Kosova

Kompania e Wesley Clarkut e interesuar për qymyrin e Kosovës

Kompania – bordi i së cilës udhëhiqet nga gjenerali Wesley K. Clark – ka kërkuar të ketë monopolin në hulumtimin e rezervave të qymyrit në Kosovë.

Kompania “Envidity Energy Inc” ka kërkuar nga Komisionit i Pavarur për Miniera dhe Minerale tri licenca për hulumtim të qymyrit dhe bitumit në territorin e Kosovës.

Territori të cilin e ka kërkuar kjo kompani përbën më shumë se një të tretën e të gjithë territorit të Kosovës – 3483 kilometra katrorë, ku thuhet se janë rreth 12 miliardë tonelata qymyr.

Licencën e parë, kjo kompani e ka kërkuar për rajonin e Vushtrrisë, por në të cilën preken qytete si Prishtina, Skenderaj, Drenasi e Podujeva. Kjo kërkesë për hulumtimin e qymyrit dhe bitumit është bërë në vitin 2013. Licenca e kërkuar është bërë për një sipërfaqe prej 327 kilometra katrorë.

Licenca e dytë është për rajonin e Vitisë, por që prek qytete si: Lipjani, Fushë Kosova, Kaçaniku, Shtimja dhe Ferizaj. Sipërfaqja e kërkuara është 876 kilometra katrorë.

Licenca e tretë për hulumtim të thëngjillit dhe bitumit, është për rajonin e Dukagjinit. Është bërë kërkesë për licencë për hulumtim për gjithë basenin e Dukagjinit me një sipërfaqe prej 2279 kilometra katrorë. Territori në të cilin synohet të hulumtohet prek komunat: Klinë, Prizren, Deçan, Pejë, Istog, Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Mamushë, Skenderaj, Junik dhe Suharekë.

Kërkesa për marrjen e licencave në KPMM është bërë në vitin 2013 dhe në vete nënkupton aktivitetet që kanë për qëllim konstatimin e prezencës, cilësisë dhe sasisë së resursit miniera- në këtë rast qymyrit.

KPMM-ja fillimisht e ka shtyrë vendimin për aplikacionin që ka bërë kompania Envidity. Kurse, në muajin gusht të vitit 2015, bordi i KPMM-së ka marrë vendim që të mbyllen kërkesat e kompanisë me seli në Kanadë për Licencë për Hulumtim për Thëngjill dhe Bitumen.

Kompania duhet të bëjë një kërkesë të re për licencë në KPMM, pas përfundimit të procedurës në Kuvendin e Kosovës. Drejtori i KPMM-së, Ramiz Krasniqi, thotë se nëse projekti miratohet në Kuvend, atëherë KPMM-ja duhet t’i lëshojë licencat e nevojshme në përputhje me ligjin.

Gazeta JnK ka gjetur se Qeveria e Kosovës e ka shtyrë këtë projekt përpara duke e ndryshuar edhe bazën ligjore. Kompanisë i është kërkuar që të bëjë edhe një prezantim para ministrave të qeverisë Mustafa.

Nëse projekti kalon edhe në Kuvendin e Kosovës, Qeverisë i hapet rruga për të hyrë në negociata me kompaninë. Hyrja ne negociata është paraparë edhe në vendimin e Qeverisë së Kosovës, me numër 05/106.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button