Home / Arte / Libri / Prifti italian që fotografoi “Mesharin”

Prifti italian që fotografoi “Mesharin”

priftiPadër Jaku kishte kohë që e mendonte vizitën në Bibliotekën e Vatikanit. Giacomo Gardini, prift italian, njihej me këtë emër në rrethinat e Shkodrës. Historitë për të dhe pasionin e tij për folklorin apo kulturën shqipe vijojnë të tregohen ende sot në Kuvendin e Fretërve në Gjuhadol, sikur Padër Jaku të jetë ende diku. Në morinë e librave në Bibliotekën “Gjergj Fishta”, kujtimi i tij të shfaqet përmes dorëshkrimeve, ditarit apo kopjes së vetme të “Mesharit” të Gjon Buzukut, të cilin ai e solli nga larg, për fretërit. Kthimet në Itali, për priftin që kishte lindur në Prodolone, ishin kohë të bukura siç janë kthimet në shtëpi. Me një aparat fotografik, futur me kujdes në çantën e shpinës, ai kaloi dy ditë në morinë e librave, në Bibliotekën e Vatikanit, për të fotografuar faqe më faqe librin e parë në gjuhën shqipe, “Meshari”. Vitet që kishte kaluar si pedagog në Kolegjin e Shën Françesk Daverit dhe në Seminarin Papnuer në qytetin e Shkodrës, e kishin afruar edhe më shumë me gjuhën shqipe. Teksa endej në faqet e librit të Buzukut, ai e dinte se me këto fotografi në shpinë do të çonte dritë te miqtë e tij françeskanë. Fishta do të ishte i pari që priste me padurim kthimin e tij në Shkodër. “…Ndë vjetët 1554 njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët 1555, ndë kallënduor 5 ditë. E se për fat në keshë kun mbë ndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, aj qi të jetë ma i ditëshim se u, ata faj e lus ta trajtojnë ndë e mirë…Përse nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë ma e para vepërë e fort e fështirë për të vepruom ndë gluhët tanë…”, shkruan në dialektin verior Buzuku në faqet e “Mesharit”. Vetë Buzuku e pranon se nuk është fort e lehtë për të deshifruar leximin e kësaj vepre të parë në gjuhën shqipe dhe i kërkon ndjesë lexuesit për ndonjë gabim nëse ka të tillë. Studimet për filozofi dhe teologji, si dhe njohja e mirë e shqipes, e bënë Padër Jakun ta lexonte me një frymë librin, teksa e fotografonte. Për disa tinguj të shqipes si: q, gj, th, dh, z, x, etj.; që nuk i përkasin gjuhës latine, autori përdor pesë shkronja që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Këtë alfabet do ta përdorin edhe autorë pas tij, me ndonjë ndryshim të vogël. Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Kryesisht ka pjesë liturgjike, pjesë që lexohen e rilexohen vetëm prej klerikëve në shërbesat kishtare, përkthim i një libri latinisht i shkruar me alfabetin latin. Pas kthimit në Shkodër, në dhomën e madhe të fretërve Padër Jaku i ngjizi me kujdes fotografitë e lara të “Mesharit”, për t’i dhënë formën e librit origjinal. Libri i fotokopjuar u bë në dy kopje, një prej të cilave u la në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ndërsa tjetra në atë Françeskane në Shkodër. Është interesante të shohësh sesi kjo kopje e bërë me kujdes nga Padër Jaku, ka mundur t’u rezistojë viteve dhe të ngjasojë si një relike e vyer ende sot. Libri ndodhet në Bibliotekën “Gjergj Fishta” pranë Kishës së Françeskanëve në Gjuhadol në Shkodër dhe ruhet si një dëshmi e përpjekjeve të françeskanëve për sa më shumë dituri. Pasja e kësaj kopjeje të “Mesharit” ishte një shtysë për të gjithë ata që e çuan më tej punën për iluminimin e shqipes, me botime të tjera në letërsi e studime. “U Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gjuha jonë nukë kish gjo të të ndigluom (që të jetë dëgjuar) nsë shkruomit shenjtë, nse dashunit nsë botësë, sanë, desha me u dedigunë përsa mujta me ditunë, me zbritunë (me ndriçue) pak mendetë e atyne që ndiglonjinë…”, shprehet vetë Buzuku te “Meshari”. Ai nisi ta shkruante këtë vepër më 20 mars 1554 dhe e mbaroi më 5 janar 1555. Data, të cilat ndodhen të shkruara në pasthënien e veprës. Është kjo koha që punoi për shqipërimin, ose për botimin e saj, nuk del e qartë. Që nga botimi e deri më 1740, gati dy shekuj, “Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740 atë e zbuloi në Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, ipeshkvi i Shkupit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova. Gjithë gëzim për këtë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxetën në Palermo të cilit i dërgoi një faqe. Libri mendohet të jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Ky zbulim mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194. Më 1932 ishte Padër Jaku që shkoi në Vatikan me një qëllim, për të gjetur një mënyrë që “Meshari” të vinte në vendin e origjinës. Kopjet e tij ishin vetëm ilustrim për të studiuar tekstin e Mesharit, dhe për të parë autenticitetin e krijimit të shkrimit shqip. Kopja origjinale e Mesharit erdhi për herë të parë në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë dhe u ekspozua në Bibliotekën Kombëtare. Libri ka 188 faqe dhe i mungojnë 16 faqet e para por edhe disa të tjera në mes. Gjatë kohës së komunizmit, me luftën që iu shpall klerit katolik nuk dihet se kush arriti ta mbronte “Mesharin”. Por librat kanë fatin dhe jetën e tyre, dhe edhe pse një kopje joorigjinale, sot ky libërth që i ngjason një vepre arti për punën dhe kujdesin që është bërë në ndërtimin e tij, mbahet me kujdes në duart e Padër Vitorit, përgjegjësit të Bibliotekës “Gjergj Fishta”, si një copëz historie.

