Home / Sporti / Konte: Tek Italia ime vendos unë!

Konte: Tek Italia ime vendos unë!

Prezantohet trajneri i ri “axurr”: Do të thërras ata që e meritojnë

19KonteRishfaqet Antonio Konte. Pas pak më shumë se një muaj nga lamtumira, trajneri italian rikthehet në punë dhe e bën nën drejtimin e stolit më të rëndësishëm, atë të kombëtares. Një zgjedhje që ka hapur shumë diskutime, por që ish-trajneri bardhezi e pranoi pa u menduar shumë. “Jam i emocionuar dhe nuk mund ta mohoj. Në vendin tim do të donin të ishin shumë trajnerë të botës. Italia është një nga skuadrat më të rëndësishme në botë, me katër botërorë të fituar. Jam krenar që presidenti mendoi për mua. Jam i kënaqur dhe gjej rastin të përshëndes Çezare Prandelin. Një falënderim shkon edhe për Arrigo Sakin për punën e tij në sektorin e të rinjve. Deri sa të jem unë, dyert e kombëtares do të jenë gjithnjë të hapura, – deklaroi trajneri i ri ‘axurr’. – Nuk mendoja se do të rifilloja punë pas 35 ditësh. Mendoja të përmirësoja studimin e gjuhëve, në pritje të një oferte të re. Por pastaj erdhi thirrja nga Italia. Kam privilegjin që jam trajner i kësaj kombëtareje.” Materiali në dispozicion do të jetë i njëjti që kishte Prandeli në Botërorin zhgënjyes brazilian, por Konte nuk shqetësohet: “Jam i bindur që kemi elementë të mirë. Jam i bindur që duhet të bëjmë një skuadër të madhe. Më pëlqejnë sfidat e reja, mjafton të mendosh tre vjet më parë kur erdha te Juventusi. Jam i bindur se do ta marrim veten, sepse Italia duhet të qëndrojë në vendet e para të renditjes botërore, – pranoi tekniku ‘axurr’, para se të flasë për Rosin e Balotelin. – Rosi është një pasuri, shpresoj të zgjidhë problemet e tij për të mirën e Fiorentinës dhe të kombëtares. Shpresoj ta kem të gatshëm. Sidoqoftë, parapëlqej të mos flas për emra të veçantë, sepse të gjithë janë lojtarë që mund të grumbullohen. Por grumbullimi duhet merituar”. Më pas Konte flet për kontratën e tij “të shtrenjtë” me federatën: “Në këto 35 ditë kam lexuar shumë pak. Kontrata me federatën është brenda parametrave, duke shitur të gjitha të drejtat e imazhit të federatës. Një gjë që nuk e kisha bërë asnjëherë më parë. Ndërhyrje nga sponsorët? Kush më njeh, si në aspektin njerëzor, ashtu edhe në atë profesional, e di që asnjë nuk mund të zgjedhë në vendin tim. Asgjë dhe asnjë, kurrë”. Një argument delikat është edhe marrëdhënia mes klubeve dhe stazhit të lojtarëve me kombëtaren: “Qëllimi im është që të raportoj me të gjithë trajnerët dhe lojtarët, në mënyrë të vazhdueshme, – vazhdon Konte. – Nëse duam të përmirësohemi, është e drejtë që trajneri i kombëtares të takohet me trajnerin e klubit, duke bashkëbiseduar për metodologjitë. Duhet të punojmë në grup. Nëse ia arrijmë, ulim diferencën me kombëtaret e tjera të mëdha në mënyrë të shpejtë. Dua të punoj me klubet, duke qenë i hapur për të zgjidhur çdo problem”.

Kontrata

Konte ka nënshkruar dy marrëveshje me federatën italiane, për një shifër prej 4 milionë eurosh në vit. E para (2 mln), si trajner dhe koordinator i kombëtares së të rinjve; e dyta për shitjen 100% të të drejtave të imazhit të tij nga ana e federatës, ku falë sponsorit “Puma”, do t’i paguajë edhe 2 milionë të tjera.

Leave a Reply

%d bloggers like this: