Te ndryshme

Ëndrra e Tedit – 100 vjet nga Kanali i Panamasë

Histori

panamaFrancezët dështuan në ndërtimin e kanalit, por Presidenti amerikan Roosevelt bëri të mundur të lëviznin malet, luftoi malarien dhe mushkonjat – dhe madje ndezi një revolucion të vërtetë, duke themeluar një shtet të ri – për t’i dhënë udhë projektit të tij që përfundoi në gusht 1914

Dita në të cilën Presidenti Theodore Roosevelt, i cili njihej me nofkën “Teddy”, ndihej si një fëmijë i vogël, ishte një ditë e nxehtë nëntori e vitit 1906. Roosevelt ndodhej në Culebra Cut (Ngushtica e Kulebrës), një masiv shkëmbor 95 metra i lartë në Panama, në kufirin mes Atlantikut dhe Paqësorit. Presidenti mbante në dorë një kostum tropikal dhe mbi kokë një kapelë prej kashte. Sytë e Roosevelt-it shndrisnin me një pabesueshmëri tërheqëse, ndërsa ai vështronte ethshëm makinën gjigante me avull, që po gërmonte shkëmbin para tij.

Megjithëse këshilltarët e tij e kishin paralajmëruar, Presidenti u kacavirr drejt makinës në të cilën ndodheshin ulur punëtorët nga rajoni i Karaibeve. Ai injoroi të gjitha paralajmërimet mbi sigurinë dhe testoi vetë ekskavatorin në thjeshtësi, mes punëtorëve. Në mbrëmje, Presidenti i hutuar nga ajo mrekulli, i telegrafon të birit: “Ekskavatorët e fuqishëm janë plotësisht në funksion; ata po heqin masa të mëdha shkëmbinjsh dhe dherash. Gërmojnë vazhdimisht në mal dhe heqin copa të mëdha prej tij”.

Roosevelt erdhi për të vizituar punimet që po bëheshin në Kanalin e Panamasë me anijen e tij “Mayflower”. Ishte udhëtimi i tij i parë jashtë vendit dhe të gjithë në bordin e anijes vinin re një shndërrim të rrallë: Presidenti me vështrimin e tij – që zakonisht ishte gjithmonë shumë i rreptë – fshehur pas syzeve elegante, sa nuk shpërthente nga entuziazmi kur pa pyllin e shiut, ndërsa kundronte me shumë kërshëri mjetet e rënda të ndërtimit dhe punëtorët. Kanali do të ishte vendi i tij i aventurave. Ai do të dashurohej me masat gjigante të kantierit të ndërtimit, me teknikën, logjistikën dhe madje, ndoshta edhe me angazhimin e disiplinën ushtarake, me të cilën amerikanët atje kishin sistemuar gjithçka. Roosevelt më parë kishte udhëtuar shumë me të atin, ai si natyrë ishte një tip “i shëtitur”, i rrahur me vaj e uthull dhe kauboj, gjithçka që ai nuk mund ta përjetojnë në Uashington, këtu po bëhej realitet.

Të bashkosh detet e botës

Shtatë vjet më vonë, një sinjal telegrafi nga Uashingtoni njofton një shpërthim gjigant dhe heq edhe pengesat e fundit që pengonin veprën të quhej Kanal. Oqeanet e detet e botës që Zoti i kishte ndarë, po bashkoheshin, e kjo i pëlqeu shumë edhe Roosevelt-it. Sa zhgënjyese, megjithatë, ishte data 15 gusht 1914, kur avullorja “Ancon” me 200 persona në bord, përuron e para hapjen e Kanalit të përfunduar të Panamasë, dhe kur thuajse asnjë gazetë nuk mban shënime për të.

Thuajse sapo kishte shpërthyer Lufta e Parë Botërore. Gazetarët vështrojnë vendet, në të cilat është ndezur konflikti. Por Roosevelt mendon për vizitën e tij në Ngushticën e Kulebras: çfarë kanali ishte ky! I ndërtuar për të shmangur rrugën e rrezikshme e të nëmur që merrej nga Kepi i Bririt. E tanimë kurseheshin veç të tjerash, rreth 15.000 kilometra e afërsisht dy deri në tre muaj udhëtim me anije.

Ajo çka e gëzonte edhe më shumë në fshehtësi Presidentin, ishte se: francezët kishin thyer dhëmbët, le të themi, gjithmonë në Kanalin e Panamasë. Konti i zgjuar Ferdinand de Lesseps, ishte përpjekur i pari që në vitin 1880. Ai kishte rritur 17 fëmijë dhe kishte ndërtuar edhe Kanalin e Suezit. Këtij njeriu, që ishte një tip autodidakt dhe tashmë edhe 74 vjeç, njerëzit në Panama i besonin gjithçka. Mirëpo Lesseps nuk e dinte se çfarë vështirësish e prisnin atë këtë radhë. Malaria, ethet e verdha dhe vapa plot lagështirë, po ia hanin atij punëtorët përditë, duke iu falur vdekjes çdo ditë nga shtatë burra, mesatarisht. Çdo ditë një kamion dërgohej drejt xhunglës me kufoma. Nuk dihej më as se ku të vije kryqet.

Lesseps donte ta ndërtonte Kanalin pa porta. Kur kjo nuk po funksiononte, ai ngarkoi Gustave Eiffel-in në Paris me ndërtimin e portave, por tanimë ishte shumë vonë. Kostot për Kanalin kishin hipur shumë lart, në terma afatshkurtër përpjekjet bëheshin të financohej tashmë me fitimet që vinin nga një lotari. Mirëpo gjithçka përfundoi në fiasko. Në Francë, ndërtimi i Kanalit shkaktoi një krizë të vërtetë shoqërore, pasi kursimtarët e vegjël, që kishin investuar në lotari, kishin falimentuar. Rreth 22.000 burrave gjithsej, u kishte kushtuar ndërkohë jetën kjo ndërmarrje. Lesseps më në fund, u dorëzua.

Insekticide dhe ujë i freskët

Dhe pastaj erdhi ai në lojë: Roosevelt e kishte parë me interes dramën që po vuanin francezët. Në vitin 1902, ai bleu mallin e nxjerrë në ankand nga Franca. Për 40 milionë dollarë. Makina ndërtimi dhe rrënoja ndërtimesh ishin aty. Qysh më parë, amerikanët kishin negociuar me Kolumbinë për një rrugë detare. Bisedimet me kolumbianët po zhvilloheshin me vështirësi, e Roosevelt po kërkonte tashmë thuajse një revolucion në provincën autonome të Panamasë. Kështu u nxit e u shpall pavarësia e shtetit të vogël të Panamasë, që u njoh menjëherë nga SHBA. Me këtë partner, amerikanët lidhën një marrëveshje, që u mundësonte përjetë sovranitetin mbi një zonë prej 15 kilometrash gjerësi e 81 kilometrash gjatësi, d.m.th Zona e Kanalit. Një lëvizje e zgjuar shahu.

Por, edhe amerikanët, duhej të përballeshin me vështirësi. Kështu, ata u përpoqën të mbysnin mushkonjat, duke shpërndarë insekticide në masa të mëdha. Njerëzit e Roosevelt-it i shpallnin luftë çdo pellgu me ujë të ndenjur dhe punëtorët duhej të pinin tri herë në ditë kinina kundër malaries. Uji i pijshëm ndërrohej përditë tek amerikanët që varnin turinjtë.

Depërtim në Ngushticën e Kulebrës

Sidoqoftë, në fund, ia dolën të pengonin malarien. Por i vështirë u bë edhe depërtimi nëpër malin kontinental që ndante dy oqeanet, i ashtuquajturi Culebra Cut apo ndryshe dhe Ngushtica Gaillard. Faqja e malit Culebra, që shkonte paralel me bregun e Paqësorit, duhej rrafshuar në një sipërfaqe prej 13 kilometrash, nga një lartësi prej 80 metrash në atë 12 metra. Punën e vështirë e kryenin zezakë nga Xhamajka, Trinidadi dhe Barbadosi.

Përveç kësaj, u ndërtuan tri porta të dyfishta e të stërmëdha detare, me portat teke që shkonin deri në 730 tonë. Lindën liqene artificialë. Roosevelt më vonë do të thoshte se ai e kishte marrë zonën e Kanalit të Panamasë, vendin e tij të preferuar të aventurave, “me pak zhurmë dhe me një shkop të trashë”.

Kanali tek e fundit ishte 82 kilometra i gjatë. Nja 15 orë zgjaste udhëtimi, në varësi të anijeve dhe reshjeve e mjegullës së shpeshtë. Një anije në këtë distancë duhej të ishte maksimalisht 294,3 metra e gjatë dhe 32,3 metra e gjerë, me një thellësi prej 12,04 metrash. “Panamax” sot është një përmasë standarde në sektorin e anijeve detare.

Çdo vit, rreth 15.000 anije kalojnë ndërkohë nëpër Kanal, dhe rreth 8 për qind e PBB-së së Panamasë përfitohet nga taksa mbi Kanalin, që përllogaritet në mënyrë individuale. Më me leverdi udhëtimi ka qenë për Richard Halliburton: për 36 cent amerikanë, shkrimtari i udhëtimeve përshkoi në fillim të shekullit të shkuar këtë kanal.

Shpesh ndodhte të kishte trazira në zonën e Kanalit të kontrolluar nga amerikanët. Para së gjithash, ishin banorët e lagjes së varfër, të cilët edhe e kishin ndërtuar vetë kanalin, ata që rebeloheshin. Në vitin 1977, më në fund, u arrit një marrëveshje, sipas së cilës SHBA do t’ia kalonin Kanalin në fund të vitit 1999, shtetit të vogël të Panamasë. Qysh prej vitit 2007, atje punohet akoma për t’u mundësuar anijeve më të mëdha kalimin në të.

Por Presidenti Roosevelt, me atë udhëtim, kishte shkruar edhe një histori për modën, meqë ra fjala: pas shfaqjes së tij mbi ekskavator, kapela e tij panameze, u bë e njohur në mbarë botën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button