Opinion

Një opozitë mashtruese

Andrea Stefani

Opozita ka një rol jetik për demokracinë. Por ka edhe raste kur një opozitë, ose partia kryesore opozitare, jo vetëm nuk ka asnjë lidhje me demokracinë por është një nga armiket kryesore të saj.

Një opozitë (parti) e tillë ishte ajo e nazistëve të udhëhequr nga Adolf Hitleri. Ajo përdori demokracinë për të ardhur në pushtet me vota dhe gjëja e parë që bëri pas kësaj, ishte varrosja e demokarcisë. Prandaj përpara se të mburrim rëndësinë që ka një opozitë apo parti opozitare për demokracinë, duhet të shikojmë nëse janë vërtetë ajo opozitë, forcë politike apo lidership të dedikuar për demokracinë apo punon kundër saj?

Mjerisht, një forcë politike në opozitë që punon pa rreshtur kundër demokracisë ka edhe Shqipëria. Eshtë faktuar me kaq e kaq prova në 26 vjet. Që nga kapja autokratike e të gjithë pushteve, grushtet e shtetit (14 shtatori) e deri te vrasja e qytetarëve të pafajshëm për pasurim korruptiv (Gërdeci) apo për terrorizimin e tyre (21 janari).

Dhe, si për ironi historike, ajo është partia që mburret me të madhe se solli demokracinë dhe ka për apelacion cilësimin “demokratike”. Si sjellës të demokracisë e mban veten edhe lideri i saj, Sali Berisha, që vetëm me jetëgjatësinë prej 25 vjetësh në krye të partisë (dorëheqja e tij nga udhëheqja dhe vendosja e një kukulle si Basha është një gënjeshtër) është treguesi më sinjifikativ i antidemokratizmit të këtij lidershipi dhe kësaj partie.

PD vazhdon të udhëhiqet nga Berisha që nga dita e themelimit të saj. Eshtë një jetëgjatësi që nuk mund të mos të të kujtojë modelin e partive komuniste të shteteve totalitare, karriera e liderëve të të cilave zgjaste sa vetë jeta e tyre. Dhe të mendosh që kjo quhet Partia Demokratike! Çfarë mashtrimi dhe talljeje me demokracinë!

Por jetëgjatësia e pazakontë e lidershipit, bart edhe kostot e vet. Veçanërisht në një tranzicion të korruptuar si ky shqiptar. Lidershipi 26 vjeçar i PD ka mbi vete edhe një korrupsion të pandëshkuar 26 vjeçar. Si i tillë ai është i painteresuar, dhe kjo është demonstruar tashmë me fakte, për një reformë që do të themelonte një drejtësi që do ta ndëshkonte këtë korrupsion, domethënë atë vetë si lidership. Prandaj në momentet e tanishme gjithë lufta e tij, ndërsa hedh vickla për reformën në drejtësi, është përqëndruar tek rimarrja e pushtetit në mënyrë që ta përdorë atë pushtet kundër reformës në drejtësi pra, kundër demokracisë. Si Hitleri dikur.

I fokusuar në një strategji të tillë lidershipi i PD me Berishën në krye (Basha është thjesht një tallje) po përdor në shkallë të gjerë mashtrimin dhe gënjeshtrën për të ngjallur sa më shumë pakënaqësi për qeverinë Rama dhe për Ramën vetë. Nuk mungojnë as tentativat për flirte me Ilir Metën për të realizuar atë përçarje të së majtës pa të cilën, PD nuk vjen dot në pushtet. Vetë Meta ka mbajtur një qëndrim neutral, duke mos i thënë “as po as jo” flirteve të PD ndërkohë që është më shumë forca e ngjarjeve, dhe jo ndonjë dedikim i posatçëm, që e ka shtyrë t’i qëndrojë koalicionit me PS dhe Ramën.

Ndërkohë fushata e shpifjeve të PD për punët e qeverisjes ka arritur apogjeun e vet. Kjo u manifestua në mënyrën më cinike dhe të turpshme edhe në debatin parlamentar për reformën në arsim. E etur për të krijuar një ortek pakënaqësie, në këtë rast të studentëve që nuk kanë fituar akoma një të drejtë studimi, PD nisi të shpifë sikur seleksionim i studentëve fitues është bërë jo mbi bazë të rezultateve të tyre pra, meritokracisë. E kundërta është e vërtetë. Faktet tregojnë se janë kualifikuar me përparësi ata studentë që kanë patur mesataren e notave më të lartë.

Tipik për këmbënguljen e PD te gënjeshtra, në neglizhim të plotë të fakteve, u bë një debat paralamentar mes kryeministrit Rama dhe deputetes Jozefina Topalli. Edhe kur kryeministri argumentoi se një student i mirë me mesatare 9.4 nuk ka fituar sepse kanë fituar studentë të tjerë me mesatare më të lartë se 9.4, Topalli këmbëngulte në gënjeshtrën duke e paraqitur si paradoks që “një student me 9.4 nuk fiton në Shqipëri por fiton të drejtë studimi në Turqi”.

Por gjithkush e kupton se në një ndodhi të tillë nuk ka asgjë anormale.  Pëkundrasi ajo është provë e seleksionimit meritokratik. Mund të mos fitosh një të drejtë studimi në Shqipëri për shkak të kritereve seleksionuese diktuar nga kapacitetet e universiteteve por mund ta fitosh në një shtet tjetër për shkak të një numri faktorësh dhe kriteresh ndër të cilat, kapaciteti i pranimit që në universitetet e atij shteti mund të jetë më i madh.

Eshtë e qartë se PD kërkon të krijojë artificialisht pakënaqësi edhe për faktin se reforma në arsim i ka dhënë fund një sistemi pa sistem që ekzistonte kur PD qe në pushtet dhe që, pa asnjë kriter meritokracie fuksiononte, si të gjitha piramidat e PD, me moton “me ne fitojnë të gjithë!”.

Por është mjerim të shikosh se si një opozitë ka nevojë të bazohet te gënjeshtra dhe mashtrimi për të arritur qëllimet e saj kur dihet që përgjithësisht qeveritë janë ato që përpiqen t’i trukojnë mosrealizimet e tyre. Opozita ka vetëm fjalën, jo veprën. Askush nuk i kërkon pse nuk bëri këtë apo atë, pse nuk mbajti këtë apo atë premtim. Prandaj e ka shumë më të lehtë të punojë me të vërteta dhe jo me genjeshtra.

Kur një parti mashtron e gënjen në opozitë, tregon se është kalbëzuar nga korruptimi. Dhe ç’mund të presësh të bëjë në pozitë?

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button