Amerika

Trump: Do dëboj emigrantët e paligjshëm

Donald Trumpi prezanton planet e tij për imigrimin duke paralajmëruar votuesit se vota për Hillary Clinton është votë për kufij të hapur.

 Kandidati republikan për president amerikan Donald Trump tha se nëse zgjidhet president prioriteti i tij i parë do të jetë dëbimi i mijëra emigrantëve të paligjshëm që kanë kryer krime.

“Në një ditë, unë do të filloj shpejt me dëbimin nga vendi të emigrantëve të paligjshëm që kanë kryer vepra penale – përfshirë edhe largimin e qindra-mijëra emigrantëve të paligjshëm që kanë kryer vepra penale dhe janë nxjerrë nga burgjet prej administratës Obama-Klinton”, tha Trump në Des Moines, Iowa.

Duke treguar për detajet se si ka ndër mend ta trajtojë imigracionin e paligjshëm, Trump u tha mbështetësve të tij në Iowa se do të krijojë një sistem përcjelljeje për të dëbuar imigrantët e paligjshëm që tejkalojnë afatin e lejes së qëndrimit dhe do të krijojë një sistem verifikimi elektronik për të siguruar që ata të mos marrin ndihma sociale apo përfitime të tjera.

Jo vetëm mur përgjatë kufirit meksikan

“Nëse ne nuk do t’i detyrojmë njerëzit të zbatojnë afatet e skadimit të vizave, atëherë do të kemi një kufi të hapur – kjo është tepër e thjeshtë,” tha ai.

Trump deri tani ka paraqitur vetëm pak plane konkrete se si do ta trajtojë problemin e emigracionit, me përjashtim të idesë për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit meksikan. Vetëm 72 ditë para zgjedhjeve Trump po përpiqet ta zgjerojë më tej bazën e tij të mbështetësve dhe të sulmojë rivalen e tij demokrate Hillary Clinton. Komentet e tij në Iowa erdhën pasi ai u kritikua nga konservatorët, sepse kishte sugjeruar më parë se do të zbuste planet për dëbimin e 11 milionë emigrantëve të paligjshëm nga SHBA-ja.

Vende pune për amerikanët

Trump u shpreh po ashtu se ndalimi i imigracionit të paligjshëm bëhet për të mbrojtur vendet e punës për amerikanët. “Sa herë që një shtetas afrikano-amerikan, apo ndonjë qytetar, humbet punën e tij ngaqë punësohet një emigrant i paligjshëm, të drejtat e këtij qytetari amerikan shkelen,” tha ai. “Mbrojtja e barabartë sipas ligjit duhet të përfshijë zbatimin konsekuent të ligjeve tona të imigracionit.”

Trumpi po përpiqet kohët e fundit të fitojë votat e afrikano-amerikanëve, që tradiconalisht votojnë për demokratët, duke e sulmuar Hillary Klinton për çështje racore dhe duke argumentuar se ndryshe nga demokratët ai do të sjellë vende pune dhe prosperitet për komunitetin afro-amerikan.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button