Home / Opinion / Ta marrim Trump seriozisht për NATO-n

Ta marrim Trump seriozisht për NATO-n

Nga: Jacek ROSTOWSKI

Ndërsa pranon se presidenca e Donald Trump do të ishte një katastrofë për NATO-n dhe Perëndimin, Jacek Rostowski argumenton se ai ka të drejtë rreth marrjes së më shumë përgjegjësive nga anëtarët europianë të Aleancës për shpenzimet e mbrojtjes së përbashkët.

Një presidencë e Donald Trump do të ishte një katastrofë për NATO-n dhe Perëndimin. Përveç kërcënimit për të nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja Amerikano-Veriore e Tregtisë së Lirë dhe për të filluar një luftë tregtare me Kinën, Trump vlerëson presidentin rus Vladimir Putin dhe sugjeron se Amerika nuk duhet të respektojë zotimet e veta për të mbrojtur aleatët e vet të NATO-s nëse ata nuk paguajnë më tepër për atë mbrojtje.

Megjithëse shanset e Trump po pakësohen çdo ditë, Bashkimi Europian duhet ta konsiderojë kandidaturën e tij një thirrje për t’u zgjuar në mbrojtje të vetes. PBB-ja totale e BE-së është paksa më e lartë se e Amerikës, megjithatë ajo kontribuon vetëm 25% të buxhetit të mbrojtjes së NATO-s, ndërsa SHBA mban 72% të përgjegjësisë dhe Kanadaja e Turqia ofrojnë pjesën tjetër.

Nëse Rusia provonte një sulm të papritur në territorin e NATO-s dhe do të mundej, mund të konsiderojë lançimin e një sulmi bërthamor të parë në Europë. Mbi të gjitha, ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Rusia nuk ka përjashtuar përdorimin ofensiv të armëve bërthamore. Në një skenar të tillë, mbrojtja bërthamore e Amerikës do të përbënte mbrojtjen e vetme të besueshme të Europës. Por nëse SHBA kundërpërgjigjej ndaj një sulmi ajror rus, do të rrezikonte përballjen me një kundërsulm mbi territoret dhe forcat e veta ajrore. Një logjikë e tillë do të shkaktonte shkatërrim të ndërsjelltë.

Përse duhet SHBA të rrezikojë kaq shumë për një kontinent që investon pak për kapacitetet e veta të mbrojtjes? Kjo nuk është një pyetje e palogjikshme për t’u ngritur dhe ndërsa presidentë të mëparshëm amerikanë kanë pasur frikë ta trajtojnë, një demagog populist ka nxituar ta bëjë.

Një problem është se zotimi i anëtarëve të NATO-s për të shpenzuar të paktën 2% të PBB-së për mbrojtjen nuk është aspak i mjaftueshëm. SHBA shpenzon 3.5% të PBB-së së vet për mbrojtje dhe nuk ka arsye përse BE-ja duhet të shpenzojë më pak se SHBA, duke marrë parasysh kërcënimet e shumta me të cilat përballet, nga Rusia te kërcënimet për sulmet terroriste nga Shteti Islamik.

Për më tepër, shumica e shpenzimeve për mbrojtjen të shteteve europiane të NATO-s janë poshtë 2% të detyrueshëm të PBB-së, ku vetëm Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Greqia dhe Estonia i përmbahen nivelit të shpenzimit. Në samitin e NATO-s në vitin në Njuport të Uellsit kjo ishte një marrëveshje e arritur mes vendeve anëtare që asnjë prej tyre nuk do t’i kufizonte më tej shpenzimet – dhe një tjetër marrëveshje e këtij viti për të përmbushur shënjestrën 2% u pa si një arritje e madhe.

Problemi nuk është se vendet e BE-së janë të paqëndrueshme në thelb. Problemi është se ata i kanë duart të lidhura me kursimin fiskal. Unë e përjetova këtë si ministri i financave të Polonisë gjatë dhe pas krizës financiare të vitit 2008. Në dy raste kur papritur mu desh të ulja shpenzimet për t’iu përshtatur Paktit të Stabilitetit dhe Zhvillimit të BE-së (SGP), një marrëveshje e vitit 1997 mes shteteve anëtare për përgjegjësinë fiskale, pata pak mundësi përveçse të ulja buxhetin e mbrojtjes.

Fatmirësisht, Akti i Financave Publike 1998 i Polonisë kërkon që 1.95% e PBB-së të shpenzohet për mbrojtjen. Ndaj, menjëherë pas përfundimit të krizës, shpenzimet e mbrojtjes polake u rikthyen në nivelin e detyrueshëm të NATO-s.

Kjo çon në një zgjidhje të mundshme: SHBA duhet të rindërtojë zotimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s, që të jetë vetërregullues – ajo që ekonomistët e quajnë “të përshtatshme me stimujt”.

Si fillim, shpenzimet e vendeve të BE-së për mbrojtjen duhet të përjashtohen nga SGP. Franca e ka kërkuar prej kohësh këtë, por Gjermania – që shpenzon 1.2% të PBB-së për mbrojtjen – e kundërshton, duke pretenduar se do të rihapte kutinë e Pandorës për kërkesa dhe përjashtime të tjera.

Në vitin 2015, kryeministrja e atëhershme e Polonisë propozoi që nëse buxheti i plotë i mbrojtjes nuk mund të përjashtohet nga SGP, të paktën rritjet në shpenzimet e mbrojtjes mbi 2% të PBB sipas zotimit të NATO-s duhet të përjashtohen për një vit. Polonia nuk do të kishte përfituar, sepse tashmë e kishte përmbushur kërkesën e NATO-s; por ndryshimi do ta bënte më të lehtë për vendet e tjera europiane përmbushjen e zotimeve të tyre.

Gjermania e refuzoi propozimin polak – sërish me justifikimin e kutisë së Pandorës. Por, propozimi i Kopacz ishte shumë modest. Politika globale është bërë më e pasigurt që nga viti i shkuar. Me SHBA-në që po sheh më tepër drejt Aziës, ku pretendimi territorial i njëanshëm i Kinës në detin e Kinës Jugore ka vënë në rrezik stabilitetin rajonal, mund të bëhet më e vështirë të ofrojë parandalim të besueshëm të agresionit rus, veçanërisht kur merr formën jo të zakonshme të sulmeve hibride.

BE-ja duhet t’i përgjigjet këtyre dinamikave gjeopolitike në ndryshim duke miratuar propozimin polak dhe duke e shtyrë edhe më tepër se një vit. SGP duhet të përjashtojë rritjet në shpenzimin e përgjithshëm të mbrojtjes për pesë vite dhe rritjen e shpenzimeve mbi prokurimin e pajisjeve për dhjetë vjet. Kjo nuk është e gjitha: Komisioni Europian duhet të jetë në gjendje të heqë limitin 2% të PBB-së për vendet individuale ose për BE-në si një e tërë, në varësi të rreziqeve të jashtme të sigurisë dhe nevojave ekonomike.

Ky ndryshim nuk do të jetë i lehtë, por SHBA duhet të këmbëngulë për të, pavarësisht rezistencës së vazhdueshme gjermane në emër të ndershmërisë fiskale. Gjermania, që ka kërkuar me zhurmë që Greqia të mbajë premtimet e saj ndaj BE-së, tani po pengon aftësinë e vendeve anëtare të NATO-s për të përmbsuhur zotimet e tyre ndaj mbrojtjes kolektive. Edhe më keq akoma, imponimi i gabuar i Gjermanisë për kursimin në eurozonë ka penguar kohezionin politik europian, duke hapur kështu portën për agresion dhe revanshizëm rus.

Trump ka të drejtë për diçka: aleatët e NATO-s duhet të marrin përgjegjësinë e tyre përsipër. Por ai mesazh i duhet dërguar Gjermanisë, jo Estonisë. SHBA duhet t’i thotë Gjermanisë – në të njëjtat terma pa kuptim që Gjermania ka përdorur me Greqinë – që nuk mund të varet te SHBA-ja për sigurinë e vet ndërsa pengon unitetin perëndimor për të mbrojtur taksapaguesit.

Si lideri de fakto i BE-së, Gjermania duhet ta bëjë më të lehtë, jo më të vështirë, për anëtarët e NATO-s  të përmbushin detyrimet  e tyre ndaj mbrojtjes kolektive. Ajo duhet të fillojë duke përqafuar propozimin polak dhe duhet të vazhdojë progresin që aty.

Leave a Reply

Your email address will not be published.