Home / Moda / Koleksioni pranverë-verë 2017 i Carolina Herrerës

Koleksioni pranverë-verë 2017 i Carolina Herrerës

Carolina Herrera i kremtoi 35 vitet në biznes me një koleksion, që nxirrte në pah elegancën e njohur të saj në javën njujorkeze të modes.

Modelja e parë që zbriti në pasarelë i solli publikut hijeshinë e kombinuar me praktikën, në formën e një fustani balloje prej një cope xhinsi të lehtë.

“Ky spektakël është shumë i veçantë për mua, sepse ndërsa lexoja shkrimet që janë bërë për koleksionet e mia, m’u duk sikur më kujtuan se kam 35 vite në botën e modës. Atëherë më lindi ideja. Thashë të marr disa kombinime nga koleksioni im i parë, të frymëzohem prej tyre e t’i rikthej të përshtatura për femrën e sotme”, tha Carolina Herrera, stiliste.

39 krijimet ruanin që të gjitha feminilitetin që karakterizon këtë markë. Pala dhe viza, funde të gjatë të kombinuar lart me bluza të shkurtra, që ruanin pak a shumë të njëjtat tonalitete ngjyrash, ku mbizotëronte e zeza, e bardha dhe grija, por edhe kuadratet konvencionale ishin ato që propozoi Herrera në koleksionin e saj pranverë-verë 2017.

Në pasarelë nuk mungoi ekstravaganca e argjentit, por as thjeshtësia e të bardhës së derdhur në trup apo verdhësia vezulluese e floririt. Dantellat dhe tyli qenë pjesë e materialeve të përdorura nga stilistja për një pamje pa të meta.

77-vjeçarja e lindur në Venezuelë e nisi karrierën në vitin 1980 në Nju Jork. Spektaklin e vet të parë e kujton me krenari të madhe, pasi e gjithë frika dhe tensioni që përjetoi në ato momente u shpërblye në fund me vlerësime të mëdha.

Leave a Reply

Your email address will not be published.