IntervistaPolitika

Sekreti i Lu-së: Televizionet shqiptare më tërbojnë!

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në një nga intervistat e tij të rralla për revistën “Mapo”, dhënë gazetarit Alfred Lela, tregon përpjekjet e tij për realizimin dhe miratimin e Reformës në Drejtësi. Ambasadori tregon bisedat me Kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta, kreun e opozitës Basha, por edhe ishkryeministrin Berisha për të arritur konsensusin për miratimin e reformës.

Ai shprehet se ka folur hapur me deputetë të ndryshëm të Kuvendit, duke i treguar edhe pasojat që do të kishin nëse nuk e miratonin atë. Interesin e lartë të SHBA-ve për këtë reformë, Donald Lu e shpjegon me faktin se SHBA-të nuk mund të kenë një partner si Shqipëria apo dhe marrëdhënie tregtare, nëse nuk ka një sistem drejtësie ligjor dhe funksional.

Në rrëfimin e tij për zhvillimet politike në Shqipëri, ambasadori Lu, pasi përmend efektet e para të ligjit të dekriminalizimit, përmes emrave konkretë të të zgjedhurve lokalë dhe qendrorë, shprehet se në zgjedhjet e 2017-s nuk do të ketë më individë me të shkuar kriminale.

Ai flet dhe për traditat shqiptare, si mikpritja, por dhe për ushqimin e shijshëm që ha në restorantet shqiptare. Donald Lu është i mrekulluar me gjuhën shqipe, të cilën vijon ta perfeksionojë, ndërsa nuk harron të përmendë takimet e tij me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, të cilin e vlerëson si thesar kombëtar, ndërsa veçon romanin e tij “Kush e solli Doruntinën”.

Zoti ambasador, disa njerëz mund të pyesin se përse ka kaq shumë presion nga amerikanët, nga Departamenti i Shtetit dhe nga ambasada që ju përfaqësoni? Përse kaq shumë presion për këtë reformë në veçanti? Cilat janë interesat e amerikanëve tek ajo?

Unë e kam thënë qartazi se është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Shqipëria, një aleate e NATO-s dhe e Shteteve të Bashkuara, të ketë një sistem ligjor të ndershëm dhe funksional. Kjo është e rëndësishme për interesat tona për sigurinë, si anëtarë të NATO-s, është e rëndësishme për interesat tona tregtare si partnerë ekonomikë dhe është e rëndësishme që ne të kemi vlera të përbashkëta që ndajmë me njëri-tjetrin, ndërsa Shqipëria ecën përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, dhe ndërsa ecim përpara së bashku në koalicione kudo në botë për të mbrojtur lirinë, kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e asaj çka nënkupton demokracia.

Si jeni ndier, apo çfarë menduat për ata njerëz që ngritën termin apo tezën se Shqipëria do të humbiste sovranitetin, nëse aprovonte këtë ligj? Pati disa gazeta, disa opinionistë, disa politikanë që e ngritën këtë ide. Ishte spekulim?

Ju e keni dëgjuar ambasadoren Nuland teksa fliste për sovranitetin e Shqipërisë. Ne, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara kemi folur për sovranitet. Për të qenë i sinqertë, ajo që është bërë në Uashington, Bruksel dhe këtu në Tiranë pasqyron faktin se qeveritë tona, qeveritë e Bashkimit Europian dhe e Shteteve të Bashkuara po mbështesim diçka që ne besojmë se mbështetet nga populli shqiptar.

Çfarë është sovraniteti dhe demokracia, përveçse mbështetja e vullnetit të popullit? Prandaj edhe pati shumë kritika për ato që në media u interpretuan si kërcënime. Ajo që mund të them se ne bëmë, si në çdo demokraci, ishin diskutimet e hapura me udhëheqësit politikë, anëtarët e Parlamentit, udhëheqësit e partive.

U thamë atyre se ky është vendimi juaj, vendimi juaj sovran, ajo çka ju si individë vendosni, por donim edhe që ata ta dinin se nëse votonin kundër kësaj reforme, do të kishte pasoja. Do të kishte pasoja për Shqipërinë në lidhje me marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara, por edhe pasoja individuale për persona të caktuar në lidhje me Shtetet e Bashkuara.

Cilat do të ishin këto pasoja individuale që përmendni?

Më lejoni ta përfundoj, duke thënë se Uashingtoni e bëri këtë në mënyrë shumë të ndërgjegjshme dhe e bëri këtë në solidaritet me popullin shqiptar. Ne nuk do ta bënim kurrë këtë gjë pa kuptuar më parë se çfarë donin shqiptarët. Ka pasur shumë spekulime në media mbi ato që do të ishin pasojat. Lejomëni t’ju them se shumica e këtyre spekulimeve ishin të gabuara dhe se njerëzit kanë një imagjinatë mjaft krijuese për këto pasoja, por ato ishin biseda private me secilin politikan.

Ambasada nuk e përgënjeshtroi asnjëherë thashethemin apo faktin, quajeni si të doni, se zyrtarë të ambasadës u dërguan mesazhe telefonike në celular disa politikanëve, duke i kërcënuar ata që të miratonin reformën. A u dërguan mesazhe të tilla, apo edhe ky ishte një tjetër spekulim?

Lejomëni t’ju them se të gjitha bisedat e mia mbi pasojat dhe mbi marrëdhëniet janë bërë të tëra ballë për ballë, ashtu si ne bëjmë në një demokraci. Ashtu siç jemi ulur sot ne të dy duke biseduar për këto çështje, ashtu edhe ne u ulëm me shumë politikanë. Ata na bënë pyetje, ne u bëmë pyetje dhe më pas biseduam edhe për pasojat. Këtë e bëmë si rezultat i udhëzimeve nga Uashingtoni.

Ju përmendët Partinë Demokratike. Ka pasur një perceptim në një kohë të caktuar se jeni treguar i padrejtë me z.Basha, ku bëtë disa deklarata të ashpra. Nëse kthehemi pas, ju keni pasur një marrëdhënie të ngrohtë me z.Basha, të cilin paraardhësi juaj, z.Arvizu e quajti “yll në ngritje”, por të cilin ju shpeshherë e keni bërë të duket si “yll në zbritje”. Çfarë ndodhi?

Më lejoni të përsëris diçka për të cilën folëm më parë, që në të gjithë botën, qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe ambasadat amerikane punojnë ngushtë me opozitën. Është pjesë e asaj që ne si amerikanë bëjmë, është pjesë e sistemit tonë të besimit që opozita duhet të ketë një zë në të gjitha vendet ku ne kemi partneritet dhe këtu përfshihet edhe Shqipëria.

Ne kemi punuar ngushtë me socialistët kur ata ishin në opozitë në Shqipëri dhe po punojmë ngushtë me demokratët që janë aktualisht në opozitë. Është tërësisht e vërtetë se kur z.Basha paraqiti pengesa për Reformën në Drejtësi, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara folën me sinqeritet për këto pengesa.

Dua të them gjithashtu se edhe kur z.Rama krijoi probleme të tijat në ecjen përpara me reformën, ne kemi qenë po aq të sinqertë me z.Rama. Për mua, ajo që është më e rëndësishme për t’u reflektuar, është se në orët e para të mëngjesit të 22 korrikut, ju kishit mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike, Partisë Socialiste, LSI-së dhe të gjitha partive të tjera të vogla për një reformë të kërkuar nga populli shqiptar. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Nuk besoj se do të shohim një të tillë për vite të tëra. Ky është një moment historik për Shqipërinë.

Pra, ajo që ndodhi midis jush dhe z.Basha tashmë është fshirë për shkak të rezultatit pozitiv të reformës?

Për z.Basha, z.Rama dhe z.Meta, më lejoni të them se të gjithëve ne na la mbresa roli që LSI-ja luajti për t’i mbledhur të gjithë së bashku në fund, demokratë dhe socialistë. Ne ishim kritikë ndaj Partisë Demokratike në momente të caktuara, kjo është e vërtetë, por është me të vërtetë mbresëlënëse që në fund ata arritën të gjejnë një formulë, një kompromis, që ata vetë krijuan dhe shkruan, dhe të cilën mund ta mbështesnin. Mendoj se është po aq mbresëlënëse që z.Rama dhe socialistët ishin aq fleksibël sa ishin gjatë ditëve të fundit, sepse pa fleksibilitetin e tyre nuk do të kishte pasur kompromis për të ecur përpara.

Meqenëse përmendët z.Meta, ka pasur një perceptim se ai ishte pengesa e vërtetë e kësaj reforme, por gjërat ndryshuan sepse ai votoi për reformën dhe luajti rolin e negociatorit në momentin e fundit. Një tjetër perceptim ishte se z.Meta u anashkalua nga Departamenti i Shtetit, nga znj.Nuland, z.Kerry etj. dhe nuk iu caktuan takime gjatë vizitave të tyre. A keni një ide përse u krijuan këto perceptime?

Z.Meta është kryetari i Parlamentit Shqiptar. Ai është gjithashtu prej një kohe të gjatë edhe një partner i Shteteve të Bashkuara. A bie unë dakord me z.Meta për çdo gjë? Pa dyshim që jo! Por ne kemi marrëdhënie të mira dhe do të vijojmë të kemi një partneritet të fortë. Z.Meta gjithashtu viziton shpesh Shtetet e Bashkuara. Ai ka marrëdhënie të ngushta me disa nga anëtarët e Kongresit dhe Ambasada Amerikane, ashtu si për të gjithë zyrtarët e lartë, ka ndihmuar në organizimin e takimeve të tyre në Uashington. Ne kemi punuar ngushtë me zyrën e z.Meta për të gjitha vizitat e tij në Uashington.

Personalisht, ju vlerësoj për mbështetjen që i dhatë opozitës kur ata filluan të denoncojnë publikisht, në Parlament dhe nëpër bashki, elementë sipas tyre të inkriminuar gjatë asaj që më vonë u njoh si “dekriminalizimi”. A keni menduar ndonjëherë se, ata njerëz që juve i luftuat fort, të paktën duke i denoncuar publikisht, u përzgjodhën nga po ata njerëz që pretendonin se donin që Reforma në Drejtësi të miratohej. A ka një paradoks këtu, se këta njerëz që i vunë këta individë në poste të larta, dilnin në publik dhe thoshin se kjo reformë duhej patjetër, se ishte gjëja më e mirë që na kishte ndodhur?

Mua më duket një paradoks. Mendoj se është pa dyshim e vërtetë se në Shqipëri dhe në shumë vende ekziston një lidhje midis kriminelëve dhe krimit të organizuar dhe interesave të fuqishme tregtare. Mendoj se nuk mund ta vëmë në dyshim se në Shqipëri, pothuajse çdo sektor i ekonomisë, ka lidhje me krimin e organizuar, në ndërtim, në farmaceutikë, në transport, në çdo gjë që mund të imagjinoni ka elementë kriminalë që punojnë në mënyrë aktive. Mendoj se kjo është e vërtetë edhe në politikë, fatkeqësisht, dhe se në çdo parti ka lidhje midis kriminelëve dhe politikanëve.

Unë nuk jam i kënaqur që e them këtë, por mendoj se është e vërtetë. Prandaj dhe mendoj se është e rëndësishme që Shqipëria ka ecur përgjatë rrugës së dekriminalizimit. Pjesë e kësaj rruge ishte ligji për dekriminalizimin, por mendoj se ai ishte vetëm një pjesë e historisë. Mendoj se publikut i ka ardhur në majë të hundës me këta kriminelë, sidomos kriminelë që janë në poste shtetërore. Dhe jam i befasuar nga disa ndryshime që kanë ndodhur brenda një viti e gjysmë.

Më lejoni të rendis disa prej tyre. Shukri Xhelili, Mark Frroku, Armando Prenga dhe Elvis Roshi janë të gjithë duke u ndjekur penalisht. Arben Ndoka dha dorëheqjen nga Parlamenti, ndërsa Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin deputetit Koço Kokëdhima. Ilir Petraj dhe Gentian Muhameti u ndaluan që të merrnin pjesë në zgjedhje. Këto janë gjëra shumë të jashtëzakonshme dhe kanë ndodhur brenda një viti të vetëm.

Dhe kjo nuk mendoj se ndodhi sepse partitë politike vendosën se nuk i donin më këta njerëz, por sepse shqiptarët u ngritën dhe thanë “mjaft me këtë”, dhe media u përqendrua tek disa aktivitete kriminale të politikanëve. Dhe gazetarë të guximshëm kanë bërë kërkime për të gjetur të vërtetën e së kaluarës, e së kaluarës skandaloze, të disa prej këtyre politikanëve.

…Nuk mund të harroj zotin Berisha. Ju jeni takuar me të shumë herë. Ai është ish-kryeministër, një prej politikanëve kryesorë të këtyre 25 viteve të fundit. A ka ai një rol në procesin e vendimmarrjes së Partisë Demokratike apo ju e takoni për atë që ai përfaqëson, një prej figurave kryesore të tranzicionit shqiptar? Dua të them, përse i kushtoni kaq vëmendje një politikani që është tërhequr, ka dalë në, le të themi, “gjysmë pensioni”?

Nuk besoj se z. Berisha do binte dakord me ju se pothuajse ka dalë në pension. Unë e pranoj që z. Berisha nuk është më kryetar i Partisë Demokratike dhe nuk është as drejtuesi i opozitës.

Por ai është një person me ndikim në Shqipëri dhe unë besoj me vendosmëri se është në interesin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të popullit të Shteteve të Bashkuara, që përfaqësuesit e tyre, unë dhe persona të tjerë që punojnë në ambasadë dhe njerëz në Uashington, të jenë në kontakt me njerëz që kanë ndikim. Kështu, duke u mbështetur në këtë kriter, unë shpresoj që t’i vazhdoj takimet e mia me z. Berisha dhe të vazhdoj të kërkoj këshillën e tij.

Nëse do të përmendnit diçka që ju tërheq dhe diçka që ju acaron nga Shqipëria, cilat do të ishin ato?

Përgjatë Reformës në Drejtësi kalova kohë të gjatë duke biseduar me politikanë dhe duke ndjekur politikën. Po ju them edhe një sekret tjetër, më duhet ta pranoj që nuk i shoh televizionet shqiptare sepse më tërbojnë.

Gjithë ata njerëz që bërtasin, që gjatë gjithë kohës i ulërasin njëri-tjetrit dhe nëse më duhet të them diçka që më acaron është niveli i dialogut politik, i cili është shumë konfrontues, i shëmtuar dhe personal. Kjo ndodh edhe në Uashington, edhe në Londër, edhe në Berlin, por këtu merr një nuancë hiperbolike, ku nuk ka rëndësi e vërteta apo gënjeshtra, njerëzit vetëm sulmojnë njëri-tjetrin pa asnjë kufi.

Dhe nëse do të përmendja diçka që më frustron dhe më acaron dhe do të doja ta ndryshoja, është që njerëzit të kenë disa kufij në diskutimet publike. Mendoj se me kalimin e kohës, Shqipëria do t’i vendosë disa kufij.

Marrë me shkurtime nga revista “MAPO”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button