Home / Bota / Siri, në mbrëmje pritet të hyjë në fuqi armëpushimi 10-ditor

Siri, në mbrëmje pritet të hyjë në fuqi armëpushimi 10-ditor

Me të perënduar dielli këtë të hënë, në Siri pritet të nisë armëpushimi mes palëve ndërluftuese, pas një fundjave të mbushur me sulme ajrore dhe viktima. Gjithsesi, armëpushimi 10-ditor pritet të ndiqet nga sulme ajrore të koordinuara mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kundër militantëve xhihadistë.

Media shtetërore siriane raportoi se presidenti Bashar al-Assad e mirëpriti këtë marrëveshje, e cila u arrit mbrëmjen e së premtes në Gjenevë, pas muajsh të tërë bisedimesh mes Rusisë dhe SHBA-ve. Megjithatë, është ende e paqartë nëse fraksionet e rebelëve do ta respektojnë atë.

Grupi i “Ushtrisë së Lirë Siriane” i ka shkruar një letër administratës së Shteteve të Bashkuara, përmes së cilës thotë se, ndërsa do të “bashkëpunojnë konstruktivisht” është e shqetësuar se armëpushimi do t’i sjellë përfitime qeverisë së regjimit të Assadit. Një tjetër grup i madh i rebelëve, ai i linjës së ashpër islamike “Ahrar al-Sham” e ka refuzuar marrëveshjen.

“Një popull i rebeluar, i cili ka vuajtur dhe ka luftuar për 6 vite, nuk mund të pranojë gjysmëzgjidhje”, tha udhëheqësi i dytë në komandë, Ali al-Omar, përmes një videoje. Ndërsa kreu i grupit u ndal shkurtimisht, duke thënë se është mëse e qartë që nuk do të veprojë në përputhje me kushtet e marrëveshjes.

Megjithatë, ende pa hyrë në fuqi armëpushimi, duket se ka shenja problematike me këtë plan. Grupet e armatosura opozitare, qoftë ato të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, e deri tek ato që kanë lidhje me “Al Kaedën”, kanë krijuar një aleancë për të luftuar ushtrinë siriane.

Armëpushimi u bën thirrje grupeve të mbështetura nga SHBA-të të ndahen prej të tjerëve, por ata duket se hezitojnë ta bëjnë diçka të tillë, teksa njëri prej tyre bën të ditur se rebelët ndodhen nën të njëjtën llogore dhe zhvillojnë operacione të përbashkëta.

Përpara armëpushimit, qeveria siriane nga ana e saj ka ndërmarrë sulme të konsiderueshme nga ajri në disa zona të kontrolluara prej rebelëve përgjatë fundjavës, duke vrarë të paktën 100 persona. Edhe avionët luftarakë rusë kanë qenë në veprim në provincat e Idlibit dhe Aleppos, sipas asaj që thonë aktivistët sirianë. Intensifikimi i dhunës në Siri ka ardhur që prej armëpushimit të parë të braktisur.

Leave a Reply

%d bloggers like this: