Home / Kosova / Koalicioni PDK-LDK, i padobishëm

Koalicioni PDK-LDK, i padobishëm

koalicioni-pdk-ldk-i-padobish-euml-m_hdNjohësit e proceseve politike, aktualisht nuk shohin perspektivë për arritjen e një koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Ata kanë thënë se një koalicion i tillë është i pamundur përderisa blloku LDK-AAK-Nisma vazhdon të jetë kundër çdo komunikimi dhe negociate me PDK-në.

Analisti politik Albert Krasniqi ka thënë se një koalicion eventual ndërmjet PDK-së dhe LDK-së nuk do të ishte i dobishëm për vendin.

Sipas tij, një koalicion i tillë do të karakterizohej me një opozitë të dobët dhe shmangie të përgjegjësisë.

“Një koalicion PDK-LDK është treguar i pasuksesshëm dhe nuk mund të sjellë asnjë dobi për vendin, do të karakterizohej me një opozitë të dobët dhe shmangie të përgjegjësisë, e si i tillë është mirë të mos realizohet”, ka thënë Krasniqi për “Epokën e re”.

Ai ka shtuar se insistimi i zyrtarëve të PDK-së për të bërë koalicion me LDK-në është një përpjekje për të mos mbetur jashtë qeverisë së re.

“Deklaratat e zyrtarëve të PDK-së, për mundësinë e një koalicioni me LDK-në, më shumë janë si përpjekje të fundit për të mos mbetur jashtë Qeverisë së re. Eventualisht këtu mund të përdoret edhe ndikimi i faktorit ndërkombëtar, me pretekstin e krijimit të një qeverie stabile dhe gjoja se vendime të rëndësishme e presin Kosovën. Pra, kjo si kartë është luajtur edhe më herët për t’i arsyetuar koalicionet e panatyrshme që kanë pasur për qëllim ardhjen në pushtet”, ka deklaruar Krasniqi.

Edhe analisti tjetër Naim Rashiti ka hedhur poshtë mundësinë e arritjes së një koalicioni ndërmjet dy partive të mëdha, duke vlerësuar se koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma është fortifikuar shumë kundër çdo komunikimi dhe negociate me PDK-në.

“Nuk dua të merrem me deklaratën e zotit Mustafa sepse nuk e di kontekstin. Koalicioni LDK-AAK-Nisma është fortifikuar shumë kundër çdo komunikimi dhe negociate me PDK-në. Duken shumë të përcaktuar për këtë. Me siguri se deri në nxjerrjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ata nuk do të negociojnë me askënd dhe shpresojnë se brenda këtij muaji do t’i zgjedhin organet e Kuvendit”, ka thënë Rashiti për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se aktualisht në sipërfaqe nuk është duke u parë perspektivë për një koalicion të mundshëm ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

Por, sipas Rashitit, çdo gjë do të varet nga qëndrueshmëria e koalicionit paszgjedhor dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Tani për tani nuk ka vullnet të asnjërit prej tyre për takime me PDK-në. Ata janë fortifikuar dhe nuk duan të ndryshojnë qëndrim. Koalicioni LDK-AAK-Nisma është koalicion dhe duke pasur parasysh marrëveshjet për ta refuzuar një koalicion me PDK-në si grup, por edhe si subjekte të ndara, prandaj ende nuk shihet ndonjë perspektivë për koalicion PDK-LDK në sipërfaqe. Më në fund gjithçka do të varet nga fuqia politike e koalicionit LDK-AAK-Nisma, nga marrëveshjet e tyre me serbët, ndoshta edhe me Vetëvendosje!-n, si dhe nga vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Rashiti.

Ndërkohë, një ditë më parë, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Rrustem Mustafa, në një intervistë për “Epokën e re” ka deklaruar se është shënuar progres rreth idesë së tij për një koalicion ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

Ai ka bërë me dije se janë duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me seancën konstituive të Kuvendit, në mënyrë që të funksionalizohet koalicioni PDK-LDK.

“Jemi duke avancuar për ditë me këtë ide për koalicion dhe në takime me zyrtarë dhe intelektualë të LDK-së shohim interesim serioz. Tani pres që në ditët në vijim të funksionalizohet koalicioni PDK – LDK, i cili do ta përfundojë me sukses mandatin, pasi kemi mundësi dhe do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Mustafa.

Leave a Reply

%d bloggers like this: