Home / Rajoni / Maqedonia / Maqedoni: Miratohet qeveria për zgjedhjet e 11 dhjetorit, kryeministër Emil Dimitriev

Maqedoni: Miratohet qeveria për zgjedhjet e 11 dhjetorit, kryeministër Emil Dimitriev

Ligjvënësit maqedonas kanë miratuar formalisht edhe qeverinë teknike që do të udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit, në atë që shihet si përpjekja e radhës për t’i dhënë fund krizës politike 20-mujore.
Emil Dimitriev, i cili vjen nga partia konservatore në pushtet VMRO-DPMNE, do të jetë kryeministri “kujdestar” për herë të dytë gjatë këtij viti. Ndërkohë që datat e mëparshme të rëna dakord mes palëve për zgjedhjet, ato të 24 prillit dhe 5 qershorit, janë anuluar.
Parlamenti arriti akordin ditën e premte që politikanët opozitarë të merrnin Ministritë e Brendshme dhe të Punësimit.
Maqedonia ka qenë mes trazirave politike që prej shkurtit të vitit 2015, pas skandalit masiv të përgjimeve, në të cilin u dëgjuan bisedat e monitoruara të mbi 20 mijë personave. Dy partitë kryesore të vendit akuzojnë njëra-tjetrën për përgjimet.
Megjithatë, krerët e 4 partive më të mëdha të vendit, VMRO-DPMNE, BDI, LSDM dhe PDSH, ranë dakord ditën e mërkurë për caktimin e datës së zgjedhjeve në dhjetor. Ata firmosën deklaratën e përbashkët, ku theksohet fakti se janë përmbushur të gjitha kushtet, që raundi zgjedhor të zhvillohet në këtë datë. Sipas marrëveshjes, qeveria tranzitore do të ketë mandat tremujor deri për organizimin e zgjedhjeve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: