Kronika e zeze

Vdes një nga themeluesit e DITA-s, drejtori i gazetës Ardian Osoja

A-300x165Një nga themeluesit e gazetës DITA, drejtori i saj Ardian Osoja ka ndërruar jetë natën mes të martës dhe të mërkurës, pas një infarkti në zemër.

Lajmi tragjik është konfirmuar nga familjarët.

Kolegu dhe miku ynë i dashur, ishte vetëm 46 vjeç. Vdekja ka ndodhur rreth orës 01.30 pas mesnate në shtëpinë e marrë me qira për pushimet e gushtit në Vlorë ku Ardi ishte bashkë me bashkëshorten Entelën dhe djalin Kristianin.

Ardi është paraqitur në urgjencën e mbingarkuar të Vlorës me shqetësime të shendetit rreth orës 19.00 mbrëmjen e së martës, por e kanë diagnostikuar me probleme stomaku dhe protokolli standart i kontrollit nga të dhënat e para duket i anashkaluar. Ardi merrte prej disa muajsh mjekim për probleme me tensionin.

Trupi është sjellë në Tiranë dje në mesditë, varrimi kryhet sot në orën 11.00 në varrezat e Sharrës.

Ardian Osoja ka qenë një nga drejtuesit më të suksesshëm në infrastrukturën e vështirë të shtypje-shpërndarjes së gazetave në Shqipëri. Ai ka qenë drejtor dhe administrator në të përditshmet Gazeta Shqiptare, Metropol, Panorama, Tirana Observer, Shekulli,  si dhe në gazetat sportive Gol dhe Sport Ekspres.

Prej nëntorit 2012, që prej numrit të parë të saj, ishte drejtor i gazetës DITA.

Stafi i bashkohet dhimbjes së Entelës, Kristianit të vogël, prindërve të moshuar të Ardit, vëllait Teos, familjarëve, miqve dhe të afërmve

Lamtumirë Oso!

**************

Kjo është Shqipëria që kemi gatuar

Nga Adrian Thano

Nuk pushonte kurrë një sekondë, ndërsa unë rrija e dëgjoja me atë heshtjen time të zakonshme prej skeptiku. Zemërmiri Oso kishte përherë diçka për të thënë.

Habitesha si arrinte të mbyllte dhjetëra takime në ditë, duke ecur nxituar me atë çantëzën e vogël në njërën dorë dhe cigaren e nëmur që nuk e ndante, në tjetrën. Unë lodhesha shpesh, ai jo. Unë prishja thuajse gjithçka me nervozizmin tim prej të marri, ai gjente gjithmonë fjalët e duhura për të më qetësuar. Optimisti Oso nuk dorëzohej kurrë.

E kuptoja nga përpjekja e mundimshme për të zgjedhur fjalët, kur gazeta nuk ecte mirë. I ndjeja numrat e suksesshëm kur këmbëngulte të më zgjonte nga gjumi me telefonatat e shtuara mëngjeseve. E ngreja më në fund atë telefon dhe i flisja gjithë përtesë, kurse ai buçiste nga ana tjetër shend e verë: “Po të kam thënë njëqind herë more djalë, ngrije atë dreq tirazhi, se më plase…” Ishte shprehja që ia thosha unë, sa herë më ankoheshin lexuesit që nuk gjenin DITA në treg. Unë e ulërija i nervozuar, ai e kthente po aq herë i qeshur.

E humbëm Oson. I plasi zemra në duart e Entelës, pak orë pasi një debil në urgjencën e Vlorës i dha recetë me ilaçe stomaku, një pacienti me simptomat e parainfarktit dhe e dërgoi shpejt e shpejt në shtëpi.

Por humbja e Entelës, Kristianit të vogël (fëmija më i veçantë që kam njohur ndonjëherë) Teos, prindërve të moshuar, miqve është vetëm ajo e dukshmja që dhemb. Ka edhe një humbje tjetër që do mbetet e tillë po aq gjatë. Shtypi i shkruar ka humbur dje në heshtje një nga mjeshtrat e tregut të shtypje-shpërndarjes. Pak njerëz e njohin këtë treg mizerje. Është një nga punët më të vështira në Shqipëri. Merrem që prej marsit të vitit 1996 me gazetat, plot 18 vjet që endem redaksive; nuk kam njohur kurrë një njohës më perfekt të këtij tregu se Osoja.

Nuk do them gjë tjetër sot. Nuk mjafton të shkruash fjalë. Dhe nuk dua t’u thyej edhe më zemrën familjarëve të Ardit. Ata janë njerëz të mirë e të urtë; nuk donin as zhurmë as bujë në dhimbjen e tyre. Nuk donin të shkruaja asgjë në gazette, sidomos kundër mjekëve, etj. Dhe ndoshta kanë të drejtë. E çfarë nëse shkruaj që edhe sikur debili i urgjencës të ishte gjeni mjekësie, në urgjencë për TURP ka vetëm një dollapë dhe ca regjistra? Çfarë nëse shkruaj që një ndihmëse e debilit donte për TURP 20 mijë lekë ryshfet që të fuste trupin në morg? Çfarë nëse shkruaj që edhe agjensia e funeralit është për TURP pronë e mjekut ligjor dhe pasi të firmosin dokumentin e vdekjes, të shesin arkivolin dhe transportin për Tiranë?! E çfarë nëse thua  që drejtuesi i ri i spitalit në Vlorë për TURP është produkt i pazareve të deputetëve lokalë? Për cilin turp të shkruash më parë? Kjo është Shqipëria që kemi gatuar. Vendi ku askush nuk paska më turp. Monstra e vogël me uri të madhe që me sa duket do na hajë një nga një të gjithëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button