Home / Arte / Libri / De Rada bashkon albanologët në Prishtinë

De Rada bashkon albanologët në Prishtinë

albanologet20 albanologë janë mbledhur në Kosovë në edicionin e 33-të të Seminarit të Albanologjisë. “200-vjetori i De Radës” dhe “Shqiptarët në komunizëm”, temat kryesore të seminarit

120 albanologë dhe studiues nga vende të ndryshme të botës, prej tri ditësh janë mbledhur në Prishtinë, në edicionin e 33-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. I kthyer tashmë në një traditë, prej vitesh ky seminar e kthen Prishtinën në një qendër debati mbi të rejat në shkencën e albanologjisë, problemeve të gjuhës dhe letërsisë. Sipas gjuhëtarit Bardh Rugova, i cili është dhe anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, seminari do të ruajë organizimin tradicional, duke mos dalë jashtë praktikave të viteve të shkuara. Kurset e gjuhës shqipe që çdo vit sjellin në Prishtinë të huaj të interesuar për shqipen nuk do të mungojnë as këtë vit. Një nga tiparet e këtij seminari është patriotizmi. Kurset e mësimit të shqipes dhe mënyra sesi ato ofrohen për seminaristët kanë bërë që numri i të huajve që i frekuentojnë të rritet nga viti në vit. “Miqtë tanë, dashamirësit e gjuhës, kulturës dhe letërsisë kombëtare, gjithmonë kanë qenë ambasadorët më të mirë të çështjes sonë kombëtare”, është shprehur në ditën e hapjes së seminarit ministri i Arsimit të Kosovës,/// Buja. Përveç kësaj, në program janë paraparë edhe ligjërata të veçanta të gjuhësisë e letërsisë shqiptare, referime shkencore, tryeza e ligjërata të përgjithshme, duke mbledhur kështu edhe studiues të huaj. Ky seminar synon shkëmbimin e përvojave të ndryshme nga vendet pjesëmarrëse dhe do të zgjasë deri më 30 gusht. Një nga motot e seminarit është dhe nxitja e kërkimeve në fushën e albanologjisë. Studiuesja Hasnije Ilazi është shprehur se seminari ka tri dimensione të rëndësishme: optimizmin për ndryshim, ndërkombëtarizimin e gjuhës shqipe dhe vizionin e qartë të studiuesve shqiptarë qysh para 40 viteve. Këtë vit do të festohet edhe 200-vjetori i Jeronim de Radës. Studiues dhe njohës të mirë të letërsisë së De Radës dhe letërsisë arbëreshe do të vijnë me kumtesa lidhur me rëndësinë e veprës së De Radës dhe romantizmin e tij. Ky vit është shpallur dhe nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë si “Viti i De Radës”, ku do të shënohen një sërë aktivitetesh, ku përfshihet dhe botimi i veprave të plota të De Radës. Profesor Francesko Altimari, i njohur për studimet për De Radën, ka mbërritur në Prishtinë për të referuar mbi këtë temë. Një tjetër sesion brenda seminarit është ai me temën “Shqiptarët në komunizëm”, ku do të paraqiten kumtesa të ndryshme mbi jetën e shqiptarëve në periudhën e komunizmit. Në dy sesionet kryesore shkencore këtë vit do të trajtohen temat: “Gjuha shqipe dhe ideologjia”, si dhe “Letërsia shqipe dhe kodet e mëdha”. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Që nga viti 1974, Seminari ka zhvilluar gjithsej 32 sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996, sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000, Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Shkrimtari dhe publicisti, Rushit Ramabaja, i cili punën e edicionit të parë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare e kishte nisur ta përcjellë në vitin 1974, atëbotë si gazetar i gazetës “Rilindja”, tha se gjatë këtyre 40 viteve Seminari e ka pasur rolin vendimtar dhe ka ndikuar në zhvillimin e të gjitha fushave të albanologjisë, duke pasqyruar zhvillimet shkencore, gjuhësore, letrare e kulturore në hapësirat shqiptare. Sipas tij, kjo ngjarje e madhe e shkencës dhe kulturës shqiptare, në fakt, e ka emancipuar edhe qenien kombëtare shqipe.

Leave a Reply

%d bloggers like this: