Ekonomia

Bilanci i energjisë: Humbjet në rrjet ulen me 11,2 %, dhe në shpërndarje ulen me 13,4 %

Sipas Insitutit të Statistikave (INSTAT), gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike është 4.065 GWh nga 3.758 GWh energji të prodhuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, duke shënuar rritje të prodhimit prej 8,2 përqind. Kontribut në rritjen e prodhimit neto vendas kanë dhënë hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhimi i të cilave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016 është rritur me 35,9 përqind krahasuar me të njëjtin gjashtëmujor të vitit 2015. Hidrocentralet publike rezultojnë të kenë ulje të prodhimit në këtë periudhë me 1,2 përqind. Rritja e prodhimit të energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 ka ndikuar në rënien e importeve dhe rritjen e eksporteve të energjisë elektrike duke sjellë rënie të importeve bruto (energji në marrje) me 4,7 përqind dhe rritje të eksporteve bruto (energji në dhënie) me 53,3 përqind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2015.

Hidrocentralet publike kanë realizuar 68,4 përqind të prodhimit të energjisë elektrike për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 nga 74,8 përqind që realizuan në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015. Kontributi i hidrocentraleve private dhe koncensionare në prodhimin neto vendas të energjisë elektrike është 31,6 përqind nga 25,2 përqind që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, rezultoi me rënie duke arritur vlerën 776 GWh nga 814 GWh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti 1. 289 GWh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 nga 841 GWh që përbënte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Njësoj si gjashtëmujori i parë i vitit 2015, vendi rezulton të jetë eksportues neto i energjisë elektrike gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016, por vihet re një rritje e vlerës të shkëmbimit tregtar në 514 GWh nga 27 GWh që rezultoi në gjashtëmujorin e parë 2015.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016 humbjet në rrjet kanë rënë me 11,2 përqind, ku ndikim në këtë rënie kanë patur uljet e humbjeve në shpërndarje të cilat përbëjnë 89,8 përqind të humbjeve gjithsej në rrjet. Në këtë periudhë, humbjet në rrjet janë 1.037 GWh nga 1.167 GWh që ishin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015. Humbjet në shpërndarje kanë rënë 13,4 përqind krahasur me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Ndryshe paraqitet situata për humbjet në transmetim, të cilat u rritën me 14,4 përqind duke përbërë 10,2 përqind të humbjeve në rrjet nga 7,9 përqind të humbjeve gjithsej në rrjet që zinin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 është 2.515 GWh nga 2.564 GWh që ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015. Gjatë kësaj periudhe ky tregues ka shënuar rënie prej 1,9 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikim në rënien e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët kanë pasur konsumatorët jo familjarë ku përdorimi i energjisë nga ky grup konsumatorësh pati rënie prej 5,2 përqind në gjashtëmujorin e parë të 2016 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Situata ndryshon për konsumatorët familjarë, ku përdorimi i energjisë elektrike nga ky grup konsumatorësh u rrit me 1,2 përqind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2015.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button