Kronika

RTSH shpjegon arsyet pse nuk u transmetua miqësorja Shqipëri-Marok

Radio-Televizioni Publik Shqiptar në një sqarim publik bëri të ditur se përse nuk u transmetua ndeshja miqësore Shqipëri- Marok, zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës, ditën e mërkurë në mbrëmje.

“Duke lënë mënjanë, gjithçka që është thënë dhe shkruar qoftë nga njerëz të painformuar, apo më keq akoma të telekomanduar, ju sqarojmë se kjo ndeshje jo zyrtare nuk i është ofruar fare RTSH-së”, thuhet në sqarimin publik.

“Institucioni ynë është interesuar qysh ditën që është shpallur kjo ndeshje miqësore tek kompania që gëzonte të drejtat televizive, por ende sot e kësaj dite nuk kemi një përgjigje zyrtare për ofertën e dërguar nga RTSH. Pavarësisht çdo çmimi, RTSH siguron se do të blejë çdo të drejtë të çdo ndeshjeje të Kombëtares, sikurse ka bërë me kualifikueset e Botërorit, por kur kjo bëhet në rrugë zyrtare, ligjore, me procedura të rregullta tenderimi, për sa kohe që nën presionin e interesave, ligji që i jepte me parë të drejtën automatike RTSH-së, të transmetonte ndeshjet e Kombëtares, është amenduar”, vijon deklarata.

RTSH siguron se nuk është dhe nuk do të bëhet pjesë e pazareve të tavolinave që bëhen nga sekserë të ndryshëm. “RTSH-së nuk i ka ardhur asnjë ofertë zyrtare, nga asnjë institucion apo kompani në lidhje me këtë miqësore. Lajmet dhe shifrat që qarkullojnë janë të pavërteta dhe me një qëllim dashakeq. Cilido është i ftuar pranë institucionit tonë për tu informuar në lidhje me gjithë procedurën zyrtare të ndjekur nga RTSH-ja në këtë rast”, thuhet në deklaratën e RTSH-së.

Më tej sqarohet se “ne, patjetër e kuptojmë reagimin popullor në lidhje me “privatizimin” e Kombëtares, e cila përsëri nuk u transmetua në asnjë kanal televiziv “free” (pa pagesë), por nuk mund të mbajmë mbi supe “faturën” për këtë mos-transmetim, ne si RTSH që kemi bërë përpjekjet maksimale deri në minutat e fundit. Ka ikur ajo kohë kur ky institucion ka blerë të drejtat televizive nga sekserë që duan të pasurohen, ose të nxjerrin shpenzimet e tyre, nëpërmjet shitjes “dorë më dorë” të Kombëtares dhe të drejtave televizive të saj. RTSH edhe këtë radhë ka ndjekur çdo procedurë, duke u interesuar direkt tek kompania që “gëzonte” këto të drejta dhe nuk është faji i institucionit tonë, që kjo kompani, pa patur asnjë masë detyruese nga FSHF-ja (për ta transmetuar të paktën në një kanal pa pagesë Kombëtaren), as nuk shpall tender të drejtash televizive dhe as nuk e konsideron fare kërkesën e RTSH-së. E pra, RTSH nuk mund të përdoret më, si “dorë e tretë” apo e katërt, blerjesh të drejtash që rriten artificialisht dhe pa asnjë logjikë tregu, por me synimin e vetëm për tu pasuruar nga “magjia” që dhuron Kombëtarja e futbollit”.

RTSH informon po ashtu se ka nisur një politikë të re, sidomos në transmetimet sportive. “Kontratat e lidhura për ndeshjet kualifikuese të Kombëtares Shqiptare, ndeshjet kualifikuese të Kosovës, të ekipeve më të njohura evropianë, të fazave finale të Botërorit 2018, apo 2022 (të drejta ekskluzive këto), të ndeshjeve të Kampionateve shqiptare të futbollit (Kategoria Superiore, Kategoria e parë, apo Kampionati i moshave), të UEFA Europa League, duke transmetuar qysh në periudhën e verës, ekipet shqiptare si Kukësin apo Partizanin, ekskluzivisht,… ndoshta këto, kanë shqetësuar me të drejtë operatorët e tjerë. Ju garantojmë që ky është vetëm fillimi. RTSH do të bëj maksimumin, sot e në vazhdim që të garojë në çdo tender të drejtash transmetimi si një institucion serioz, si një partner ideal mediatik për çdo Federatë, për çdo aktivitet, kombëtar e ndërkombëtar”.

“RTSH transmetoi për të parën herë, Kombëtaren tonë të basketbollit në një ndeshje luajtur në Gjeorgji një ditë më parë dhe do vazhdoj t’i transmetojë të gjitha ndeshjet kualifikuese që Përfaqësuesja jonë “e koshit” do të zhvilloj në kuadrin e kualifikueseve për Euro 2017. Po kështu, do të vazhdojmë edhe me volejbollin shqiptar, për të përmbushur jo vetëm misionin si media publike, por edhe për të shërbyer në rritjen e cilësisë së sportit kombëtar. Kanali sportiv televiziv pa pagesë, RTSH Sport, që do të fillojë transmetimet 24 orë në ditë dhe që do të ketë shtrirjen e TVSH-së, siç duket, ka stimuluar ndjeshëm “baltën” e hedhur orët e fundit, por kjo nuk na ndal dot në rrugën që kemi nisur. Takohemi të hënën në mbrëmje, drejtpërdrejtë nga “Loro Boriçi” me debutimin zyrtar të Kombëtares sonë, Shqipëri – Maqedoni, ora 20.45 në RTSH HD, TVSH dhe RTSH Sport”, përfundon deklarata.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button