Vitet në burgjet shqiptare dhe kthimi në Shqipëri pas viteve ‘90
Padër Jaku, aventura e trishtë shqiptare

“Ishte natë kur erdhën me m‘arrestue. Rrethue në mes ushtarve, mbas nji ecje së shkurtë, më futën në nji banesë private të kthyeme në komandë ushtarake. Më shtynë në nji dhomë të madhe t’errët, ku ndigjojshem gjind (njerzit, shënimi ynë), tue gërhatë mbi shtretnit e shpërthyem qi kërsitshin nga lëvizja ma e vogël. U shtrina për tokë, mbështolla brezin priftnuer qi më ngjishte belin dhe e vuna nën krye si jestek, e mbasi ia lash Zotit në dorë fatin tim, u mundova me fjetë. Por përnjiheri nji ushtri insektesh, pleshta e cimra, ma mbushi e torturoi shtatin deri më tre mbas mesnate. Kur oficeri i rojës u kujtue për kët gjendje, shty nga mëshira, më hoqi prej andej, e mbasi shtroi pallton e vet mbi nji rrjetë metalike sipër dyshemes, më la me marrë pak gjum. Të nesërmen më transferuen në nji nga burgjet e shumta të hapuna nergut (me ngut), në qytetin e Shkodrës…” – kështu e përshkruan në kujtime e tij, arrestimin e tij më 1945 Padër Jaku. Prifti italian i njohur për kontributin e tij në kulturën shqiptare, nuk mund ta mendonte se përfundimi i Luftës së Dytë Botërore do të ndryshonte përgjithmonë kahun politik të Shqipërisë. Kur regjimi komunist nisi goditjen ndaj klerit katolik, Padër Jaku u arrestua nën akuzën si agjent i Vatikanit. Pasi u mbajt për disa kohë në burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës, ai u nxor në gjyq dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik, të cilat i vuajti në disa kampe të punës së detyruar në vende të ndryshme të Shqipërisë nga Jugu në Veri. Gjatë kohës së burgut, ai mbante ditar, ku ka përshkruar jetën e tij në Shqipëri. Giacomo Gardini lindi më 24 shtator të vitit 1905 në Prodolone të San Vito Tagliamento, në krahinën e Pordeone të Italisë. Kur ishte në moshën 18-vjeçare, më 12 nëntor të vitit 1923, ai hyri në Shoqërinë Jezu. Pas dy vjetëve studime të novicjatit në Goricë, ai u përgatit edhe për disa vjet të tjera në filozofi dhe më pas u transferua për në Chieri (Torino) me qëllim që të ndiqte kurset trevjeçare të filozofisë, sipas traditës së Jezuitëve. Pasi mbaroi të gjithë ciklin e studimeve të Jezuitëve, në vitin 1930 Gardini u transferua dhe erdhi në Shqipëri për të shërbyer në radhët e klerit katolik. Në atë kohë ai u emërua si pedagog në Kolegjin e Fretërve Jezuitë të qytetit të Shkodrës ku për shumë vjet me radhë krahas gjuhës italiane, ai dha edhe disa lëndë të ndryshme. Po kështu, krahas mësimdhënies, Jak Gardini u mor edhe me mbledhjen e folklorit, dokeve dhe zakoneve të Shqipërisë së Veriut. Në vitin 1936, ai u rikthye përsëri në Itali, për të ndjekur studimet teologjike dhe pas përfundimit të tyre, më 15 korrik të vitit 1936, nga Kardinali Maurilio Fossati, u shugurua si meshtar në provincën e Chierit. Pas kësaj, në vitet 1937-1938, ai shkoi në Francë për të kaluar një vit në Paray-le Monial, për të mbaruar vitin e fundit të ciklit të gjatë të studimeve të Shoqërisë së Jezuitëve, i cili konsiderohej si viti i tretë i provës. Menjëherë pas përfundimit të atyre studimeve në Francë, ai u caktua për të ardhur në Shqipëri si pedagog në Kolegjin e Shën-Françesk Saverit dhe në Seminarin Papnuer Shqiptar të qytetit të Shkodrës. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1945, At Jak Gardini, dha mësim pranë atij Kolegji, duke iu përkushtuar me të gjitha aftësitë e tij edukimit të rinisë. Në vitin 1955, pas marrëveshjes Hrushov-Adenauer dhe kur Shqipëria komuniste po përmirësonte marrëdhëniet diplomatike me Italinë, ai u lirua nga burgu dhe u riatdhesua në vendin e tij të origjinës. Pasi qëndroi për një kohë të shkurtër në një institucion fetar të quajtur Shtëpia e Ushtrimeve Shpirtërore, në Bassano del Grappa, atij iu besua drejtimi shpirtëror i studentëve jezuitë të Lonigo-s (Vicenza), ku shërbeu me devocion deri në vitin 1960. Në atë vit, At Gardini u dërgua si epror në Shtëpinë e Ushtrimeve të Rivalta-s pranë Reggio-Emilias. Nga viti 1964 e deri në vitin 1976, ai shërbeu në qytetin e Triestes me detyrën e superiorit të jezuitëve dhe si famullitar. Nga viti 1976 ai vazhdoi të kryejë detyrën e meshtarit në Parma të Italisë. Edhe pse kishte vuajtur për dhjetë vjet në burgjet e regjimit komunist, At Gardini nuk e hoqi asnjëherë dashurinë për popullin shqiptar të cilit i kishte shërbyer me devotshmëri për vite me radhë. Padër Jaku mundi ta shihte sërish Shqipërinë pas viteve ‘90. Ai udhëtoi drejt Shkodrës për të dhënë ndihmesën e tij në rilindjen e Kishës Katolike. Sigurisht që Shkodra që ai gjeti nuk ishte më ajo e dikurshmja, kur një i ri italian besonte në shpirtin e qytetit. Në Itali, nga vitet ‘80 ai kishte hedhur në një libër të gjithë ditarin e mbajtur në Shqipëri, të cilin e quajti “Dhetë vjet burg në Shqipni” (1945-1955), i cili u botua në Romë në 24 maj të vitit 1986. Ja si e përshkruan ai në libër një moment nga gjyqi kundër tij. “… Pyetje mbas pyetjesh, tue e ndërrue me aftësi e papritur bisedën, prokurori e përdredhte atë në njiqind mënyra të tjera: futte hollësina të habitshme tue i lidhë me shprehje banale. U pshtjellue e u qetsue kush e di sa herë. Ma në fund, me fraza tinzake, m’u kërcënue se do të më shtinte n‘aso mundimesh sa me u detyrue me i kërkue si nder të madh me më ra pushkë ballit. Përpara këtyne kërcnimeve më shpëtoi gjuha e thash: “Në se ju do të guxoni me më shkaktue vetëm nji torturë të padrejtë, me siguri do të dali Dikush qi do të ju kërkojë llogari, e do ta pagueni”. Mbet si i shtangum e pëshpëriti: “Do të shifemi prap” e më dorzoi rojeve. Në të vërtetë kurrë nuk kam qenë ekspert në politikë. Jam interesue gjithmonë për ngjarjet, tue i vleftësue ashtu si më dukeshin ma mirë në bazë të kritereve personale. Porse, dyshimet, dhelpnit, dredhit me krimet qi shpesh i shoqnojnë nuk kanë ndërhy kurrë në sferën e interesimit tim. Përkundrazi i kam urryer gjithmonë. Ndoshta kjo dukesh nga sjellja ime, nga mënyra e arsyetimit dhe e mprojtjes sime. Fakti asht se as ky oficer, as të tjerë qi më morën në pyetje ma vonë e mbasandej as vetë prokurori nuk ia dolën me zbulue kundër meje nji padi të saktë qi do të mundte arsyetimisht me u paraqit si faj. Por un ishem prift e pra duhesh dhanë nji dënim….”

Leave a Reply

%d bloggers like this: