Home / Politika / Carlo Ancelotti, në Tiranë. Bashkëbisedim për librin dhe karrierën e tij

Carlo Ancelotti, në Tiranë. Bashkëbisedim për librin dhe karrierën e tij

Pas udhëtimit të tij të kësaj jave, në forumin e trajnerëve elitarë europianë në Gjenevë të Zvicrës, Carlo Ancelotti ka mbërritur me ftesë të kryeministrit Edi Rama në Tiranë.
Biseda me trajnerin italian është zhvilluar në Kryeministri përpara 150 të ftuarve, mbi librin e tij të tretë “Udhëheqja e urtë: Si të fitosh zemrat, mendjet dhe ndeshjet”.
Kryeministri Rama, ashtu si dhe gazetarët e pranishëm, kanë qenë kuriozë rreth karrierës dhe momenteve të ndryshme të Ancelottit, si lojtar dhe si trajner.
Italiani, i cili këtë sezon ka filluar një aventurë të re si trajner i Bayern Munchen, ka qenë i hapur rreth çdo pyetjeje, e për më tepër se një orë bashkëbisedoi me të pranishmit.
Mes të ftuarve ishin, veç gazetarëve, edhe trajneri i kombëtares Gianni De Biasi, drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit, presidentë dhe trajnerë të klubeve të Kategorisë Superiore, biznesmenë dhe njerëz të sportit shqiptar.
Kjo është vizita e tretë e Carlo Ancelottit në Shqipëri, teksa disa vite më parë erdhi në Tiranë si trajner i Milanit, që zhvilloi dy ndeshje miqësore: 3-3 me kombëtaren kuqezi (13 maj 2009) dhe 2-1 me bardheblutë e Tiranës (15 tetor 2008).

Leave a Reply

%d bloggers like this: