në njoftimin për shtyp.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button