Opinion

War Dogs? Mjauu…

Nga Ilir Metaj

Më në fund mbërriti dhe “War Dogs”.

I shumëprituri ndër anët tona. Rezultati? Zhgënjim i madh. Akoma më i madh pas një pritshmërie të madhe.

Dështimi ynë, apo i Hollywood-it?

Le ta shtjellojme pak më në detaj.

  1. Bad guys…same shit.

Në fakt, kërshëria e shoqëruar me padurim dhe pritshmëria e madhe nuk kishin të bënin me cilësinë e filmit. Madje, cilësia as nuk hynte fare në kandarin e pritshmërive.

Nuk kishte të bënte as me faktin që skenari i filmit frymëzohej nga raca shqiptare. Prodhime me prani shqiptare ose me pretendim shqiptar  Hollywood-i ka patur edhe më parë, por  kjo nuk është përkthyer në ndonjë pritshmëri apo kërshëri të shtuar nga ana jonë.

Tek e fundit, tashmë jemi mësuar: Për Hollivudin shqiptarët janë gjithmonë “bad guys” që rrëmbejnë apo vrasin,  janë tutorë prostitutash apo bëjnë kontrabandë.

Këto janë rolet që më së shumti të huajt na japin në filmat e tyre. Me apo pa të drejtë, kjo është cështje tjetër, diskutim tjetër.

Pra, rasti i “War Dogs” është i ndryshëm.

Këtë radhe pritshmëria ka të bëjë me burracakërinë tonë.

  1. Po, po. Jemi burracakë.

“War Dogs” ishte pritshmëria jonë për drejtësi. Drejtësi burracakësh.

Kanë kaluar tashmë 8 vjet nga krimi i Gërdecit. Krim me 26 tragjedi. Krim me autorë të identifikuar. Krim me autorë të pandëshkuar. Plot 8 vjet.

Po nuk mjaftuan për ne. Nuk mjaftuan për drejtësinë tonë. Nuk është faji ynë?!

Institucione drejtësie të korruptuara? Ah, sa gjynah! Gjithmonë pa fat ne. Edhe drejtësia ne duhet të na qëllonte e korruptuar! Obobo për fatin tonë!

Epo, ka thënë dhe i pari, me fatin nuk merresh dot. Por…Ah, por.

Mos u mërzisni vëllezër. Ka shpresë edhe për ne: Të na rrojë Amerika ( si gjithmonë ).

E morët vesh? Plasi më në fund, do bëhet drejtësi: Amerikanët po bëjnë një film për Gërdecin. Aaaa, tani po. Tani ua ndreqin ata këtyre…

Obobo, për fatin tonë! Vërtet ama. Jemi të dorëzuar. Dhe nuk ka dinjitet për të dorëzuarit. As burrëri. Ka vetëm kapitullim dhe burracakëri.

Dhe kështu vazhdon historia.

Pas 8 vjetëve me “bisht ndër shalë”, tani u veshëm, u krekosëm e parfumosëm, hodhëm edhe “kapën mbi veshë” e u sulëm në kinema për të parë drejtësinë të vihet në vend!

Domethënë, për të parë amerikanët e Holliwood-it si do ua bënin “8 me 2” këtyre kriminelëve tanë, të cilëve ne vërtetë u hëngrëm m…n tërë këto vite. Ama ja, erdhi dita e drejtësisë… tani ua rregullon Holliwood-i këtyre… Kemi të huajt ne. Sindromë shqiptarësh, sindromë burracakërie.

Obobo,  për fatin tonë!

“War Dogs”: është komedi.  Gërdeci: është histori shqiptare. Dhe historitë shqiptare nuk janë asnjëherë komedi. Nuk ka lot të qeshurash, ka lot dhimbjesh.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button