Ekonomia

A “do t’ua hapë rrugën” shitja e Bankers kompanive kineze…

Ndërsa më në fund, blerja e Bankers Petroleum nga kinezët e Geo Jade po shkon drejt finalizimit, ajo e Tirana International Airport, ende nuk ka përfunduar. Edhe shoqëritë shtetërore kineze nuk po hyjnë në tregun shqiptar…

Disa lajme të pak muajve më parë për blerjen e koncesionarit të naftës Bankers Petroleum dhe koncesionarit tjetër të Aeroportit të Rinasit, Tirana International Airport, nga kompani kineze nxiti zërat se nga shteti i Lindjes së Largët po shtohej interesi për tregun shqiptar.

Në mars,  Geo-Jade Petroleum, një nga grupet më të mëdha të pavarura të energjisë kineze, njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje për të blerë kompaninë e prodhimit të naftës Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës për një shumë prej 407 milionë dollarë. Deri në momentin e fundit (afati i konkretizimit ishte fundi i shtatorit) marrëveshja nuk dihej nëse do të arrihej, pasi nuk po merrte miratimin nga qeveria kineze dhe vetëm të premten e kaluar Bankers Petroleum njoftoi miratimin nga ana e aksionerëve të marrëveshjes së propozuar me degën e Geo-Jade Petroleum Corporation.

Në prill grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong njoftuan zyrtarisht se ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës me koncesionarin Tirana International Airport (TIA). Çmimi i shitjes ishte 82.25 mln euro. Ndonëse kanë kaluar disa muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes, Transaksioni nuk është përfunduar ende dhe aksionerë të Rinasit vijojnë të jenë regjistruar në QKB në pronësi të AviAlliance GmbH (47%); DEG-Deutsche investitions-und Entëwicklungsgesellschaft mbH (31.7%) dhe Albanian-American Enterprise Fund “AAEF” (21.3%). Mësohet se transaksioni ka mbetur pezull, pasi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një nga kreditorët e TIA-s, ka kërkuar më shumë informacion për blerësin. Ndërmarrja që do të marrë përsipër të drejtat e koncesionit është emërtuar, “Keen Dynamics Limited” (kompani “offshore” e regjistruar në Ishujt Cayman) dhe sipas marrëveshjes do t’i ushtrojë këto të drejta deri në vitin 2027 (China Everbright është kompania mëmë).

Interes për Shqipërinë ka pasur edhe nga shoqëritë shtetërore kineze, por asnjë nuk është konkretizuar deri tani.

Geri Selenica, drejtor i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike, e specializuar për projekte me kompanitë kineze thotë se janë dy arsyet kryesore që nuk vijnë kompanitë kineze shtetërore në Shqipëri. Së pari, qeveria shqiptare nuk u ka krijuar kushte dhe së dyti, Shqipëria ka pak gjëra për t’iu ofruar kinezëve.

Lista e kompanive shtetërore kineze që kanë dashur të hyjnë në Shqipëri dhe nuk janë konkretizuar nuk është e shkurtër.

Banka Exim (banka që përfaqëson politikat e shtetit në investimet jashtë Kinës) dhe që ka qenë në negociata për ndërtimin e Rrugës së Arbrit u tërhoq dy vjet më parë.

Power China ka ofruar në tetor 2014 financimin, projektimin dhe ndërtimin për llogari të KESH të HEC Skavica (e madhe) 485 metër. Investimi kapte vlerën e 1 miliard eurove, nga të cilat 600 milionë për ndërtimin e digës dhe mbi 500 milionë euro për shpronësimet dhe rehabilitimin mjedisor dhe ekonomik të zonës së përmbytur. Edhe ky projekt nuk u bë.

Në sektorin e hidrokarbureve kanë shprehur interes CEFC (China Energy Fund) dhe CNPC (China National Petroleum Corp), që nuk janë konkretizuar akoma. Selenica thotë se CNPC do të hyjë me gazjellësin IAP (Ionian Adriatic Pipeline).

Në sektorin e ndërtimit të rrugëve ka pasur interes nga disa firma kineze si: Sinohydro, China Pacific Construction dhe CRBC. Sinohydro po ndërton dy autostrada në Maqedoni, ndërsa CRBC një autostradë në Malin e Zi dhe do të ndërtojë hekurudhën e shpejtë Rijeka-Zagrep-Bozovo (Hungari). Selenica thotë se këto kompani nuk punojnë pa financimin e Exim Bank, ndërsa nga ana tjetër nuk ka asnjë projekt serioz rrugësh dhe Shqipëria nuk ka mundësi financimi për të tilla projekte. Edhe Pacific Construction, që kishte shprehur interes për ndërtimin e autostradës Adriatik-Jon është tërhequr së fundmi, thotë Selenica.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button